Fytyra bizare e shkollës kosovare
Nga Halil Matoshi – Pse rasti i dhunës ndërmjet dy adoleshenteve është treguesi më i mirë i “normalitetit” të kësaj shoqërie dhe dëfton më së miri psikosomantikën e frymës së kohës; frustrimin, varfërinë dhe zvetënimin moral të shoqërisë që ka një shkollë të keqe deri në bizaritet? A nuk mjafton ky manifestim brutaliteti për ta justifikuar ikjen nga ky atdhe i keq?
Kosova, sipas Qeverisë së saj, është vend i bollëkut, ku njerëzit paskëshin punë, por nuk duan të punojnë (rreth 750 mijë veta Qeveria i konsideron joaktivë!?)
Nuk mund të ketë lajme të mira në vendin me fuqi punëtore prej 1.2 milionësh, përderisa punojnë vetëm 300 mijë veta, ndërkaq që Qeveria i konsideron si të papunë vetëm 135 mijë veta (30.9 %) ndërsa sipas regjistrimit të popullsisë del se papunësia në Kosovë është plot 45%.
E çka mund të thuhet tjetër pos shoqëri e sëmurë, për një shoqëri ku njerëzit nuk e dashkan punën (sic!) por dhunën e shfrenuar, gangsterizmin, zhvatjen, kërcënimin e shantazhin, gjakun dhe krimin?
Cila mund të jetë shkalla e mirëqenies dhe e rritjes ekonomike (Qeveria thotë 3%) në vendin ku askush nuk gjen punë (pos në vetë Qeverinë e Kosovës) e nga i cili kanë ikur rreth 100 mijë veta prej të cilëve Qeveria (sipas Eurostat-it) i paska riatdhesuar 20 787 kosovarë, vetëm nga viti 2009 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, porse në vendet e BE-së dhe Schengenit ende kërkojnë azil plot 66 mijë shtetas.
E pra, si mund të pritet ndërtimi i një shoqërie qytetarësh të edukuar në vendin nga i cili e presin rastin e parë për të ikur shumica e të rinjve dhe të rejave!?
Nuk mund të ketë rehati e siguri për qytetarët e rëndomtë, në vendin ku rrihen deputetët (rasti i vitit të kaluar mes Rexhep Selimit e Latif Gashit) dhe ministrat (zëvendësministri i Diasporës, Nuredin Lushtaku, pati rrahur drejtorin e Departamentit për Politika të Diasporës në këtë ministri, Mustafë Xhemajli);
Si të arrihet ideali i një shoqërie solidare në vendin ku bijtë e të fuqishmëve nga majat e pushtetit politik e bëjnë ligjin e xhunglës (i biri i shefit të Grupit parlamentar të PDK-së kishte rrahur një polic, ndërsa akuza e ngarkon vetëm për armëmbajtje pa leje!?);
Çfarë është liria dhe siguria në vendin ku nuk mbrohen viktimat, por dhunuesit potencialë – të dyshuarit për krime lufte ndaj civilëve (rasti i dhunimit trupor të dy femrave në Mitrovicë gjatë luftës së Kosovës), ku ndonjë faqezi i ndërsyer nga kryeministri i vendit, akuzon ata që i percepton si kundërshtarë politikë, se na qenkan kundër luftës çlirimtare, 14 vjet pas përfundimit të saj (Muharrem Xhemjali thoshte në Mitrovicë se ai e di se disa “shqipfolës po duan të njollosin UÇK-në”);
Çfarë lezeti ka të jetuarit në vendin ku rrihen masivisht tifozët e futbollit ndërmjet vete, duke përgjakur stadiumet gjithandej Kosovës (rasti i Mitrovicës, ky u godit trajneri i Prishtinës Afrim Toverlani është vetëm një sekuencë e dhunës së shfrenuar.)
Në këtë vend, së këndejmi, manifestimi i hapur i dhunës në rrjetet sociale është në suaza të “normalitetit” të kësaj shoqërie.
Ashiqare, kryepersonazhi Dudia, e cila manifestoi mizorinë në publik, ishte vetëm një shfaqje e një skene të rëndomtë në vazhdën e skenave të dhunshme që ndodhin “live” kudo në Kosovë, në Parlament e Qeveri, në rrugë e kafehane, në terrene sportive, në shkolla…
Kjo nuk i ka rënë kësaj shoqërie n’zgabim!
Ajo vajzë e re është dyzash edhe agresore, edhe viktimë.
