UBT

Afaristët shqiptarë, për ose kundër migracionit masiv?

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Albinfo.ch ka marrë mendimin e dy afaristëve nga dy anë të kundërta të Zvicrës: Anton Nikolla nga pjesa veriore, gjegjësisht nga Basellandi dhe Remi Durmishi, nga kantoni më jugor, Ticino.

Të dielën në Zvicër është ditë votimesh. Në mesin e tri iniciativave që votohen në nivel federal, më së shumti pluhur ka ngritur iniciativa “Kundër Migracionit Masiv”, e lancuar nga SVP/UDC. Pasi iniciativa prek drejtpërdrejt të huajt, do të ishte e vetëkuptueshme që shqiptarët si komunitet i huaj të ishin kundër. Por kësaj here në përcaktimin e tyre vihen re edhe nuanca për faktin se iniciativa u referohet të huajve që vijnë nga vendet e BE-së.

Albinfo.ch ka marrë mendimin e dy afaristëve nga dy anë të kundërta të Zvicrës: Anton Nikolla nga pjesa veriore, gjegjësisht nga Basellandi dhe Remi Durmishi, nga kantoni më jugor, Ticino. Të dy bashkëbiseduesit tanë janë aktivë edhe në politikën e regjioneve ku jetojnë. Janë me interes qëndrimet që përfaqësojnë ata, qëndrime që në një masë ndikohen edhe nga specifikat e kantoneve prej nga vijnë

Anton Nikolla me vëllezërit dhe familjarët e tij të tjerë udhëheq prej shumë vitesh disa biznese të suksesshme. Ai jeton në Binningen të Kantonit Baselland ku e ka edhe selinë e firmave të veta. Nga 49 punëtorët aktualë të dy firmave të familjes Nikolla, shumica dërmuese janë të huaj ose me prejardhje të huaj. Firma e patundshmërive Nikola –Co.ag.mobilienverwaltung ka në pronësi, administron dhe mirëmban mbi 300 banesa dhe dy hotele. Ndërsa firma ndërtimore Nikola-gu.Gmbh merret kryesisht me renovimin e banesave që blen dhe administron firma e parë si dhe me renovimin e ndërtesave të të tjerëve.

Ndërmarrësit si Antoni bëjnë pjesë në kategorinë më të prekur nga Iniciativa kundër Migracionit masiv, për të cilën zviceranët do të votojnë këtë të diele, më 9 shkurt.

Anton Nikolla: Iniciativa, e dëmshme për ekonominë e Zvicrës

Për Anton Nikollën nuk ka asnjë dilemë: iniciativa e SVP/UDC-së është e dëmshme dhe ai gjithsesi do të votojë kundër.

“Kjo iniciativë është shumë e dëmshme për të gjithë ne që jemi me prejardhje të huaj, për vetë Zvicrën, ekonominë zvicerane dhe natyrisht edhe për të huajt që vijnë të punojnë këtu. Për mua si afarist pastaj dëmi është shumë evident. Shumica e madhe e punëtorëve që punojnë në firmat tona ose vijnë nga jashtë (vendet e BE-së si Polonia, Cekia etj.) ose janë me prejardhje të huaj, gjegjësisht shqiptarë dhe ballkanas të tjerë. Dihet për shembull se për punën e njëjtë në ndërtim unë do të duhej t`u paguaja zviceranëve 6000 frangave ndërsa punëtorët që vijnë nga jashtë i paguaj rreth 4000 franga, që është brenda kornizës që lejon ligji”, sqaron Anton Nikolla në cilësinë e afaristit. Ai, në emër të tatimeve i paguan mesatarisht 300 mijë franga në vit komunës së tij.

