Eko Higjiena

Toleranca e botëve të ndara

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerina Rogova – Gaxha – Jam vëzhguesi i parë dhe nuk dua t’i cenoj vetit qejfin e mosrrëmbimit nga imponimet. Nuk dua të ndjek rrjedhën e ngjarjeve të shkruara në një copë letër. Për to dua të nisem nga ajo që e përjetojmë secilën ditë. Mbase e ndjejmë fizikisht dhe kemi nevojë ta themi publikisht, të flasësh për tolerancën e pajtimin në një vend ku nuk tolerohet pothuaj asgjë, duket si një shkrim shkarravinë, e shndërruar në të folur ‘çapraz’.

Do të ishte e çuditshme të mendohej se çfarë të tjerët mund të ‘krijojnë’ për ne. Nganjëherë i bie sikur të luhej në skenë tragjedia kosovare dhe ne, të habitur shohim, e i dëgjojmë të qeshurat e spektatorëve që qeshin me këtë lloj drame, dhe se si shpesh të duket që ata të qetë, e pse jo edhe me gëzim, e marrin për komedi. Ndoshta pse aty parodizohet realiteti kosovar.

Jam vëzhguesi i parë dhe nuk mund t’i duroj personazhet komike të njerëzeve që nuk ekzistojnë.

Prandaj shpesh të vjen ‘e shpifur’ kur thuhet se udhëheqësit e feve kryesore në Kosovë–atyre të krishtera,ortodokse dhe katolike, dhe Islamit –kanë zhvilluar kontakte të rregullta mes tyre. Të vjen ‘e shpifur’ kur reklamohen konferancat ndërfetare që thonë se e mbështeten në krijimin e një bashkëpunimi multilingual që i kushtohet dialogut ndërfetar, dhe krijimin aktiv të kontakteve ndërfetare e pajtimit.

Nëse fetë e kanë të vështirë bashkëpunimin në Ballkan, ku janë forca të fuqishme në identitetin e grupeve të ndryshme, a ekziston ndonjë mënyrë përmes së cilës fetë dhe qytetarët mund të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët? Në konferencat që për temë kishin fenë është thënë se është diskutuar për mundësitë e zhvillimit të “hapësirës së përbashkët“ si dhe ndërkulturalizmin praktik në mesin e atyre të cilët janë të vendosur për të parandaluar konfliktin dhe keqkuptimin midis komuniteteve fetare.

Për bukuri e shtruar si teori.

Por cili realisht është dialogu ndërmjet komuniteteve, që përkasin në diversitete fetare e kulturore.

Thuhet se dialogu është kyç për paqe të qëndrueshme. çfarë saktësisht nënkuptojmë me këtë? Si e sa funksionon ai? Kush dëgjon e kush ‘lodhet’ të dëgjojë me vëmendje? Cilat janë rezultatet e dialogut, nëse ai ekziston? A është e mundur që te pajtohemi se ekzistojnë dallime dhe prapë të punojmë për të mirën e përbashkët? A ka ide fundamentale të feve kryesore që mund të përdoren për ta bërë dialogun ma efikas?

KKVITI

Në realitetin e përditshmë shpesh mund të duket se kjo situatë ‘e pakompsomis’ të zë frymën, sidomos atëherë kur abuzohet me të e me shprehje të ngurta, klishe, që nuk zbulojnë tjetër pos sjelljen reale të njerëzëve që e mbajnë në shpinë.

Ndoshta nuk dijmë të emocionohemi më. Ndoshta më nuk kemi pasione. Ndoshta kemi nisur të shndërrohemi në tjetrin, të panjohurin, dhe duke mos qenë vetja, lehtë bëhemi të tjerë. Një shkrimtar thotë se personazhi tragjik nuk ndryshon, por thyhet. Ndërsa personazhet komike nuk ekzistojnë…

Në këtë javë janë vënë edhe gur paqeje, është vënë edhe shenja që flet për Holokaustin, duke e hapur edhe një copë muzeu të kësaj trashëgimie në Kosovë, dhe disa qindra takime e disa dhjetëra aktivitete “tyrli fare”, por vështirë që kjo të ketë majftuar, që bile për pak çaste të mos kujtojmë sa “hipokritë” jemi!

Nëse duhet të flasim për tolerancën, kjo sa për ta bindur vetën se sa tolerantë jemi, atëherë e paskemi gjetur rrugën drejt parajsës.

Por nëse për pak çaste jemi njerëzorë, atëherë duhet të flasim hapur e të themi se edhe në emër të zotit, edhe në emër të besimit, edhe në emër të tolerancës, po bëhen mëkate të mëdha.
Çuditërisht të gjithë këta, në një ditë të bukur vijnë në Kosovë e flasin për tolerancën. Vijnë në Kosovë, ku toleranca “rahmet pastë” është shndërruar në mollë sherri, e për të cilën ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit, e ku shndërrohemi në armiq politikë e kulturorë, në xhihadistë fetarë e shkencorë…

Nuk e di se sa ishin tolerantë diskutuesit në javën e tolerancës dhe të pajtimit, por nuk do të çuditeshim sikur të ishin kapur për “gryke” në emër të tolerancës e të pajtimit. Por mund të mos e kenë bërë, sepse janë hipokritë në shpirt që mund të të vrasin natën e të qajnë ditën.

U tha se në këtë javë tolerance, do të merrnin pjesë përfaqësues të mbi 200 vendeve, por nuk thanë se një pjesë jo e vogël e këtyre vendeve nuk kane qënë tolerantë ndaj Kosovës. Ato kanë pasur fuqi të mos e njohin ekzistencën e saj, e sot vijnë e na flasin për tolerancën!

Personazhet tragjike nuk ndryshojnë, por thyhen. Ndërsa personazhet komike nuk ekzistojnë…