Hidromorava

Kujtimet e Tony Blair: Intervenimi në Kosovë ishte çështje etike!

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Nga Enver Robelli – “Rruga ime” – ky titull është vendosur në kujtimet e Tony Blairit, kryeministrit të Britanisë së Madhe, i cili ndryshoi politikën e Londrës ndaj Ballkanit dhe bëri hapa vendimtarë për të shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja.

Pas leximit të kujtimeve të Tony Blairit nuk ka asnjë dilemë: pa këtë politikan britanik Kosova sot do të ishte një arenë kriminelësh serbë që do të ziheshin mes vete duke ndarë pasurinë e shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë – disa në fusha Anadolli, disa në vendet perëndimore. Në kujtimet e tij prej 800 faqesh (të cilat mbajnë titullin “Rruga ime”), Blairi i bën një bilanc jetës së tij si zoon politikon, si krijesë politike dhe sociale – prej kohës kur ishte funksionar lokal i Partisë Laburiste deri te adresa prominente e Londës: Downing Street 10, ku që nga viti 1905 gjendet selia e kryeministrit të Britanisë së Madhe. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kishte shkruar se kujtimet e Blairit në disa pjesë lexohen si të ishin pledoaje e një avokati, i cili dëshiron ta bindë gjyqin për pafajësinë e klientit të tij dhe këtë synon ta bëjë më pak nëpërmjet elokuencës dhe më shumë përmes argumentimit me pasion dhe vetëbesimit.

Katër luftëra

Pasioni dhe vetëbesimi. Këto s’i kanë munguar asnjëherë Tony Blairi. Dhe kjo vërehet sidomos në kapitullin ku shpjegon rolin e tij në luftën e Kosovës, kur ai ishte ende një kryeministër i freskët në detyrë dhe, siç e pranon hapur, nuk dinte pothuaj asgjë për politikën e jashtme. Fushata zgjedhore e vitit 1997 kishte qenë e përqendruar në politikën e brendshme dhe Blairi s’kishte menduar se gjatë mandateve të tij si kryeministër Britania e Madhe do të hynte në katër luftëra. Duke parë zhvillimet në Kosovë, rrezikun e shpërthimit të një konflikti me pasoja për gjithë rajonin e Ballkanit, Blairi potencon domosdoshmërinë e ndërhyrjes nga jashtë, në rastin konkret ndërhyrjes nga NATO-ja. Ai thotë se pikëpamja tradicionale e politikës së jashtme, e cila bazohet në interpretimin e ngushtë të interesave kombëtare, është e gabueshme dhe e tejkaluar. “Tamam si William Gladstone, burrështetasi i madh i shekullit 19-të, unë e quaj atë madje të pamoralshme; por edhe sikur të mos ishte kështu, jam i bindur se politika e jashtme tradicionale nuk funksionon në prag të shekullit 21”.

Blairi nënvizon se për të konflikti i Kosovës kishte qenë një përvojë prej së cilës kishte nxjerrë shumë mësime. Si kryeministër ai s’kishte dilemë se në Kosovë kishte nisur një fushatë e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Këtë konflikt, shton ai, bashkësia ndërkombëtare ishte e interesuar ta hiqte nga titujt e gazetave përmes çfarëdolloj dakordimi. “Synohej të paqësohej regjioni, jo të zgjidhej konflikti”, shkruan Blairi. Ky ishte mësimi i parë. I dyti: “Unë që nga fillimi në mënyrë këmbëngulëse u angazhova për zgjidhje ushtarake. Në retrospektivë shoh se jam angazhuar kryekëput për zgjidhje, jo për paqësim”. Mësimi i tretë: në konfliktin e Kosovës dolën në sipërfaqe aftësitë dhe dobësitë e Europës, e cila ishte brilante në formulimin e deklaratave që tingëllojnë bukur, të cilat mandej avulloheshin sapo të bëhej e qartë konsekuenca e zbatimit të tyre.

