Uji Dea

Vota dhe pagat

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi- Qeveria e Kosovës në mot ka mundësi t’i rritë pagat vetëm 2,8 për qind, nëse iu përmbahet dokumenteve që vet i ka miratuar-KASH-it!

E saktë është ajo që thotë ministri Besim Beqaj – pagat do të rriten. Kur dhe sa, kjo mbetet të shihet më vonë. Deklarata e ministrit përmban një realitet, meqenëse do të ishte absurd po qe se ai deklaron se nuk do të këtë rritje të pagave, apo zvogëlim të tyre. Kjo do të dëshmonte krizën buxhetore, përkatësisht pamundësinë e pagesave nga buxheti i vendit.

Krejt dilemat rreth pagave dalin prej dika tjetër- a ishte ky momenti më i përshtatshëm për të proklamuar rritjen dhe si ka mundësi të ndodhë kjo kur asnjë indikator nuk jep optimizëm se buxheti do të notojë në ujëra të qeta.

Sa i përket momentit, janë dy çështje që arsyetojnë angazhimin që përfituesit nga buxheti në mot të shpresojnë për fitime më të mëdha nga kontrata e punës. Së pari, është koha kur përgatitet buxheti për vitin 2014 dhe moment më i volitshëm që të bëhen kalkulimet për mundësinë e rritjes së paga. E dyta, kjo deklarata u dha në praninë e “inspektorëve” të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët ishin pajtuar që të rriten shpenzimet për paga dhe mëditje. Mirëpo, është një moment tjetër, i cili krijon bindjen se ky premtim ka hile- është i lidhur me fushatën parazgjedhore dhe bëhet në stilin “na paratë, ju votën”. Kjo dëshmon se sërish do të përdoret mekanizmi i para tri vjetëve, kur pagat u rritën me normën që nga aspekti ekonomik nuk kishte asnjë logjikë- deri në 50 për qind.

Kjo mund të ndodhë edhe sivjet, pa marrë parasysh se pos nevojës që njerëzit të kenë më shumë para, nuk ka asnjë argument tjetër ekonomik që arsyeton një rritje me një normë dyshifrore.

FIDANISHTJA

Për këtë ka mjaft fakte. E para, asnjë dokument që prezanton vizionin afatmesëm të qeverisë nuk parasheh ndryshimet mëdha te kategoria e pagave dhe mëditjeve. Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2014-2016 , në mot ndryshimi i shpenzimeve nga kjo kategori, krahasuar me projeksionin e vitit 2013 është vetëm dy milionë euro. Në këtë dokument në mënyrë shumë të qartë thuhet se “rritja më e lartë e kësaj kategorie të shpenzimeve shënohet në vitin 2014 prej rreth 2.8%, si vazhdimësi të reformave të planifikuara”. Pra, ky dokument i rëndësishëm për politikat fiskale nuk parasheh rritje të pagave. Mirëpo, kjo qeveria deri më tash ka dëshmuar se asnjëherë nuk iu përmbahet dokumenteve që miraton, por vepron në bazë të interesave ditore. Qoftë edhe duke injoruar arsyen ekonomike.

E dyta, nuk ka asnjë indikacion se ekonomia e vendit në të ardhmen do të ketë rritjen më të madhe. Të përkujtojmë se vjet prodhimi i brendshëm u rrit 2,5 për qind, apo aq sa ishte edhe norma e inflacionit. Sipas ecurisë së çmimeve del se nuk ka pasur rritje reale. Po ashtu, vëllimi i eksportit, si njëri prej treguesve real, nuk dëshmon për këndellje të prodhimit. Ndonëse ai në fund të korrikut u rrit 5 për qind, por në strukturën e tij nuk kishte asnjë ndryshim. Dominon skrapi dhe minerale – 67.7 për qind. Ndërkaq, nuk ka produkte me një shkallë më të lartë të finalizimit.

Ecuria e importit sikur paralajmëron rënien e të hyrave buxhetore nga kufiri, ku mbështet arka e shtetit. Kjo njëherit tregon se është dobësuar fuqia blerëse e kosovarëve. Ndoshta këtu qëndron dhe njëra prej arsyeve pse qeveria mendon seriozisht për rritjen e pagave. Me këtë ajo synon të stimuloj konsumin, i cili do të ndikoj në rritjen e importit. Ndërkaq, sa më shumë mallra të huaja në tregun brendshëm, aq më shumë do të ketë të hyra nga kufiri. Mirëpo, kjo filozofi mbytë prodhimin vendor, dhe përgjithësisht edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Por, është edhe një aspekt tjetër i këtij problemi. Nuk ka dyshim se arritja e një marrëveshje me FMN-në qeverisë i krijon një ambient më relaksues. Madje edhe të dalë me deklarata se do të përmbushë të gjitha parashikimet, si ato për rritje të pagave, ashtu dhe për fillimin e autostradës së re, pa marrë parasysh se a do ët shitet PTK-ja, apo jo. Prapa këtij vetëbesimi qëndron rreziku serioz për stabilitetin buxhetor. U tha se rezerva buxhetore duhet të mbahet në 2 për qind të BPV-së, ose, thënë më shkurt- aji duhet të jetë rreth 100 milionë euro, bazuar në nivelin e BPV-së në vitin 2012. Guximi i qeverisë për deklarata të këtilla optimiste nuk mbështet askund tjetër për në nivelin tejet të ulët ët rezervës buxhetore, si edhe vëllimin më të vogël të investimeve në infrastrukturë pas përfundimit të Rrugës së Kombit. Mirëpo, shpenzimi i parasë publike vetëm për paga dhe asfalt nuk i sjell prosperitet ekonomik vendit. Bazuar në këtë qëllimi është i qartë – para për votë. Deri në zgjedhjet tjera.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)