Kur pranvera “tfillohet”
Nga Blerina (Rogova) Gaxha – A është fatkeqësia kryesore universiteti, qeveria apo partia? Apo janë të gjitha bashkë! Pse ka vite që kanë nisur të na frikësojnë me vargun “sërish vjen marsi”! Pse kanë nisur që të na frikësojnë me pranverën, që herë e quajnë “arabe” e herë “ballkanike”. Si është e mundur që në emër të “pranverës”, cilado qoftë ajo, të bëhet gjëma dhe të na e nxjerrin si gogol para sysh “marsin” në pritje të sulmit të radhës.
Vetëm në ditët e fundit kemi dëgjuar të flasin ish-komunistë e UDB-ashë, patriotë e mercenarë, OJQ-istë e gazetarë…, se si Bosnjën e paskemi në prag!
Vetëm për pak ditë bëhen gjashtë vjet të shtetit që kurrë nuk e patëm dhe në gjashtëvjetorin e tij, jemi bërë me “veshë në krahë” se prej nga po vijnë “retë e zeza”: nga Bosnja apo Arabia!
Në këtë përvjetor do të duhej të shkruanim e të flisnim për identitetin kulturor, për shtetin e evropianëve të rinj, për vlerat e kombit që gjithmonë ishte kombësi, për 100 vjet luftë për liri, për shtetin ose shenjat e tij… dhe jo për UDB-ashë e harambashë, për pranverën arabe apo tmerrin boshnjakë që na paska ardhur te dera!
Me kukama e piskama, pa zë e ndër dhëmb, është përcjellë dikur shkatërrimi i një shteti të dhunshëm deri në mizori. Me kukama e piskama ndër dhëmbë është përcjellë dikur lufta për atdhe. Me plot zë është përcjellë ndërtimi i një shteti dhe me kukama e piskama përcillen sot sukseset dhe dështimet e tij.
Një shtet çilimi. Fitoret dhe betejat nuk kanë mundur si të mos përcillen herë me zë e herë me lot. Dhe ndoshta për secilën prej tyre nuk kemi mundur të mos i mëshojmë murit me kokë.
Kjo tokë përbindëshash ka strehuar në gjirin e saj qytetërime të shkëlqyera. Të shkëlqyera, por të vrara qindra herë. Të bëra copë e të futura në gropë, dhe të ngritura sërish bash si ai zogu Feniks që u konsumua kaq shumë.
Çfarë është Kosova në pesëmbëdhjetë vjet pas luftës së saj dhe në gjashtë vjet jetë shtet?
Lajmet në media janë të zeza futë, të plasura me komente negative dhe sulme në çdo front. Të gjithë kundër të gjithëve. Lufta e civilizimeve ka mbaruar. Luftëra të reja kanë ardhur dhe e kanë larguar kujtimin nga mundi e dhimbja. Një luftë brenda civilizimit është kjo që kemi. Ajo e ka zhdukur diku nën vetëdije “vitin e dreqit”, duke iu nënshtruar një procesi, që mbase një shtet çilimi, nuk mund t’i ikën! Luftën për atdheun thonë? Cila është lufta sot?
Lufta e re është e egër, e dhunshme dhe hajdute. Në të njëjtën kohë krejt e pafajshme. Kasapë e kalorës që bredhin rrugëve e presin sikur çdo gjë të ishte pronë e një parie. Të pafytyrë e të pafajshëm. Ndoshta do të duhej të bëheshim qorr e të shurdhër, dhe të kuptonim se në terr nuk mund të kërkosh parajsën. Se në këtë tokë përbindëshash, të mbërthyer nga lindja e perëndimi, nuk ka hapësirë për liri e drejtësi.
Ndoshta është në dorën tonë të demaskojmë veten dhe të shohim se jemi të njëjtë, dhe po kaq të ndryshëm… ndoshta historia e saj është në dorën tonë, në armën tonë, jeta dhe vdekja e saj, qoftë kjo edhe në konturat e pakuptimësisë.
Një komunist dikur kishte shkruar ditarin partizan “Kur pranvera vonohet”, kësaj here pranvera ka ardhur më shpejt se çdo herë. Po paralajmërimi i pranverës ka nisur egër në tokën që sa e sa herë është përgjakur në pranverë.
“Kur pranvera tfillohet” mbase edhe mund të jetë një paralajmërim. Kushedi! Me kukama e piskama ndër dhëmbë kemi parë, dhe re të zeza mbi vendin e përgjysmuar të shqipeve në këtë stinë. Nuk ka më shumë se pak muaj që Kosova ka hyrë në stinët politike. Thoshin se stina e radhës është pikërisht në pranverë. Probabiliteti si sot, si atëherë, për premtimet e për ndryshimet është një me njëmijë!
Në shkurtin e gjashtë viteve më parë që ndryshe nga sivjet ishte me acar, “e shpallnim Kosovën shtet të pavarur e sovran” dhe e besonim se ishte “tfilluar pranvera”!
Gjashtë vjet më vonë kemi nisur të frikësohemi nëse pranverën e kemi në prag.


