Polemikës i pason shpërblimi
Ish-kandidati i EVP, Blerim Bunjaku, është zgjedhur përgjegjës për shkollat në një qark të komunës së Winterthur-it ku bëjnë pjesë rreth 30 shkolla dhe kopshte fëmijësh.
Në mbledhjen që ka mbajtur të hënen Parlamenti i Komunës së Winterthurit janë caktuar personat për disa poste me rëndësi në komunë. Ky forum ka zgjedhur Blerim Bunjakun nga partia EVP si përgjegjës për shkollat në një qark të komunës së Winterthur-it (Seen, Mattenbach dhe Sennhof) ku bëjnë pjesë rreth 30 shkolla dhe kopshte fëmijësh.
Siç shprehet Bunjaku për albinfo.ch ai në këtë emërim ka pasur mbështetjen jo vetëm të partisë së tij. “Edhe partitë tjera sikur SVP, FDP dhe SP më kanë përkrahur dhe kanë votuar për të ma besuar postin e përgjegjësit për shkollat në seksionin në fjalë.
Posti i tij si përgjegjës për shkollat në seksionin e përmendur nënkupton përgjegjësitë për udhëheqjen strategjike të shkollave. Bordi për shkollat e qarkut, siç quhet ky organ ku do të bëjë pjesë Bunjaku, është përgjegjës për organizimin e shkollave, vendos për ofertat, i cakton objektivat në programet shkollore dhe i miraton ato, vendos lidhur me mjetet dhe ndërmerr masat përkatëse. Bordi po ashtu përfaqëson shkollën jashtë saj dhe është përgjegjës për raportet me publikun. Ndërsa përgjegjësi i një qarku bën pjesë në bordin e përmendur dhe detyrat e tij hyjnë në kuadrin e detyrave që ka bordi. Disa prej tyre janë: vizitat në shkollat e qarkut, pjesëmarrja në mbledhjet e personelit të shkollave, vizitat gjatë orëve të mësimit nëpër shkolla e të ngjashme dhe vlerësimi i mësuesve, sqaron Bunjaku.
Mandati për të cilin është emëruar në këtë post zgjat katër vjet, që domethënë fillon në gusht 2014 dhe përfundon në korrik të vitit 2018
Bashkëbiseduesi ynë na e konfirmon me këtë rast edhe hyrjen e tij në bordin e udhëheqjes së EVP në Winterthur.
Ndërsa lidhur me planet për të ardhmen e tij në EVP, Blerimi thotë se partia është duke shqyrtuar mundësinë që emri i tij të futet në listën e kandidatëve për zgjedhjet në nivel të kantonit të Cyrihut, ku kandidojnë vetëm 12 veta. Por, nisur nga interesimi i ulët për votim i shqiptarëve me të drejtë vote, ai nuk është i sigurt nëse do të pranojë kandidimin.
Blerim Bunjaku, në zgjedhjet e bëra më 9 shkurt 2014 për Parlamentin e komunës së Winterthurit është kandiduar nga EVP. Ndonëse nuk ka arritur të zgjedhet, kandidimi i tij ka bërë mjaft bujë në mediet zvicerane./albinfo.ch/


