Fundamenti

“Hajgaret” e “mësuesit”

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Naser Sertolli – “Po, unë jam (kryepersonazhi)”. Kështu i qenka përgjigjur Valon Asllani pyetjes së një televizioni tonë nëse është autentik një video-incizim, të cilin e kishte transmetuar kanali një natë më parë. “Kam ba hajgare”, paska qenë përgjigjja e radhës kur është pyetur nëse vërtet, ashtu siç shihej në video, i ka shqelmuar dhe fshikulluar dy njomakë, të cilët, sikur edhe shumë të tjerë, i ishin besuar t’ua mësonte “zanatin” e futbollit.

A thua edhe sa herë të tjera “mësuesi” ka bërë “hajgare” të ngjashme? Kush e di edhe sa herë ka goditur me shqelma e me shtagë këta fëmijë që nuk mund të bënin si duhet e sa pompa kërkonte trajnuesi i tyre në shenjë ndëshkimi për ndonjë problem çfarë mund të bëjë takati i një 5 – 6-vjeçari.

Përgjigjen e saktë mund ta japin vetëm viktimat dhe shokët e tyre. Por, ajo që mund të thuhet pa fije droje është se kjo duket të mos ketë qenë hera e parë as e fundit e keqtrajtimit fizik të vogëlushëve nga ai që në vend të shqelmave do të duhej t’u mësonte si të zotëronin dhe të manovronin më mirë topin.

Pamjet jo pak tronditëse më rikujtuan një ngjarje të tillë të hidhur, për të cilën më pat rrëfyer një mik. Me një koleg të tij, miku kishte lënë një takim me një drejtues të një institucioni parashkollor.

Pasi kishte marrë lejen nga drejtuesi, roja i kishte lejuar të hynin. Teksa po shkonin korridorit për te zyra, në një kthinë kishin hasur në dy edukatore, të cilat i kishin skajuar tre fëmijë, të cilëve ua kishin bërë all fytyrat me shuplaka.

FIDANISHTJA

Kurrë s’do më hiqen nga mendja ata fëmijë të tmerruar, por as edukatoret, të cilave gati sa nuk u ra të fikët kur na panë, meqë menduan se jemi prindërit e ndonjërit prej fëmijëve, apo edhe ndonjë pjesëtar i forcave të rendit, që i zumë me “presh në dorë”, më thoshte miku. Nuk po jua them edhe atë që i ka mbetur merak mikut për atë që nuk e kishte bërë ndaj atyre që gjithçka mund të ishin përveçse edukatore.

Raste si ky i “mësuesit” të futbollit apo ai i edukatoreve nuk janë dhe nuk mund të jenë të vetmet në shoqërinë tonë. Mbase secili prej nesh mund të ketë përvojë ose të ketë dëgjuar për dhunën fizike dhe psikike të ushtruar ndaj fëmijëve në çerdhe, shkolla apo klube të ndryshme. Problemi është se këto sjellje nuk bëhen publike, as nuk raportohen te organet adekuate.

Bile heshtet edhe nga prindërit e fëmijëve që janë viktimë. Ndonjëri e heshtë nga frika se dhuna ndaj pasardhësit të tij mund të rritet, ngaqë nuk ka ku tjetër ta çojë ose t’ia ndërrojë institucionin arsimor, e të tjerët e lënë me shpresën se dhunuesi do të ndeshet në ndonjë “hundëlesh”.

Si fenomen, dhunimi fizik e psikik në shkolla është trajtuar pak. E aq më pak jemi marrë me atë se kush në të vërtetë janë ata që po u japin dije fëmijëve tanë. Cili është profili i tyre? A marrin erë nga pedagogjia? A kanë të dhënë bile një provim të vetëm nga fusha e edukimit, e mësimdhënies, sidomos për fëmijët?

E pamjet me fëmijë të përgjakur e të tmerruar nuk do të ndalen përderisa institucionet kompetente të nivelit qendror nuk do të merren me seriozitetin më të madh me luftimin e dukurisë së mësimdhënësve sharlatanë. Çifti i Valon Asllanit do të vazhdojë të bëjë “hajgare” me nxënësit e tij. Duke i shqelmuar e fshikulluar, natyrisht.