Zemërimi si motiv

Mobi Casa

Ndërhyrjen në Kosovë Blairi e konsideron në përgjithësi “çështje etike” të ndikuar edhe nga mosangazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në luftën e Bosnjës. “Motivi im më i rëndësishëm, ndërkaq, ishte zemërimi ndaj asaj që ndodhte atje (në Kosovë, v.j.), shkruan ish-kryeministri britanik. Në këtë bindje e kishte forcuar vizita që ua kishte bërë kampeve me refugjatë nga Kosova në Maqedoni. Blairi e pranon se ishte paksa i izoluar në mesin e kryetarëve dhe kryeministrave të vendeve evropiane për shkak të këmbënguljes që prej ndërhyrjes me avionë luftarakë të kalohet në marshim me trupa tokësore për të flakur forcat serbe nga Kosova. Në këtë situatë ai kishte filluar ta “përpunonte” presidentin amerikan Bill Clinton, i cili po ashtu ishte kundër ndërhyrjes me trupa tokësore dhe e kishte gjithnjë e më vështirë t’ia shpjegonte opinionit amerikan se çfarë interesash kishte Washingtoni në një rajon ballkanik që vuante nga dukuritë e atavizmit. Blairi e quan Clintonin politikanin më mbresëlënës që kishte takuar ndonjëherë, një “mendimtar brilant” dhe me talent të jashtëzakonshëm në pazarin e përditshëm të politikës. “Ai ishte një njeri madhështor, një president i mirë dhe para së gjithash ishte mik imi. Unë jam lojal ndaj miqve të mi, nganjëherë ndoshta pak më shumë”, shkruan Blairi. Pas shumë bisedave ai kishte arritur t’ia shpjegonte presidentit amerikan domosdoshmërinë e kërcënimit të Serbisë me trupa tokësore, sepse vetëm kështu Aleanca perëndimore do të ishte e besueshme.

Një front tjetër ku Blairi kishte dhënë kontribut të madh ishte NATO-ja, e cila në fillim të luftës së Kosovës s’kishte “infrastrukturë mediale”, e cila ishte e nevojshme për një luftë që zgjonte interes të madh në mbarë botën. Ishte luftë premierash: NATO për herë të parë po intervenonte në një konflikt ndërkombëtar, në të cilin nuk ishte i involvuar asnjë vend anëtar i saj, për herë të parë po zhvillohej një luftë për të drejtat e njeriut, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania po hidhte bomba, madje në Ballkan, ku forcat e Hitlerit kishin kryer krime të llahtarshme.

Naiviteti i D’Alemas

Në kulmin e luftës, kur dukej se gjithçka kishte stagnuar dhe s’shihej fundi, Blair kishte menduar të largohej nga posti. Një shtegdalje ishte gjetur duke e dërguar në selinë e NATO-s Alastair Campbellin, drejtorin për komunikim dhe strategji në kabinetin e Blairit. Për disa javë Campbelli do të ndërtonte infrastrukturën mediale me të cilën NATO-ja paraqitej si forcë këmbëngulëse në synimet e saj për ndërprerjen e fushatës shfarosëse të liderit serb Slobodan Milosheviq në Kosovë. Brenda Aleancës uniteti nuk ishte aq i fuqishëm siç demonstrohej ndaj opinionit publik falë dorës së Campbellit në relacionet publike. Për shembull, kryeministri italian Massimo D’Alema kërkonte që bombardimet të ndaleshin për 48 orë për të testuar nëse Milosheviqi do të pranonte një marrëveshje. Blairi e quante këtë qasje naive dhe kishte arritur me sukses ta pengonte.

Kur lufta faktikisht kishte përfunduar për pak kishte shpërthyer një konflikt tjetër, kësaj radhe mes rusëve dhe britanikëve. Pasi ishte vendosur që në Kosovë të stacionohej një trupë paqeruajtëse ndërkombëtare, trupat ruse në Bosnjë ishin ngutur të mbërrinin në Kosovë para trupave britanike. Rusët kishin marrë nën kontroll Aeroportin e Prishtinës. I zemëruar pa masë komandanti i NATO-s, Wesley Clark, kishte urdhëruar gjeneralin britanik Mike Jackson të luftonte kundër rusëve. Kundër të gjitha rregullave Blairi i kishte telefonuar Jacksonit dhe e kishte porositur ta prolongonte zbatimin e urdhrit. Pas matjes së muskujve në Aeroportin e Prishtinës rusët dikur u dorëzuan dhe gjithçka përfundoi pa pasoja. Megjithatë, Boris Jelcini e kishte përjetuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si poshtërim të Rusisë. Blairi kujton një takim me Jelcinin pas përfundimit të luftës së Kosovës. “U gëzova që dëshironte të më përqafonte, sepse kjo sinjalizonte se ngatërresa ishte tejkaluar dhe tani mund t’iu përkushtoheshim temave të tjera. Më hodhi krahët. Dhjetë sekondat e para m’u dukën gjithsesi miqësore. Dhjetë sekondat e ardhshme dalëngadalë u bënë të pakëndshme. Në dhjetë sekondat vijuese kisha problem me frymëmarrjen. Pas gati një minute më lëshoi dhe unë u largova i trullosur në kërkim të një pije të fortë. Besoj se ai e bëri shumë të dukshëm qëndrimin e tij”.

Kur shkruan për rolin e tij në konfliktin e Kosovës, Blairi tingëllon bindshëm. Më pak i tillë ai tingëllon kur shkruan për rreshtimin e tij përkrah George W. Bushit në luftën kundër Irakut, një luftë e nisur me informata të rrejshme, e cila përfundoi me diskreditimin e Amerikës në botën arabe.