Nga këto të dhëna del se Dudia, ajo vajza e dhunshme e Mitrovicës, nuk bën përjashtim nga mënyra e sjelljes së pushtetit politik, sepse në këtë shoqëri, thjesht, maltretimi psikofizik i tjetrit (kundërshtarit ideor, të dobëtit, tjetrit që perceptohet ndryshe nga vetja) është shndërruar në mënyrë jetese!?
Manifesti i saj është forma më primitive e të sjellit njerëzor edhe si imazhi më antik i komunikimit – dhe këso standardesh po ndërton klasa politike kosovare.
Dhuna egërshane, një shoqërie rëndom i shpërthen përbrenda, kur ajo nuk ka më ndonjë mësymje përjashta, ndonjë fuqi armike …
Por t’i kthehemi shkollës kosovare!?
Shkolla kosovare vlon nga dhuna simbolike, sidomos kur është fjala te historiografia, ajo (shkolla e të gjitha niveleve) thuajse e ka të vetmin rol emërimin e një armiku, edhe kur ai s’ekziston!?
Duke bërë fjalë për teorinë e gjysmanalfabetizmit, Theodor W.Adorni, thotë se arsimimi duhej të ishte ai që do t’i përshtatej shpirtërisht individit të lirë, me ndërgjegje të plotë dhe veprues në shoqëri.
Arsimimi ka vlejtur në heshtje si premisë e një shoqërie autonome, në nukleusin e së cilës është individi i lirë, sepse, sa më të kthjellët individët, aq më e kthjellët shoqëria.
Porse në Kosovë, ashiqare, individualizmi është i përjashtuar.
Individi është pushkatuar!
Madje secili individ që ka mëdyshje për sa u përket të vërtetave përfundimtare të pushtetit, që nuk heziton ta marrë në mbrojtje tjetrin më të dobët, që i shmanget mendësisë uniforme dhe kolektiviste, ai stigmatizohet deri në përmasat e armikut të popullit!?
Shkolla kosovare është në fazën e prodhimit serik të gjysmanalfabetëve dhe analfabetëve funksionalë me diploma, për t’i rekrutuar në “aparatin e shtetit” dhe për mbajtjen e sundimit të një kleptokracie, e cila, po shndërrohet në shtetngrënëse!
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës duke i premtuar nga një universitet secilit qytetth kosovar dhe nga një mal me para, po vazhdon ta mbjellë logjikën pirate të një magjistari. Ai flet për MSA, liberalizim vizash dhe Kosovë europiane, kurse një vartës i tij, që duket se është caktuar nga Tabir Saraji për t’i treguar shefit përralla, dhe për t’ia interpretuar ato, ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, sakaq po fliste për Lipjanin që është hijeshuar si Parisi nën drejtimin e Shukri Bujës!?
Të mos kishte një prapavijë të errët, kjo do të mbetej thjesht hajgarellëk.
Në këtë skenë të hapur terrori që e manifestonte videoja shokuese që qarkullonte nëpër rrjetet sociale (stafi i Youtube e fshiu pas 24 orësh, për shkak të përmbajtjes së saj ekstreme violente) e ku shihet një nxënëse teksa rrah një tjetër me përçmimin më të madh dhe mizor që njeriu mund t’i bëjë njeriut, nuk ka asgjë false.
Konstitucioni shpirtëror dhe moral i një shoqërie transmetohej “live” në fshatin global.
“Kujt po i thu k*r…, kujt po i thu nuk po i ec shkolla…”, me këto fjalë Duda i drejtohej nxënëses tjetër duke e dhunuar me nge!?
Derisa një tjetër po e filmonte si të ishte ajo ngjarje operë prej sapuni!
Vetëm se në këtë storie nuk bëhet fjalë për shkollën si institucion arsimor, por për “shkollën” maskuliniste që e trajton seksualitetin femëror si “show biz”, thjesht si para dhe fuqi.
Dhuna fillimisht ushqehet nga politika, e cila mobilizon masat dhe e cila pashmangshëm çon në kryengritje.
Pastaj vjen një klasë e re politike që veten e quan çlirimtare, ose revolucionare dhe kërcënon e vret kundërshtarë politikë, uzurpon prona publike dhe dikur e kap edhe shtetin.
Kjo dhunë e kudondodhur, në rrugë e kafene, në terrene sporti e institucione publike, në xhami e parti politike, njëherësh e shpërfaq fytyrën e vërtetë të shkollës, pra hartën mentale të shoqërisë kosovare.
