FIDANISHTJA

Llogaria për autostradën

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Ibrahim Rexhepi – Për shkak të mungesës së transparencës për autostradën Vërmicë – Besi, por edhe për të përmbushur një detyrim ndaj taksapaguesve, Qeveria e Kosovës duhet të sjellë një raport të plotë realizimin e këtij projekti.

Projektet e mëdha, zakonisht përcillen edhe me fjalë të mëdha. Ato herë vijnë si kritika, e herë si lëvdata. Herë bëhen për të treguar rritjen dhe të arriturat, e herë për të përkujtuar koston dhe barrën që i krijohet vendit të varfër. As ndërtimi i autostradës së kombit, pjesë kosovare prej Vërmicës e deri në Besi nuk kaloi pa përplasje të këtilla. Mirëpo, ato nuk e penguan zhvillimin e punëve. Dhe në këto rrethana përfundoi projekti më i madh ndonjëherë i zhvilluar në vend, për të cilin thuhet se janë investuar 900 milionë euro, por ende nuk dihet kostoja përfundimtare, i cili në fakt ka synon që ta ndryshojë rrënjësisht pozitën gjeostrategjike të Kosovës në rajon.

Përfundimi i këtij projekti e nxjerr Qeverinë e Kosovës, si financues i projektit, para obligimeve të reja, posaçërisht nuk ka qenë transparente dhe për faktin se autostrada ka devijuar nga koncepti fillestar. Prandaj, është korrekte dhe e domosdoshme që kryeministri Hashim Thaçi, ose së paku ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota të sqarojë para tatimpaguesve se si u shpenzuan afër një miliard euro vetëm për një projekt. Ndërkaq, për këtë kanë edhe çfarë të thonë.

E para – gjatësia: Asnjëherë nuk u bë e qartë se sa kilometra autostradë ka Kosova. Fillimisht është thënë se kjo rrugë, prej një pike kufitare, deri te pika tjetër do të ketë 117 kilometra. Por, sa janë sot, duke ditur se autostradë nuk ka nga Gjergjica deri në Vragoli, si edhe faktin se ajo nuk përfundon në Merdarë, por në periferi të Prishtinës, në Besi. Kur nxjerrim këtë gjatësi, si edhe totalin e investimeve, atëherë lehë është të llogaritet kostoja për një kilometër.

E dyta- standardi: Fillimisht është thënë se autostrada e Kosovës do të jetë më moderne në rajon dhe do të lidhet me rrjetin evropian të korridoreve. Por, nuk ndodhi asnjëra prej tyre. Autostrada vende – vende vërtetë duket vepër madhështore dhe larg më e mirë se shumë të tjera në rajon. Mirëpo, ngecja e saj nga Gjergjica e deri në Vragoli e zbeh standardin saj, meqenëse ajo këtu shndërrohet në një magjistrale të hapur dhe plot pengesa. Këtu ka ndodhur devijimi nga koncepti burimor, ose së paku nuk është përmbushur premtimi i dhënë se do të ketë intervenime, në mënyrë që këtu mos të degradojë autostrada.

Uji Dea

E treta- korridori: Autostrada deri në Besi nuk mund të jetë pjesë e korridoreve evropiane, meqenëse nuk ka asnjë kyçje në këtë rrjet. Në perspektivë kjo mund të ndodhë, por duket se krejt varet nga Serbia dhe fakti evropian, të cilit do të diktojnë me vazhdimin pjesës kosovare. Dalja nga Kosova do të ndodhë në Merdarë, apo në Mutivodë? Këtë duhet ta sqarojë qeveria, njësoj sikurse edhe faktin se nëse anashkalohet Merdari, atëherë si do ta lidhë Podujevën. Përgjigje duhet dhënë edhe atë se si do të duket autostrada në pikën kufitare në Vërmicë, përkatësisht si do të bëhet lidhja me Shqipërinë. Përderisa nuk bëhet lidhja në rrjetin evropian, si edhe nuk evitohen pengesat e tjera përgjatë tërë segmentit, atëherë autostrada nuk mund të hyjë as nuk mund të jetë pjesë e asnjë korridori. Ndërkaq, efekti i saj është e mangët nëse ai shërben vetëm për qarkullim ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.

E katërta- Prishtina: Prishtina si qyteti kosovar me frekuencën më të madhe të automjeteve dhe të qytetarëve ka lidhjet më të dobëta me autostradën. Kush dëshiron të hyjë, apo të dalë nga ky qytet e ka të pamundur të ikë nga tollovia dh kaosi në trafikun urban, meqenëse duhet ta kaloj Kodrën e Trimave, apo Arbërinë që të kyçet në autostradë. Varianti tjetër, është drejtimi për Fushë- Kosovë, por as ai nuk ofron komoditet, meqenëse duhet mjaft mund e nerva për të arritur deri në Vragoli, prej ku mund të ketë një vozitje pak më normale. Prishtinës i duhet edhe një kyçje, kurse më e natyrshme do të ishte ajo në Zonën Industriale, e cila jo vetëm që do të lehtësonte udhëtimin, por edhe do të lironte kryeqytetin nga transporti transit.

E pesta – përfitimet: Fillimisht ishte premtuar se 40 për qind e punëve në autostradë do të ekzekutohen nga kompanitë vendore. A ndodhi kjo ? Pastaj, pse projekti miliardësh nuk reflektoi në normën e zhvillimi ekonomik ?

Përgjigja në këto pyetje e arsyetojnë Qeverinë e Kosovës për zbatimin e projektit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit dhe politikës së asfaltit.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)