Merrte porositë me mesazh, shqiptari kapet me 19 kg drogë në Itali
Një emigrant shqiptar përfundoi në prangat e policisë italiane nën akuzën e trafikut të drogës, pasi iu gjet afro 19 kg lëndë narkotike. Policia e Pescara, arrestoi 36 vjeçarin Edmond Jaku, i cili u ndalua vetëm pak pasi doli nga shtëpia, duke lëvizur me makinën e tij.
Nga kontrolli i policisë në mjet siç raporton Noa.al, u gjetën 10 gramë kokainë dhe 100 gramë marijuanë. Sakaq në vijim të hetimeve dhe nga kontrolli i detajuar në shtëpi u gjet dhe sekuestrua 1.8 kilogramë kokainë dhe afro 17 kilogramë marijuanë, e ndarë në pako të ndryshme.
Gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan edhe katër peshore farmacie, të cilat shërbenin për peshimin e lëndës narkotike si dhe 5440 euro, para të ardhura nga tregtia e drogës.
Gjatë pyetjes në polici Jaku pohoi se ai e dorëzonte drogën në banesat e klientëve, pasi këta të fundit e prenotonin me mesazhe në telefon.
Mësohet se lënda narkotike e sekuestruar kap një vlerë mbi 110 mijë euro, ndërsa ishte e destinuar për tu shitur në rajonin e Teramo dhe Pescara. /Indeksonline/


