E pse në protestë
Nga Ibrahim Rexhepi – Sindikatat e punëtorëve të Kosovës (nëse ka) gjithmonë kanë arsye që të protestojnë. Mirëpo, është e pakuptueshme pse kjo duhet të ndodhë më 29 maj. Ndoshta vetëm për të korrigjuar gabimin që ka ndodhur më 1 maj.
Vjet në sektorin minierave kanë ndodhur 108 raste të lëndimit në punë, prej të cilave dy kanë qenë fatale, një në minierën e Stantërgut dhe një tjetër në veri- në atë të Cërnacit. Është për se numri më i madh i lëndimeve ka ndodhur në ndërmarrjet që ende janë në pronësi shoqërore, apo publike, krahasuar me ato private.
Kështu, vjet ka ndodhur vetëm një lëndim i lehtë në “Ferronikel”, ndërsa në “Sharrcem” asnjë, ndërkaq në “Trepçë” dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës gjithsejtë 106 raste. Shkaktarët nuk kanë ndryshuar me vite – gjendja jo e mirë teknike e pajisjeve dhe stabilimenteve, pakujdesia dhe neglizhenca, përdorimi i pamjaftueshëm i mjeteve mbrojtëse dhe mungesa e njohurive dhe aftësimi i pamjaftueshëm profesional. Duke pasur parasysh natyrën e punës në miniere, qoftë nëntokësore, apo sipërfaqësore, është e pakuptueshme se pse minatorët ende kanë të rrezikuar jetën për shkak të mosveprimit të mekanizmave për veprim preventiv. Nëse dihet gjendja jo e mirë teknike- atëherë pse minatorët duhet të futen në ambiente të punës nëse ka rreziku, nuk duhet toleruar neglizhencën dhe mospërdorimin mjeteve të punë. Për këtë ka njerëz që marrin pagë, si brenda ndërmarrjeve, ashtu edhe në kuadër të inspeksioneve. Por, duket se mungon kontrolli dhe evitimi me kohë i të gjithë shkaktarëve që mund të paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Se ku ka kontroll gjërat mund të ndryshojnë dëshmon rasti i “Ferronikelit”. Kjo kompani, e cila është në pronësi të investitorëve të huaj ishte në shënjestër të inspeksioneve të ndryshme, pas ankesave të punëtorëve për shkallën e lartë të rrezikut. Për të evituar mundësitë që të pësojnë punëtorët, por edhe të ndërtojë raporte korrekte me inspeksionin e gjykatat, investitorit i është dashur të shpenzojë bukur shumë para. Kështu, sa i përket sigurisë në punë, kjo kompani mund të jetë shembull, ndonëse, për shkak të natyrës së punës as këtu nuk përjashtohet mundësia se dikush mund të pësojë duke punuar. Por, nga raporti i KPMM-së del se vjet këtu nuk ka pasur asnjë të lënduar.
Çështja është shumë e qartë- për sigurinë e punëtorëve kërkohet monitorim i përhershëm dhe kërkesa shuam të qarta sa i përket arritjes së standardeve për siguri. Posaçërisht pse këtu bëhet fjalë për jetën e punëtorëve, apo për rrezikun nga invaliditeti i përhershëm. Kjo është punë e inspeksioneve, të cilët nuk duhet të bëjnë dallime ndërmjet kompanive “të huaja” dhe “vendore”. Punëtori është i njëjtë në secilën prej tyre, ndërsa ky mekanizëm ka përgjegjësi të intervenoj kudo që vëren se ka rrezik- madje ta ndërprenë prodhimin, apo të inicioj suspendimin licencave dhe të lejeve të punës.
Këtu, ka vend edhe për sindikatat, të cilat të mërkurën do të dalin në protestë, ndër tjerash edhe për të kërkuar siguri më të madhe për punëtorët. Me plot arsye. Mirëpo, BSPK-ja, si organizatore e protestës duhet ta ketë të qartë- kundër kujt po proteston: kundër mekanizmave shtetëror që nuk monitorojnë kompanitë që nuk janë në pronësi publike e shoqërore, kundër mosfunksionimit të mekanizmave për preventivë nëpër kompani, kundër menaxhmentit që i dhimbsen paratë ( apo edhe nuk ka) që të investoj në mbrojtje dhe siguri, apo kundër anëtarësisë së saj ( punëtorëve), që nuk i përmbahen rregullave për siguri? Të gjitha këto janë një kompleks i problemeve që nuk zgjidhen vetëm me një protestë, por duhet presion i vazhdueshëm, ashtu që të mos pësoj asnjë punëtorë.
Por, duke pasur parasysh ambientin sindikal, protesta ka qëllime të tjera: të korrigjohet gabimi i 1 majit, kur BSPK-ja ishte në piknik në kohën kur protestonte punëtoria në tërë botën, pastaj që kjo sindikatë të dëshmoj fuqinë përballë kundërshtarëve (atyre që nuk e pranojnë Haxhi Arifin si kryetar), por njëkohësisht edhe legjitimitetin tij për të përfaqësuar punëtorët në mekanizmat e ndryshëm vendor, e ndërkombëtar. Prandaj, çështja mos respektimin të ligjeve, sigurisë së dobët, mungesës së kontratës kolektive e nëpërkëmbjes së dinjitetit të punëtoreve në këtë protestë do të jenë në plan të dytë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


