ARKATANA

Uragani i shijes së hollë artistike

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Ramiz Kadriu, “O ti zog këngëtar”, Botoi autori, shtypi x-print, faqe 86, Prishtinë, 2013.Ramiz Kadriu, poet tanimë i penës së mprehtë artistike, na vjen me përmbledhjen e re poetike “O ti zog këngëtar”. Jeta e tij e fëmijërisë dhe e rinisë në vendlindje, më pas edhe puna shumëvjeçare me nxënës, atje ku gurgullon ujët e ftohtë, ku jehon fyelli i bariut dhe teli i çiftelisë, atje ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë, atje tek rrah zemra për jetë e mot, këto janë edhe motivet artistike në vargun e tij poetik.

Poetit sikur i ka mbetur peng edhe shumëçka për atje, për vendin e ëndrrave të fëmijërisë, andaj përpiqet që këtë porosi t’ua përcjellë brezave të rinj nëpërmjet poezive të tij, në të cilat e gjejnë veten të gjithë nga pak, të rinj e të vjetër, të vegjël e të mëdhenj.

Malli për vendlindjen e tij, përkatësisht për Tupallën dhe krejt vendbanimet rreth e rrotull bëhen një ebecedë e krijimtarisë së tij, në të cilën patjetër i nënshtrohet ndikimit të rilindësve tanë, ndoshta në këtë rast më tepër atij shirokian. Këtë e ilustrojnë më së miri vargjet:

Fluturo qiellit të kaltër
Përshëndet me krah çdo vatër
Fluturo drejt meje, eja
Ç’ke parë m’trego para se t’bjerë rrezja
(“O ti zog këngëtar”)

Por, angazhimi artistik i poetit mbetet kalitja, edukimi, formësimi dhe rrita e shëndetshme e krijesave të njoma, andaj duket se krejt poenta e tij është e orientuar në atë drejtim.

Atë e gëzon dhe e motivon çdo gjë e mirë, e nxit dhe e forcon çdo sukses dhe rezultat, madje edhe një buzëqeshje çuni a çupe, ndërkaq e brengos fati i vendlindjes, fushat e malet e braktisura, oxhakët pa tym, arat pa grurë, lumi pa gurgullimë.
Vargjet në vijim sikur janë një vaj që buron nga damarët e zemrës, ose nga mjerimi migjenian:

Male e fusha
Valojnë posi det
Pa bujq e bagëti
Bukuri që vret
(“Bukuria që vret”)

Por, motivet artistike e kanë burimin edhe nga visari ynë i gjerë popullor, i cili herret nga ai me kujdes dhe në mënyrë të përkryer, për të krijuar vargje me fuqi të aforizmave dhe sentencave poetike, shpesh me qëllime dhe efekte të caktuara, si për shembull edukative, sikur vargjet në vijim:

Fjala e mirë
Është si mjalti
Si rrezja e diellit
Prej së larti
(“Fjala e mirë”)

Hidromorava

Në këtë kërkim për krasitjen e vargut, që vërehet prej vargut në varg, prej përmbledhjes në përmbledhje, poeti Ramiz Kadriu është bërë sinonim i vargut të butë, i vargut këshillues, i vargut shpresëdhënës dhe moralizues. Natyrisht, ai nuk mund t’i shmanget dot as humorit të lehtë, virtyt ky i tij i përjetshëm, por i cili është edhe shprehur edhe në folklorin tonë popullor.

A vjen nuse të shkojmë n’gosti
Po nënë po se gjithë s’mund të rri
(“Nusja”)

Këtë humor nganjëherë e shoqëron edhe cinizmi i lehtë, por gjithnjë në funksion moralizues:

Këndoi pula sikur gjeli
por pa kokë qafa i mbeti
(“Këndon pula”)

Fjala e urtë popullore thotë se vaji i burrit është kënga, ndërkaq ne do të thoshim se zhgënjimi i poetit është krijimi i mirëfilltë, fuqia artistike, vepra monument që nuk njeh kohë as hapësirë, që i mbijeton çdo kohe e çdo stuhie, çdo regjimi e çdo diktature.

Mësuesi dhe poeti Ramiz Kadriu me jetën dhe veprën e vet mbetet shembulli më tipik i një njeriu të çiltër dhe punëtor i një province, i cili kontribuoi me tërë mendjen dhe aftësinë e vet që ajo të mbetet e skalitur thellë në mendjen dhe zemrën e njerëzve që për arsye të ndryshme e kanë braktisur atë. Thënë ndryshe, ai mbetet një legjendë e kësaj treve të vogël që ka lindur njerëz të mëdhenj, të cilët nuk do t’i mbulojë dot kurrë pluhuri i harresës.

BIOGRAFIA E AUTORIT

Ramiz Kadriu lindi më 3 korrik 1952, në Tupallë të Medvegjës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërkaq të mesmen dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan. Prej vitit 1974 punoi në procesin edukativo arsimor në Tupallë dhe në Banjë të Siarinës. Për punën e dalluar u shpërblye me mirënjohje të shumta. Deri më tani ka botuar këto vepra: “Vendlindja në mua”, (1994); “Vallja e zemrës sime”, (1995); “Ora e bjeshkës”, (1995); “Lulebora”, 1996; “Këngë dasme nga Jabllanica e Epërme e Medvegjës, (1998); “Ku na mbetën trojet tona”, I, (2000); “Ku na mbetën trojet tona”, II, 2000, “Këngë dasme dhe këngë djepi të trevës së Medvegjës”, 2001, “Toka jonë”, ditar, (2003), “Shtigjeve të diturisë”, (2004), “Aromë dhe freski” 2005 dhe “Në rrugën e fundit”, novelë (2007).