Për ata që nuk e shijuan pavarësinë
Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – U mbushën gati 15 vjet liri dhe 6 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga ana e popullit të saj. Ky akt i krijimit të shtetit të Kosovës, që u prit nga breza të tërë, megjithatë nuk u shijua, dhe vazhdon të mos shijohet, nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Përderisa një numër i madh i qytetarëve akoma vuajnë për nevojat më elementare të jetesës, ka edhe nga ata që nuk kanë mundur të shijojnë të jetuarit në liri, pa frikë dhe pa ankth se do të sulmohen nga strukturat serbe.
Qytetarët shqiptarë që jetojnë në komunat në veri të Kosovës madje nuk e kanë mundësinë të lëvizin dhe që pavarësinë ta festojnë në ndonjë vend tjetër, sepse edhe e drejta e tyre elementare e lirisë së lëvizjes (për të cilën na thanë se u rregullua me dialog me Serbinë) u shkelet dhe u mohohet atyre vazhdimisht. Urimi i parë për pavarësi që e mora më 17 shkurt ishte pikërisht nga qytetarët që jetojnë në veri të vendit, më saktësisht në fshatrat shqiptarë të komunës së Leposaviqit. Edhe pse ata përballen me probleme që shumica prej nesh i kemi harruar që nga përfundimi i luftës, ata prapëseprapë i gëzohen festës së bashkëqytetarëve të tyre në Prishtinë e gjetiu. Do të doja të them që izolimi të cilin ata e përjetojnë do të përfundojë së shpejti. Mirëpo injorimi institucional që atyre iu bë përgjatë 14 vite liri pati si pasojë konservimin e situatës në veri dhe mungesën e veprimeve që do të rezultonin me përmirësim konkret të jetës së shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë të vendit.
Fatkeqësisht, i tërë përqendrimi i dialogut Kosovë-Serbi është në të drejtat e privilegjet e serbëve që jetojnë në veri, duke harruar kështu tërësisht që në fakt ata të cilëve u shkelen të drejtat janë pikërisht shqiptarët që jetojnë atje. Një nga pyetjet që vazhdimisht kam bërë për kryeministrin Thaçi gjatë raportimeve të tij në Kuvend rreth dialogut, ka qenë pikërisht se çfarë masash kanë ndërmarrë që nga ky dialog të përfitojnë shqiptarët që jetojnë në veri dhe ata që janë dëbuar nga atje, në veçanti për masat që do të ndërmerren për t’u siguruar atyre kthimin në shtëpi të veta, lëvizjen e lirë, si dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës. Kjo ishte pyetja e vetme në të cilën kryeministri Thaçi nuk u përgjigj asnjëherë. Ai jo vetëm që nuk e ngriti këtë çështje në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, por nuk e përmendi asnjëherë në raportimet e rregullta tremujore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ashtu siç edhe u prit, dialogu rezultoi me një marrëveshje që kishte të bënte vetëm me serbët.
Dhe si rezultat, Thaçi edhe në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovë u mburr për marrëveshjen historike Kosovë-Serbi, edhe pse përderisa ai i thoshte ato fjalë, ata pak qytetarë shqiptarë që akoma mbrojnë sovranitetin e Kosovës në veri jetojnë të ngujuar dhe të pasigurt. Pavarësia e plotë, prandaj, nuk do të jetë e plotë, përderisa kemi qytetarë të vendit të cilëve akoma u mohohet liria. E drejta në jetë, në pronë, në liri e siguri janë të drejta të patjetërsueshme të mbrojtura me Kushtetutën e vendit. Sipas të njëjtës Kushtetutë, është obligim i institucioneve të vendit që të mbrojnë këto të drejta të qytetarëve. Diskriminimi i qytetarëve tanë në veri, më shumë se nga kushdo tjetër, po bëhet pikërisht nga institucionet e Kosovës. Prandaj, problemi i vetëm nuk është mungesa e sovranitetit në veri, por edhe mungesa e përgjegjësisë institucionale të një shteti për të mbrojtur qytetarët e vetë nga sulmet dhe nga shkeljet e njëpasnjëshme të të drejtave të njeriut. Përderisa ekziston kjo mungesë e përgjegjësisë dhe ky injorim i një pjese të qytetarëve të vendit, pavarësia nuk do të jetë e plotë.
(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Integrim Evropian).

