Eko Higjiena

Një dramë me temë dhe dhimbje të madhe…

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Mbrëmë, në kuadrin e manifestimit“Talia e Flakës” 2014, u dha drama e Selami Tarakut “Dëshmitari” nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Ishte një dramë me tematikë të njohur për shqiptarët. Pse jo? . Kjo temë është trajtuar në shumë gjini letrare, sidomos në veprat dokumentare, por edhe në veprat poetike, prozaike e dramatike. Është temë sa aktuale, po aq e dhimbshme dhe trishtuese. Prandaj, lufta e fundit në Kosovë, ishte tema bosh e dramës së Selami Tarakut, autor dhe regjisor, i cili vjen nga Teatri Kombëtar i Prishtinës. Të themi se, drama si dramë e shfaqur në Teatrin e Gjilanit, u mirëprit mjaft mirë nga artdashësit gjilanas. E para, se ishte në nivel të përcjelljes dhe, e dyta, se reagimet e folësve pasuan pas shfaqjes.

Kjo “formë” e tyre u ndërpre disa herë nga udhëheqësi i debatit, për faktin se, secili donte të shtonte diçka, që në këtë rast, ato ishin “sende” tjera. Andaj, pas shfaqjes, u bë një debat paksa i “nxehtë”, i cili reflektoi nyansa dalluese në mes kritikës së artit dhe autorit të dramës.

Kjo, zatën, zgjoi interesim tek publiku që ishte i pranishëm, i cili, jo vetëm që vlerësoi, por edhe bëri kritika prej këndit të tyre. Disa vlerësime të artdashësve ishin subjektive, të cilat, sapo fillonin të flitnin për shfaqjen, ata i ktheheshin ngjarjes së fundit që kanë dëgjuar apo kanë përjetuar atë.

Iu dashtë N. Islamit, kritik dhe udhëheqës të debatit, të reagojë, për faktin se, debatuesit ose vlerësuesit do të duhej të përqendroheshin tek drama, e jo tek përjetimet e tyre të kësaj kohe. “Lërëni ato pjesë të luftës, tha ai, sepse autori në fjalë, s’ka mundur të gjitha të përfshihen si ngjarje dhe personazhe në këtë vepër të tij. Kjo, si tha ai, është një pjesë e paraqitjes së kësaj kohe, e cila ishte e vështirë dhe me pasoja të mëdha tek njerëzit”. Kështu ishte dhe kështu u tha rreth dramës “Dëshmitari” të S. Tarakut, e cila dramë zgjoi interesim më tepër të përcillet se të debatohet për te. Nebih Islamit, kritik i dramës, tha se, do të duhej që publiku apo artdashësit të flisnin apo të bënin vërejtje për strukturën, thelbin, aktorët, skenën apo qasjen e dramës në fjalë. “Unë, tha ai, e çmoj shumë publikun gjilanas, i cili vërtet meriton sonte një fjalë miradije. Kjo sjellje më pëlqen dhe është e një niveli të lartë. Kjo është për t’u vlerësuar në programin e “Talisë së Flakës”. Shihni, tha ai, unë s’do të flas tash, por po e lë në fund, kur do të inkuadrohem dhe do të bëj një vlerësim të tërë”.

E, Naser Shatrolli, publicist, tha se, tema apo teksti i dramës është e ndërtuar mbi një dhimbje, mbi një dramë njerëzore të një kohe, tonën, jo aq e largët, ku kjo temë bartet mbi supet e qenieve tona, të cilat kanë qenë viktima të luftës së fundit 1999.” Këtu flitet për një njeri të sigurimit, i cili e luan rolin e dhunuesit dhe hyn dhunshëm në një shtëpi shqiptare. Ky farë njeriu armik, hyn ku gjendet një femër shqiptare, e cila ka shpëtuar nga dhunimi. Flitet për shumë femra të dhunuara, por të cilat, pas këtij akti çnjerëzor, ato vriten nga serbët. Por, rrëfimi është i rrëqethës dhe trishtues. Ky mundohet në mënyra të ndryshme ta përvetësojë këtë femrën, por ajo i largohet kësaj të keqe. “Si shfaqje më pengon, tha N. Shatrolli.

E quaj dramë absurdi, por kam vërejtje edhe për dekorin e kësaj shfaqjeje. Edhe qasja nuk është e mjaftueshme, sepse aty shihet një artiste (grua) që flet e lirë. Ajo do të duhej të ketë droje. Mandej, hyn burri i saj indiferent. Të shtoj edhe këtë se, teksti është i figurshëm, kur e kthejmë gjendjen sot, ne e kemi shtri qafën para kriminelëve që shetisin lirshëm, e të cilët harrojmë se ata janë kriminelë dhe kanë bërë vepra dhunuese ndaj popullatës sonë”.

Mobi Casa

Një artiste nga Shqipëria, pyeti, pse femra e mbijetuar apo e liruar nga armiku, tash si dëshmitare, çka ka bërë, ku e la fëmijën jetim? Ndërsa, Sadri Daku, profesor tha se, kjo temë është e madhe dhe e dhimbshme. “Unë, ndonëse jam gjuhëtar dhe kam studiuar dramaturgjinë, me këtë rast dua ta njoh edhe këtë materie, sepse jam marrë me këtë lëndë dramatike. “Si paraqitje e kësaj trupe më pëlqeu dhe kam mbresa, por do të duhej edhe pak veprimi të përsosej. Kisha dashur ta kem tekstin dhe ta rilexoj e të mësoj edhe më tepër”.

