Privatizimi me “pendrek” i Besim Beqajt
Nga Lavdim Hamidi – Edhe “babën e privatizimit” në Kosovë, Ahmet Shalën, duhet ta ketë zënë gafil zbulimi më i ri i “cimerit” të studimeve, Besim Beqaj, që ofertat financiare të konkurrentëve në procesin e shitjes së pasurisë publike të mbahen sekrete me ditë të tëra dhe nën rrethim të hekurt të Policisë së Kosovës.
Sa ishte në krye të ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Ahmet Shala, kritikohej ashpër për kurdisje të fituesve të pasurisë shoqërore, duke u mundësuar që shumë ndërmarrje të blihen nga politikanët e fuqishëm dhe biznesmenët e afërt me pushtetin, ndonëse të gjitha ofertat financiare të ofertuesve i zbulonte para kamerave në ditën e dorëzimit.
Derisa “baba”nuk ishte më në Kosovë, – e transferuan ambasador në Japoni- për pasardhës më të denjë të tij në privatizimin e ndërmarrjeve publike unanimisht u vendos që kjo përgjegjësi t’i jepet kolegut të studimeve, Besim Beqaj.Ky i fundit si njohës i mirë i “shpirtit” biznesor dhe si ligjërues i lëndës së Investimeve të Huaja Direkte në universitete të ndryshme, filloi ta aplikojë një metodë të re të privatizimit në raport me investitorët e huaj.
Beqaj vendosi që ofertat financiare të kompanive për ndërmarrjen më profitabile në vend të mos bëhen publike në momentin që pranohen, por të mbahen të mbyllura për më shumë se një javë në një dhomë në Qeveri, e cila nuk është një garancë e transparencës dhe rregull i “fair play-t”.
Duke mos u bërë publike në momentin e dorëzimit, ekziston dyshimi se me blerësin e PTK-së mund të ndodhin dallavere. Shumëkush me të drejtë mund të kalkulojë se ai që “shkel” më shumë nën tavolinë, pa dallim se a bëhet fjalë për kompaninë e afërt me lëvizjen shiite Hezbollah, apo kompania gjermane, “Axos”, mund të shpallet edhe blerës i kompanisë kryesore publike, pavarësisht çmimit të ofruar në zarfin e mbyllur, të cilët po ruhen nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, si garant për një proces të rregullt dhe transparent.
Nuk besoj se policia do të mund t’i ruajë zarfet e tillë nga “duart e zgjatura” të pushtetit, pasi që ata fillimisht kanë dështuar ta ruajnë dhomën e sigurisë së lartë, ku vite më parë u vodhën me dhjetëra kilogramë drogë e qindra mijëra euro para të gatshme. Po ashtu është e pahijshme për një Qeveri, ministër e një profesor universitar të ekonomisë ta mendojë garantimin e investimeve të huaja me forca policore.
Kjo metodë e garantimit të investimeve të huaja, ku forcat policore sigurojnë zarfet e investitorëve, po na sjellin në një situatë të “prapambeturisë kronike”, në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe në rritjen e produktivitetit.Të dy këtë gjëra nuk janë duke ndodhur në Kosovë- pra nuk ka as investime të huaja e as shtim të produktivitetit.
A mund të ketë sot madje qoftë edhe një “sharlatan” që beson se këto dy gjëra do të arrihen përmes kujdestarisë së “pendrekëve” e jo përmes një strategjie të definuar mirë dhe të një qëllimi zhvillimor. Nuk e besoj, që mund të gjendet një i tillë.
Ashtu sikur nuk beson më askush brenda dhe jashtë këtij vendi, se shitja do të jetë e suksesshme, veçanërisht kur e dimë se çkado që është privatizuar apo shitur deri tash në fakt është falur dhe është bërë keq.Një qeveri që do zhvillimin më shumë se “matrapazllëqet” e deritashme dhe që do të krijojë një klimë tërheqëse për investitorët e huaj, pas shumë shtyrjesh që tregojnë mossukses, më të mirën që mund ta bëjë është ta anulojë këtë proces policor të privatizimit, dhe të nisë nga fillimi një tjetër të menduar mirë e transparent.

