Rahimaj pret përfaqësuesit e KFOR-it, diskutohet siguria dhe bashkëpunimi në Kamenicë
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka pritur në takim përfaqësues të KFOR-it, me të cilët ka diskutuar për situatën e sigurisë në komunë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe mekanizmave të sigurisë.
Në takim morën pjesë LTC Brown, Maneuver Battalion Commander, RCE LNO Captain Payne dhe LMT Commander SFC Pardo, të cilët kanë zhvilluar një takim me kryetarin Rahimaj në kuadër të angazhimit të tyre në Kamenicë.
Gjatë takimit është diskutuar për gjendjen e sigurisë në territorin e Komunës së Kamenicës, si dhe për nevojën e vazhdimit të koordinimit dhe komunikimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve lokale dhe mekanizmave të sigurisë.
Me këtë rast, kryetari Rahimaj u ka uruar mirëseardhje dhe suksese pjesëtarëve të rinj të KFOR-it, të cilët kanë filluar angazhimin e tyre në Kamenicë.
Rahimaj ka vlerësuar rëndësinë e pranisë së KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të qetë, të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e komunës.
Kryetari i Kamenicës ka theksuar gjithashtu se institucionet lokale mbeten të përkushtuara për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet dhe mekanizmat relevantë të sigurisë, duke vendosur në qendër sigurinë, mirëqenien dhe interesin e qytetarëve.
“Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në funksion të ruajtjes së një klime të qëndrueshme, të sigurt dhe të favorshme për të gjithë qytetarët e Komunës së Kamenicës”, ka deklaruar kryetari Rahimaj.
Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe KFOR-it, me synim forcimin e koordinimit dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Komunën e Kamenicës./rajonipress/