Gani Neziri tha se, kjo dramë e shfaqur nga Teatri i Prishtinës, e ka mesazhin e fortë. “Unë e përcolla rrjedhën e dramës. Ajo është një temë e fortë dhe na është e njohur. Unë e kuptoj këtë temë, e cila në qendër të saj e ka dhunën që i është bërë femrës shqiptare nga ushtarakët kriminelë serbë. Dihet, se lufta, si mjet e ka, dhunën, vrasjen… Pra, nuk zgjedh mjete, por ajo mjetin më të fortë e ka ta poshtërojë një popull, sidomos femrën e atij populli. Edhe te ne kjo ka ngjarë është e njohur për të gjithë ne. Në fund u tha krejt ngjarja se, “Burrat ishin ata që nuk u dolën në ndihmë për ti mbrojtur femrat e tyre!” Mu për atë, ajo femër e shpëtuar, mbeti dëshmitare e kohës, e tha: “Ku ishit ju burrat që nuk na mbrojtët?!” Ajo nxori revolen dhe vrau dhunuesin, bashkëshortin, madje edhe vetën. Kjo ishte qëllimi dhe përmbajtja e dramës. Uroj të kemi drama të tilla, por më me qasje më të denjë. Sigurisht, kur autori e ka shkruar dramën, është një tjetër kohë. Andaj, ti kthehesh kohës “tjetër” të kësaj dhune, do të thotë, është pak më vështirë dhe s’mund të kapen të gjitha ngjarjet për skenë”.

Josip Papagjoni, kritik i artit dramatik nga Shqipëria tha se, nuk do të ishte mirë vetëm të koncentrohemi në disa pjesë ose detaje të kësaj vepre dramatike. Drama ka shumë aspekte të veprimit. Kjo, që u dha sonte, ishte një temë vërtet e madhe dhe me dhembje të madhe. “Çdo kund në botë janë zhvilluar luftëra të këtilla dhe ka pasur dhunime femrash. Pra, lufta këtë e ka si gjë të parë. Dhuna bëhet ta poshtërojë një popull dhe të bëhet krimi, me qëllim të mbjelljes së tmerrit tek ai popull. Kjo ka ngjarë edhe tek populli ynë. Pra, lufta krimin e arsyeton. Sa i përket tekstit, ai nuk është aq i punuar mirë. Nuk është tekst që na jep një emocion. Teksti vuan nga dy mangësi: e para, nga thyeshmëria, sepse bëhet fjalë për një punëtor sigurimi, i cili, ashtu vrullëm e lirshëm hyn e bën presion tek femra e ndrojtur nga lufta. Edhe situata e paraqitur është pa “lëvizje” dramatike. Duhet më tepër të ketë situata ngjarjesh, sepse drama ndërtohet nga këto elemente kryesore, ku ne apo artdashësit do ti thithin atë zhvillim dramatik. Elementi tjetër ishte qasja e publicitetit, që në fakt kjo shfaqje vuan nga kjo mangësi. Pra, kjo dramë është dhimbja dhe e ka këtë emër. Në përgjithësi do të duhej edhe forma të jetë e nivelit.

Mandej, lëvizjet para, mbrapa, ulu këtu, unë aty, e ti këtu, janë fjalë pa peshë dhe në skenë nuk sjellin gjë të re. Më tepër janë zhurma fjalësh, ku te disa artdashës nuk kuptohen dhe s’kanë rëndësi. Drama pati edhe një humor, por ky humor nuk e ka vendin e duhur. Do të ishte ndërtimi i saj me një groteskë, një humor që do të dalë i lehtë për të gjithë.

Po ashtu si shtoi J. Papagjoni, – femra artiste nuk realizoi rolin e saj ashtu si do të duhej ta kishte. Ajo ishte një aktore e bukur, por roli i saj ishte i ftoftë. Pra, sipas meje, si e kuptoj, ajo do të duhej të dridhej kur ishte në bisedë me njeriun armik, i cili kishte ardhur të bëjë dhunë tek ajo. Madje, krejt situata është tragjike, sepse flitej se janë dhunuar dhe pastaj janë vrarë. Kjo gjendje është rrëqethëse. Ta veçoj aktorin kryesor Bastriun, i cili ishte në lëvizje dhe i saktë. Kjo ishte pjesa më e realizuar e shfaqjes”, tha J. Papagjoni, kritik arti nga Shqipëria.

Ndërsa, Nebih Islami, gjithashtu kritik i dramës tha se, debati i sontëm nuk ka qenë produktiv. Kjo dramë e temës së madhe, është “krijuar” edhe sipas luftës së fundit tek ne. Por, si shfaqje nuk ka sjellë aq rezultate të pritshme. Këtë motiv e hasim edhe tek shumë dramaturgë, ku lufta prodhon vetëm gjëra të zeza dhe të dëmshme për njerëzimin. Si e vërejta, situata ndërmjet dy aktorëve ishte e zbehtë. Por, si shfaqje, ajo qëndron dhe se publiku e përcolli dhe ishte ne nivelin e duhur”. Pas këtij debati, reagoi autori i dramës Selami Taraku ku tha se, ky vlerësim është qëllimkeq dhe se unë nuk e pranoj. Se sa ishte reagimi i tij, këtë ia lëmë artdashësve, të cilët, sa u dha shfaqja në fjalë, ata duartrokitën dhe përcjellja ishte në nivelin e duhur. Kjo ishte një mbresë nga drama “Dëshmitari” që u dha në Teatrin e Gjilanit. /Tefik Selimi/rajonipress/