KKVITI

E vërteta e 3 nëntorit

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Blerim Shala – Prej zgjedhjeve të para lokale, të vitit 2000, deri ato të fundit, të vitit 2009, ka ndodhë rënia e interesimit të qytetarëve për të votuar dhe ka rënë cilësia e organizimit të tyre.

Fushata për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, të pestave në Kosovë prej çlirimit e këtej, të dytave prej se Kosova u bë shtet i pavarur, ka nisë me të njëjtën qasje, me të njëjtin model, me të njëjtin diskurs politik si edhe fushatat për zgjedhjet e mëparme për qeverisjen lokale.

Vetë ky konstatim, i cili vështirë që mund të mëdyshet, shfaqet si një vendnumërim i demokracisë në Kosovë. Në ndërkohë, prej zgjedhjeve të para lokale, të tetorit të vitit 2000, deri ato të fundit, të mbajtura në nëntorin e vitit 2009, ka ndodhë rënia e interesimit të qytetarëve për të votuar dhe ka rënë, vazhdimisht, cilësia e organizimit të tyre. Ky vlerësim, i cili në masë të madhe bashkon skenën politike kosovare, shpërfaqet si një degradim i demokracisë në Kosovë.

Sidoqoftë, nga pikëshikimi i sotëm së paku, mund të thuhet që ka gjëra që nuk mund të ndryshohen për pak ditë a javë të fushatës zgjedhore, dhe ka të tjera, ndryshimi i të cilave jo që duhet të ndodhë, por që është kusht pa të cilin nuk bën poqëse synohet mëkëmbja e demokracisë në Kosovë.

Zgjedhjet e 3 nëntorit, duhet të organizohen si duhet, duhet të jenë përkthim i qind për qindtë i vullnetit të shprehur të qytetarëve të Kosovës në legjitimitetin qeverisës në nivelin e komunave të Kosovë, në të katër anët e saj. Një gjë e tillë, nuk mund dot të arrihet me praninë e njëqind vëzhguesve të BE-së, apo edhe të dhjetëra të tjerëve të ambasadave perëndimore që do të shpërndahen nëpër qendrat e votimit të Kosovës.

Këta vëzhgues mund vetëm të konstatojnë se çfarë pune kemi bërë, ku kemi gabuar (nëse po), çfarë duhet bërë tash e tutje për t’i pasur zgjedhjet më cilësore. Por vetëm ne mund të garantojmë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Ne, këtu ka domethënien mbi të gjitha të subjekteve politike, të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), të komisionerëve lokalë. Konkludimi i parë që ngritë kokë në këtë rast është që një ‘Ne’ i kësisojt, i përbashkët në vlerësime dhe në zotim, nuk ekziston aktualisht në Kosovë. Për më shumë, një ‘Ne’ i këtillë, nuk duket cak i arritshëm në ditët dhe javët vijuese.

Shkaqet janë të shumta. Shumë prej tyre tashmë janë të njohura për qytetarët e Kosovës. Megjithatë, me një vullnet të sinqertë politik, dhe nëse njëmend tek të gjithë akterët e kësaj ndërmarrjeje të madhe politike mbizotëron bindja (ashtu siç po shprehet prej tyre), që demokracia në Kosovë do të kërcënohet në palcë nëse përsëritet turpi i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010, teposhtëza e madhe në organizimin e zgjedhjeve do të mund të ndalej.

Në të kundërtën, do të ballafaqohemi me një rrëmujë pas-zgjedhore politike, shumë më të rëndë, shumë më të rrezikshme se sa ajo që doli në shesh në dimrin e viteve 2010/2011. Humbës do të ketë gjithqysh në këto zgjedhje. Ashtu si edhe fitues. Humbësit, nëse zgjedhjet nuk do të jenë të rregullta, do të kenë justifikim për të mos i pranuar ato. Mbase, do të ketë humbës që nuk do ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve edhe nëse SHBA-ja vetë do t’i organizonte zgjedhjet. Por së paku, në atë rast, ata humbës nuk do ishin në gjendje të cenojnë qëndrueshmërinë e votimit të 3 nëntorit.

Hidromorava

Fushata zgjedhore, edhe kësaj here, siç e dimë, do të zgjatë 30 ditë. Shumë, tepër shumë. Çfarë do të mbërrihet me këtë kohëzgjatje të fushatës është që qytetari i rëndomtë i Kosovës do të lodhet, do të mërzitet, do të frustrohet edhe më shumë prej politikës kosovare, me të cilën, edhe ashtu, nuk i ka marrëdhëniet e mira. Nuk ka besim të mirëfilltë të tij, as tek politika dhe as tek politikanët e Kosovës. Nuk ka dyshim që fushata do të duhej të reduktohet në 15 ditë. Nëse për 15 ditë nuk je në gjendje ta bindësh dikë për të të votuar, këtë nuk e bën dot as për 150 ditë të tjera. Modeli i fushatës poashtu është vjetruar, është shterur. Tubimet paraelektorale, me një masë të grumbulluar e cila duhet të lë përshtypje që një subjekt politik ka përkrahje të madhe, me fjalime të zjarrta, të cilat thuaja gjithmonë huqin substancën e këtyre zgjedhjeve, me pikat muzikore, duhet t’i takojnë të kaluarës politike në Kosovë. Por, aktualisht, ky është vetëm një iluzion.

Emancipimi i politikë dhe i politikanëve kosovarë do të pret edhe një kohë. Në këtë fushatë, siç u kuptua tashmë prej javës së parë të saj, do të ndodhë rrebeshi i premtimeve të mëdha, të cilat duhet të joshin qytetarin që letrën e tij me vlerë, çfarë është vota, ta ofrojë në konton e një kandidati për kryetar të komunës apo të të propozuarve për anëtarë të Asambleve komunale. Këto premtime janë rëndom, çek pa mbulesë.

Së pari, bëhen premtime në fusha dhe në projekte të cilat nuk janë fare kompetencë e autoriteteve lokale.

Ta zëmë, garantohet 24 orë rrymë, e dihet se furnizimi me rrymë nuk bie në detyrat / mundësitë e qeverisjes lokale.

Së dyti, edhe kur bëhen premtime që dalin nga mandati i Kryetarit të komunës, ato janë krejtësisht të kota prej një kryetari në detyrë, madje me dy mandate, i cili jo që nuk ka përmbushë premtimet e vitit 2007, me të cilat i ka fituar zgjedhjet, por as që ka ofruar arsyetimet për dështimin në jetësimin e tyre.

Së treti, këto premtime rëndom bëhen pa treguar se si do të sigurohen mjetet financiare për realizimin e tyre.

Natyrisht, nuk duhet pritë shumë racionalitet, saktësi dhe maturi në një fushatë. Politika në këto raste është një zonë e hirtë, kthjellimi i të cilës nisë të ndodhë tek në ditën e zgjedhjeve, për të marrë trajtën e mirëfilltë në muajt dhe vitet e një qeverie lokale.