UBT

Normalizim që të kemi normalitet

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vlora Çitaku -Sot është e diel. Ky shkrim botohet rëndom të hënave. Po shkruaj me rrezikun që lajmet do ta bëjnë tërësisht jo-relevant këtë mendim timin. Ç’është e vërteta, edhe lutem të jetë ashtu. Tash e më shumë se një muaj, Kosova pret nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Por ky muaj është vetëm rrjedhojë e mbi një viti të kaluar në negociata që u nisën pas konfirmimit të GJND-së për legalitetin e Deklaratës sonë të Pavarësisë. Ndërsa këto dy vite dialog ishin pasojë e 5 viteve të sjelljeve jofqinjësore nga ana e Serbisë.

Pra, shumë kohë ka humbur Evropa, kemi humbur ne, ka humbur edhe vetë populli i Serbisë duke pritur lidershipin e vet të mbyll kapitullin e urrejtjes dhe jodashamirësisë. Prandaj edhe lutem që mos të kalojë as edhe një ditë e vetme më në marrëdhënie të tensionuara midis dy kryeqyteteve.

Sigurisht se kjo pritje nuk bëhet me dozë të lartë entuziazmi nga ana jonë. Marrëveshja ndonëse pozitive, nuk nënkupton njohjen formale nga Serbia e as kërkim-faljen nga Serbia dhe rrjedhimisht nuk shënon fundin e një kontesti historik mes nesh, të vjetër minimum një shekull. Megjithatë, nëse arrihet do të shënonte hapin më të madh drejt normalizimit dhe evropianizimit të marrëdhënieve jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por tërë rajonit.

Nëse Kosova dhe Serbia gjejnë solucione në mes vete, BE pret që edhe Bosnja të gjen forcë t’i rregullon marrëdhëniet e brendshme, si dhe Maqedonia dhe Greqia të kapërcejnë çështjen e emrit disi. Andaj Kosova tash e sa kohë është e gatshme për marrëveshje që t’i mbyllim pyetjet kryesore të hapura, në mes tjerash ekzistimin e strukturave kriminele në veri – jo pse është ideale, por sepse pa marrëveshje do të ishte shumë më vështirë!

Nuk rreshtem së befasuari kur dëgjoj zëra që artikulohen fuqishëm kundër kësaj marrëveshje. Për më tepër, thonë që “shpëtimi” i Kosovës është mu mos-arritja e marrëveshjes! Parodi! Më lejoni shumë shkurtimisht të elaboroj dy skenarë: Me dhe Pa marrëveshje.

Pa marrëveshje, është skenari i parapëlqyer i Vetëvendosjes, DSS së Koshtunicës, të parit të kishës ortodokse Patriarkut Serb Irinej, organizatave ultra-nacionaliste në Serbi si “Dveri” dhe “Nashi” dhe disa të tjerëve më pak relevantë. Sigurisht se motivet dhe pikënisjet për kundërshtimin ndaj marrëveshjes i kanë të ndryshme. Por, ja që për koincidencë, qëndrimet po përputhen.

Uji Dea

Po të dështojë marrëveshja, normalisht, nja dy-tri ditë në Prishtinë do të trumbetojnë për dështimin tonë të radhës për ta “shitur” Kosovën. Në Serbi, Koshtunica do ta thotë të kundërtën, nuk e “dhamë Kosovën” do të thotë ai. Në ndërkohë, çdo qytetar racional në Kosovë e në Serbi, do të jetë dëshmitarë i stagnimit të procesit të integrimeve evropiane në të dyja vendet dhe shtyrjes së datave për proceset formale të integrimit që sjellin më shumë benefite financiare, sociale dhe politike.

Kjo do të sjell deri tek rritja e diskursit të vrazhdë nacionalist. Në veri të Kosovës, strukturat kriminale do të organizojnë feste të madhe dhe do të dehen që arritën të sabotojnë zhdukjen e tyre nga faqja e dheut, e në Parlamentin e Kosovës do të mbahej një seancë solemne për të shënuar dështimin e “shitjes” së atdheut. Thënë shkurt, pa marrëveshje, do të rritet folklori patetik, do të stagnojnë proceset integruese dhe askush nuk do të fitojë.

Me marrëveshje, është skenari i parapëlqyer i të gjithë të tjerëve, nga spektri kryesor i partive kosovare deri tek qeveria e SHBA-ve, shtetet mike të Kosovës, por edhe shumica e qytetarëve kosovarë (sipas një sondazhi të një organizate amerikane, shumica e kosovarëve e përkrahin këtë dialog) – përjashto të lartcekurit në paragrafin sipër.

Sigurisht, që të nesërmen e marrëveshjes do të pasonte një rrebesh i fuqishëm akuzash për tradhti, do të kërkohen plumbat e Avni Rrustemit si kërcënim direkt për politikanët e Kosovës që “shiten Kosovën”, etj. Menjëherë do të ftohej interpelanca në Parlamentin e Kosovës për të shfuqizuar marrëveshjen dhe shkarkuar ekipin tradhtarë që nuk diti t’i mbrojë si duhet interesat e atdheut.

Ngjashëm, në veri të vendit strukturat paralele do ta shpallnin jovalide marrëveshjen dhe do të tentojnë të krijojnë telashe lokale. Vojisllav Koshtunica do të kërkonte gjykimin e Daçiqit për tradhti. Por, çdo njeri racional, në Kosovë e Serbi, do të mirëpriste hapjen e një etape të re mes vendeve tona dhe në Ballkan. Një mundësi për proces të denjë për anëtarësim në BE dhe mekanizmat tjerë euro-atlantik, përfshi qasje në fonde integruese. Mbi të gjitha, do të hyjmë në një fazë të normalitetit. Normalitet në Kosovë. Normalitet në mes Kosovës dhe Serbisë. Normalitetit në rajon.

(Autorja është ministre e Integrimeve Evropiane dhe kolumniste e rregullt e gazetës “Tribuna”)