Përderisa batakçinjtë kanë hipur në majat e shtetit dhe duan ta frikësojnë tërë një komb të tkurrur nga dhuna, shfaqjet e tilla si në videon (që është etikisht problematike edhe emetimi i saj nga disa media) e Dudisë dëshmojnë për sfondin e “normalitetit” të kësaj shoqërie, asgjë më shumë.
Sepse adoleshentët, ashiqare rrihen mes vete edhe në vendet moderne.
Por, në rastin kosovar dhuna simbolike që pushteti aplikon në shkollë përmes historiografisë dhe albanologjisë, si dhe në muzikë dhe monumente (heronj me sakica, AK-47, kobure etj.) është bërë ideologjia e vetme për mbajtjen e pushtetit.
Emri i personazhes së kësaj videoje koincidon me emrin e një kënge nga folklori shqiptar “Mori Dudë, mori Dudi…”, mirëpo ajo këngë i takon spektrit romantik, të dashurisë! Ndonëse shumica e folklorit shqiptar ndërtohet për dhe rreth dhunës.
Madje, nga “froni” folklorik përmbajtjet e dhunshme kanë zbritur edhe në repertorët e reperëve kosovarë.
Dudia e këtij tregimi është vërtet viktima edhe imazhi i shkollës kosovare!
Shkolla është një vend ku nxënësit shkojnë për të mësuar për të jetuar në bashkësi dhe për ta ndërtuar individualizmin e tyre.
Mirëpo, atë që e mundëson shkolla moderne – që secili nxënës të ketë mundësinë për të zhvilluar aftësitë e zgjidhjes së problemeve në një mënyrë të padhunshme, shkolla kosovare e inkurajon të kundërtën.
Qasja ndëshkuese nga ana e shkollave, për të zgjidhur problemet, po ashtu janë kundërproduktive.
Arsimtarët shpesh fajësojnë nxënësit për dhunë, por rrallë ose fare veten ose përmbajtjet e dhunshme që ata ua ligjërojnë.
Prandaj shkolla duhet të merret me burimin nga ku vjen dhuna dhe mbi të gjitha duhet ta ndërtojë në kontinuitet individin e lirë, që e di se liria e tij kufizohet me lirinë e tjetrit.
Sot Kosovës i duhet, si uji dhe buka, restaurimi i një komuniteti miqësor dhe solidar, ku jodhuna, por debati i argumentuar është çelësi për t’iu shmangur humnerës.
Edukatorët duhet të ndërtojë një mjedis të ndershëm dhe bashkëpunues që dekurajon dhunën nga marrëdhëniet mes adoleshentëve duke aplikuar sa më shumë përmbajtje mësimore që kanë për objektiv kombinimin e mjeteve për trajtimin e konflikteve dhe parandalimin e tyre.
Nëse qëllimi parësor i shkollës është arsimimi, nxënësit dhe mësuesit duhet mësuar për të zgjidhur konfliktet në një mënyrë të padhunshme, si dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre për pranimin e diversitetit, drejtësisë dhe paqes.
Paqja kudo në botë është arritur përmes aplikimit të dijes në artin e politikës, por edhe të ndershmërisë, e jo përmes përgjigjes dhunës me dhunë (sepse konfliktet e tilla do të zgjasnin përhershëm), si dhe përmes përmbajtjeve agresive në lëndët mësimore, në media etj.
Suksesi më kulmor i shkollës kosovare nuk do t’i shpinte nxënësit (studentët) në hapësirë, (sepse këtë punë e bën NASA), por që ata t’i shndërronte nga pengje të një historie të zorshme e të dhunshme, në qytetarë të padhunshëm.
Por a ka Kosova këso potencialesh?
Vështirë.
Koha më e përshtatshme për të trajtuar konfliktet është ajo e paqes, pra kur mbizotëron një gjendje jo përçarëse në një shoqëri dhe kur njerëzit nuk janë të frikësuar e të frustruar, të zemëruar me padrejtësitë sociale dhe para ligjit, e të përbuzur duke mos u krijuar mundësi për një vend pune.
Dhe kjo kohë në Kosovë nuk ka ardhur, sepse është penguar nga elitat politike!
Afërmendsh, ardhja e një kohe të tillë, jopërçarëse, këto kasta pushtetarësh do t’i mbante të izoluar nga shoqëria.
Në burgje!