Pastaj Nikolla nënvizon se në rast se do të fitonte iniciativa kundër migracionit masiv do të prekeshin në radhë të parë degët si ndërtimtaria, shëndetësia, gastronomia dhe bujqësia, të cilat, sipas tij 85 për qind të punëtorëve i kanë të huaj. “Zviceranë i kemi vetëm shefat, udhëheqësit e punës”, pranon Antoni, i cili thotë se rreth 20 për qind të banesave të tij i marrin me qira shtetas të huaj nga vendet e BE-së.
Një arsye më shumë për të qenë kundër iniciativës, Anton Nikolla e ka për faktin se partia e tij CVP/PDC, ashtu sikurse shumica e partive të këtushme parlamentare është shprehur kundër.
“Jam në kryesinë e degës për Binningen të CVP-së, parti kjo në të cilën aderojnë edhe vëllezërit dhe familjarët e mi të tjerë. Partia jonë është kategorikisht kundër ashtu si dhe të gjitha partitë tjera parlamentare përveç SVP-së”, përfundon Anton Nikolla.

Remi Durmishi: Në Tesinë, situatë specifike

Tesinezët janë në dilemë, ta mbështesin apo jo iniciativën popullore “Kundër Migracionit Masiv”, për të cilën do to votohet në referendumin e 9 shkurtit.

Uji Dea

Tesinezët si duket janë të detyruar të mbështesin një iniciativë të tillë për shkak të tregut të punës në këtë kanton që po goditet nga fluksi i punëtorëve nga Italia fqinje,ndërsa punëtorët vendës nga Tesina po vazhdojnë t‘i nënshtrohen dumpingut të pagave.

Njëri sipërmarrës shqiptar në pjesën italiane të Zvicrës, Remi Durmishi tha për albinfo.ch se megjithatë e kanë vështirë të marrin një qëndrim të prerë, ta mbështesin apo jo iniciativën e SVP/UDC-së

„Është e vërtetë se qe nga hyrja në fuqi e marrëveshjes bilaterale me BE-në, tregu i punës në Zvicër e sidomos në zonat kufitare siç jemi ne në Ticino ka pësuar një goditje. Tani në Ticino çdo dite hyjnë më shume se 60 mijë punëtorë nga zona kufitare e Italisë. Kemi një rritje të vazhdueshme. Dhe natyrisht që ky fenomen bart me vete të mira dhe të këqija, në një kanton me popullsi afërsisht 300 mijë banorë“, thotë shefi i firmës „Swissedil“, Remi Durmishi

Por për Durmishin nga ana tjetër një numër i punëtorëve nga Italia është i domosdoshëm për të plotësuar nevojat e tregut të punës, ndërsa iniciativa si e tillë për sipas tij nuk e zgjidh problemin.

“Nuk mund të kërkohet që një punëtor të vijë dhe të punojë këtu ndoshta me vite të tëra dhe të mos ketë të drejtë që të vendoset në Zvicër me familje. Pra vetëm të shfrytëzohet sikur të ishte një makinë e punës. Ne jemi njerëz, jo numra. Një tjetër problem është ridiskutimi i të gjitha marrëveshjeve me BE-në, sepse nëse njëra prej tyre ndryshohet të gjitha të tjerat mund të mos vlejnë më”, thotë Durmishi

Durmishi nuk është i sigurt nëse i konvenon kjo Zvicrës, një shtet i vogël në mes të Evropës.

„Jam i bindur që nëse grupet politike lënë anash retorikën dhe populizmin duke u angazhuar maksimalisht në identifikimin e problemit, sigurisht edhe zgjidhja do te gjendet. Unë do të ftoja të gjitha ata që kanë të drejtë vote të dalin dhe të votojnë. Dhe secili le të analizojë vet, të marrë vendimin e duhur për kantonin ku jeton“, thotë Durmishi .

Ai ka pranuar se firma „Swissedil“ ku është bashkëthemelues përballet me telashe për shkak se kompanitë ose sipërmarrësit nga Italia bëjnë konkurrencë direkte në Ticino.

Iniciativa popullore “Kundër Migracionit Masiv” e udhëhequr nga SVP/UDC ka marrë mbështetje edhe nga Partia e Gjelbër, dega në kantonin e Tesinës.

Arsyetimi i të gjelbërve tesinezë për të marrë këtë qëndrim ka qenë pikërisht brengosja për tregun e punës në këtë kanton.