Diasporën e shqetësojnë përçarjet midis shqiptarëve në Mal të Zi
New York – Shoqatat nga diaspora shqiptare në SHBA kanë shprehur shqetësime për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, sidomos pas humbjes së Ulqinit në zgjedhjet e fundit lokale.
Këto shoqata që përfaqësojnë diasporën shqiptare të Malit të Zi kritikojnë ashpër partitë politike shqiptare, të cilat për interesat e tyre personale dhe klanore, kanë dështuar në mbrojtjen dhe kultivimin e interesave kombëtare, shkruan B.Sina nga New Yorku. “Ka kohë që në krijesën e njohur Mali i Zi ka ngadhënjyer pseudodemokracia në stilin malazias. Kjo ‘demokraci’ tash 23 vite vazhdon me avazin e vjetër ku nën perden e demokracisë përdorin dhe adaptojnë metoda perfide të çrrënjosjes dhe dëbimit të shqiptarëve etnik nga trevat e tyre autoktone. Shteti malazias ka mëse 23 vite që në vendbanimet shqiptare, aty ku jetojnë në shekuj banorët autoktonë, shqiptarët etnik, nuk ka kryer asnjë cent investime. Kjo me siguri është dhuratë për lojalitetin që shqiptarët treguan me votën e tyre për pavarësimin e kësaj pseudo-demokracie (!)”, thekson diaspora.
Diaspora numëron edhe skenarët e palës malazeze: Suprimimi në mënyrë arbitrare i “Të mirave bregdetare” në Ulqin, mos dhënia e komunës së Tuzit, sjellja e kolonëve të përkatësisë boshnjake në Tuz, më qëllim të ndryshimit të strukturës demografike në dëm të shqiptarëve, arrestimin e malësorëve me operacione të inskenuara policore, në Plavë-Guci. tentojnë për të ndërtuar hidrocentral në Vuthaj. Krijojnë “Park Nacional” në prona të shqiptarëve dhe në territorin e tyre punësojnë punëtorë nga Podgorica (kur dihet për nivelin e lartë të papunësisë tek shqiptarët), krijojnë deponi rajonale në fshatin etnikisht shqiptar të Martinajve, tentojnë të ndërtojnë kishë serbe me përkrahjen e Policisë së Shtetit në prona private të shqiptarit në Martinaj.
“Kulminacioni arrihet me moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare. Këto janë vetëm disa aspekte të cenimit të të drejtave elementare të shqiptarëve nën Mal të Zi nga aparati shtetëror malazias. Më 26 Janar 2014 në qytetin e Ulqinit apo si e shohim ne si kryeqendër e shqiptarëve nën Mal të Zi, u mbajtën zgjedhjet lokale. Ne jemi të vetëdijshëm me frustrimin e popullatës me subjektet tona politike që për fat të keq i kemi 8 sosh vetëm në Ulqin, por është e pakuptueshme se si pas 23 vitesh në qytetin tonë të lashtë ilir të dalë ngadhënjimtar ai që na e mori Ulqinin me luftë dhe tradhtinë e Evropës në vitin 1880. Historia kur harrohet ajo edhe të përsëritet, është thënie e mirënjohur në historinë e popujve. Shtrohet pyetja: ku janë subjektet politike shqiptare që veprojnë sot në Mal të Zi dhe a kanë interesa nacionale në agjendat dhe programet e tyre partiake. Subjektet tona politike duhet që mbi agjendat personale të shohin qartë interesin kombëtar. Por sot, kur niveli i vetëdijes dhe edukimit dhe emancipimit të popullatës është shumë më i lartë se në vitin 1880, atëherë pyetja shkon tek qytetari i thjeshtë, tek ulqinaku shqiptar: si vallë del në votim dhe me votën tënde e fuqizon, e aprovon vazhdimin e shtypjes tënde, me votën tënde aprovon të gjitha këto politika diskriminuese që në vazhdimësi bëhen ndaj teje dhe popullit tënd”, theksohet në reagim.
Diaspora shqiptare dhe shoqatat me origjinë nga shteti i sotëm i Mali të Zi me veprimtari në SHBA u bëjnë apel subjekteve politike shqiptare që të unifikojnë dhe përafrojnë qëndrimet e tyre që Ulqini të jetë zot i shtëpisë në shtëpinë e vet dhe të udhëhiqet nga shqiptaret që janë 80 për qind i këtij qyteti të lashtë ilir.


