Fundamenti

Zvicër, një shqiptar mysliman, kandidat i partisë evangjeliste

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Blerim Bunjaku, përveç që është një politikan i mirë, njihet edhe si një sipërmarrës i suksesshëm në qytetin e Winterthurit.

Politikani shqiptar nga Kosova thotë se Winterthurit i duhen koka inovative, me ide moderne dhe me politikanë që janë këmbëngulës. Pikërisht për këtë Bunjaku ka zgjedhur evangjelistët e EVP-së për të realizuar programin e tij politik në këtë qytet me mbi 110 mijë banorë, 25 për qind me origjinë të huaj, ndërsa 10 për qind prej tyre shqiptarë. “Është risi në EVP për të inkuadruar një shqiptar mysliman në radhët e tyre në Zvicër”, thekson Bunjaku.

Po pse në EVP ?

«Është më interesante, ngase është një parti që nuk ka myslimanë. Për mua është një mundësi e mirë duke sjellë risi në një parti që ka më shumë anëtarë të vjetër, ndoshta 60 për qind e tyre janë mbi 60-vjeçar. Aderimi im në këtë subjekt politik është një shkëndijë në politikë. Nuk do të thotë gjithmonë vetëm majtas apo djathtas, por duhet treguar se ka edhe një mendim tjetër», mendon Bunjaku, i cili për një vit është anëtar i EVP-së.

Bunjaku ishte pritur mirë, por edhe kishte befasuar kolegët e tij zviceranë. „Ka qenë e befasishme se si një shqiptar mysliman nga Kosova të inkuadrohet në një parti siç është EVP-ja“, tregon reagimin e bashkëpartiakëve të tij Bunjaku.

Madje, nga polemikat e shumta që kishte bërë me politikanë të kësaj partie, Bunjaku ishte propozuar për kandidat për deputet në Kuvendin e Komunës së Winterthurit për zgjedhjet që do mbahen më 9 shkurt 2014. EVP ka gjetur kandidatin e duhur në Winterthur, ngase mbi 25 për qind e
popullsisë në këtë qytet të Zvicrës është me orgjinë emigracioni.

EVP dëshiron ndoshta të fitojë vota me shqiptarin e ri mysliman.

Por, Bunjaku mohon se është kandiduar vetëm për të mbledhur votat e të huajve. “Me siguri se do të mbledh vota më shumë për veten se për partinë. Se më shumë individi bën për partinë, se partia për individin”, thotë në këtë intervistë përalbinfo.ch Blerim Bunjaku.

Por, ai ka pranuar se i është dhënë mundësia të promovojë programin e tij politik, duke kandiduar në zgjedhjet lokale të shkurtit 2014 në Winterthur.

«Unë nuk jam mesi apo qendra, sikur këta që dëshirojnë, por jam një impuls i ri në këtë parti politike», është këmbëngulës Bunjaku.

ARKATANA

Kanë ndikuar shumë faktorë për ta nxitur më shumë Blerimin që të bëhet deputet, edhe pse ai ka vetëm 1 vit që është pjesë e kësaj partie, por që merret me politikë prej 11 vjetësh.

Në Wintethur, më shumë konservativë se sa liberalë me të huajt

“Unë e shoh vetë si menaxher i një kompanie se si trajtohen të tjerët në Zvicër. Këtë e përjetojnë të huajt e profesioneve të ndryshme, si shitës, punëtorë në zyra apo diku tjetër”, thotë Bunjaku, sipas të cilit ka më shumë retorikë të integrimit. “Këndej të ftojnë të integrohesh, e nuk ta japin mundësinë”, tha kandidati shqiptar.

35-vjeçari tashmë dëshiron të luftojë politikisht

Ai tha se do të jetë në parlamentin e qytetit për popullin, për t’i çuar shqetësimet dhe brengat e tyre atje. Në fokus do ta ketë rininë, sidomos atë të komunitetit shqiptar. “Problemi më i madh është rinia, ndërsa problem edhe më i madh janë prindërit”, mendon Bunjaku. Për Bunjakun, kur të analizohet gjendja e të rinjve, të cilët nuk mund të gjejnë një zanat, atëherë s’ka pse të mos jenë fajtorë edhe prindërit.

Mosintergrimi i komunitetit shqiptar vjen si rezultat i moskomunikimit ndërmjet gjeneratës së parë dhe të dytë, por edhe nga barrierat gjuhësore. Kështu mendon myslimani i vetëm shqiptar në EVP.

“Rreziku më i madh te shqiptarët është interneti dhe prindërit nuk e kuptojnë sesa rrezik sjell përdorimi i pakontrolluar i internetit nga fëmijët e tyre”, tha Bunjaku.

Bunjaku thotë se ekzistojnë edhe barriera gjuhësore ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. „Azilantët që vijnë nga vendet e ndryshme përfitojnë kurse falas të gjuhës, edhe pse e dinë që duhet të kthehen, ndërsa shqiptarët edhe pse kanë nevojë për kurse të tilla, duhet t‘i paguajnë vetë, ngase në Wintherthur e kanë ndërprerë mbështetjen e tillë financiare për mësimin e gjuhës“.

Ai ka ftuar të gjithë që të dalin të votojnë më 9 shkurt 2014 në Winterhur. Bunjaku ka dhënë madje sqarime në fletushkat, po edhe në webfaqen www.bunjaku.ch rreth kandidaturës së tij si dhe për procedurat se si votohet në Zvicër.

Ai ka kritikuar udhëheqjen e deritanishme të komunës së Winterthurit, që sipas tij, nuk është menaxhuar mirë. Winterthuri është deri në fyt në borxh. “Shumë gjëra nuk kanë funksionuar në këtë qytet. Shumë pak kanë bërë për nxënësit. Investojnë më shumë në stacione autobusësh sesa për shkolla. Vetëm në Winterhur ndodh që një fëmijë të harrohet nga autobusi për ta marrë në shkollë. Jo që mungojnë hapësirat shkollore, por menaxhimi nuk është i mirë. Winterthuri me 60 milionë franga borxhe merr rrymë nga Gjermania dhe shet me çmim të lartë ”, kritikon Bunjaku.(albinfo.ch)