Milionat si kusur
Nga Ibrahim Rexhepi – Kanë të drejtë kandidatët për kryetar komunash që si garanci për realizimin e synimeve të tyre e kanë Hashim Thaçin. Qeveria e Kosovës i ka krejt paratë, ndërsa komunat nuk mund të paguajnë as pagat.
Shumë miliona po përmenden. Të duket sikur Kosova po noton në para e në begati. Prishtina mund të ketë në dispozicion 400 milionë euro, Mitrovica 130 milionë euro, Podujeva 80 milionë euro. Ky është vetëm fillimi. Deri në fund të fushatës parazgjedhore, nëse vazhdohet kështu, pa dyshim se “në qarkullim” do të futen miliarda euro.
Ndërkaq, në këtë kohë beteje për kokrra, u harruan milionat e përmendur para katër vjetësh, shumë premtime të dhëna kot, nuk flitet për papunësinë që u rrit, për varfërinë që po thellohet, e as për të rinjtë që po mbesin nëpër kampet e Hungarisë.
Pra, sërish ndodhemi në kohën e inflacionit të premtimeve, mosnjohjes së kompetencave dhe fuqisë së pushtetit lokal, por edhe të pafytyrësisë – se vota mund të merret edhe me premtime bosh, për mos me thënë me gënjeshtra.
Krejt kjo duket qartë kur kemi parasysh mënyrën se si qarkullon paraja publike në Kosovë. Secili cent nuk mund të shpenzohet pa nënshkrimin e kryeministrit, apo së paku të ministrit të financave, ndërkaq, kryetarët e komunave mund të llogaritin vetëm në pak milionë, të cilët mbesin si kusur nga buxheti qendror. Kjo duket qartë nga pasqyrat e buxhetit: Komunat në vjet shpenzuan afër 368 milionë euro, kurse sivjet do t’i kenë edhe 10 milionë euro më shumë. Mirëpo, asnjëherë nuk arritën që në arkën e tyre të mbledhin së paku një të pestën e kësaj shume.
Këto shifra dëshmojnë qartë se sa është potenciali i komunave dhe sa kanë mbulesë financiare premtimet që japin kandidatët që pretendojnë të marrin timonin e pushtetit atje ku janë kandiduar. Shifrat tregojnë qartë – kanë të drejtë kandidatët që garanci për realizimin e premtimeve të tyre e kanë askënd tjetër pos kryeministrin Hashim Thaçi, apo edhe vet kryeministri përmend qindra miliona të gatshëm të shpenzoj nëse fiton i preferuari i tij.
E çka do të ndodhë nëse fiton ai tjetri? Së pari, është e qartë se mbi paranë e grumbulluar në buxhetin qendror pronësi nuk ka asnjë mekanizëm institucional, por ajo i është dhënë në menaxhim Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këto para, ajo duhet t’ua kthej atyre që kanë paguar- tatimpaguesve. Prandaj, secila qeveri e përgjegjshme e ka parasysh këtë detyrim ndaj qytetarëve, pa marrë parasysh se cilës parti i takojnë ata. Po ashtu, ligji e ka dhënë formulën se si duhet të financohen shërbimet e domosdoshme publike – si arsimi e shëndetësia. Llogaritë bëhen për numër të banorëve, apo të nxënësve dhe në fund të muajit paratë dërgohen në konton e komunave. Ndërkaq, kur janë në pyetje projektet e tjera që lidhen me investimet kapitale, atëherë kryetarët e komunave duhet të bëjnë garë se kush po ofroj projekt më të mirë dhe më të arsyeshëm, që ai të hyjë në vijat buxhetore. Kuptohet, me kusht që vlerësimi të jetë korrekt. Duke mos dashur të merremi shumë me konstatimet e opozitës, se partia më e madhe në koalicionin qeverisës financiarisht ka përkrahur komunat ku e ka pushtetin, duhet thënë se për projekte kapitale nuk ka ndonjë kriter të caktuar se ku duhet investuar. Krejt puna shkon në stilin “kush është më i forti”, e jo se kush ka projekt më të arsyeshëm dhe që sjell të mira për banorët së paku të një komune.
Kandidatët për kryetar komunash, të preokupuar vetëm me votën dhe fitoren, harrojnë kompetencat dhe fuqinë financiare që kanë. Pos shumës së parave, ata flasin edhe për projekte rajonale – si janë sistemet për sigurimin e ujit për pije, premtojnë aktivizimin ndërmarrjeve shoqërore, kurse harrojnë ndërmarrjet e shërbimeve efikase, flasin për zonat ekonomike, ndërsa nuk e kanë ndërmend të bëjnë diçka më shumë për të rritur efikasitetin e administratës komunale, në mënyrë që bizneset të mos presin me muaj për një letër, garantojnë punësim, ndërsa harrojnë të përmendin se mundësitë për rritjen numrit të punëtorëve në administratë janë të limituara nga shuma e parave që vijnë nga lartë, ndërsa për punësim në sektorin privat duhet një ambient më i shëndoshë dhe më atraktiv, të cilin nuk mund ta bëjë vetëm pushteti lokal.
Është e kuptueshme se për të fituar votën, elektoratit duhet dhënë një arsye pse pikërisht ai duhet të jetë kandidati i zgjedhur. Por, të premtohet ajo që s’ka lidhje me pushtetin lokal, nuk mund të jetë asgjë tjetër por mosnjohje e mënyrës së ndërtimit dhe të funksionimit të pushtetit në Kosovë. Ndërkaq, ai që nuk ka këtë njohuri elementare për shtetin, nuk e meriton as votën.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)


