Nismëtari i popullit i papërfillshëm
Nga Shefik Shkodra – Nuk duhet të fetishizohet asgjë, por nuk ka arsyet ta mbulojë pluhuri atë të çmueshmen. Si personalitetet që kanë dhënë në kulturën tonë kombëtare. Ecim te para pa i fshi e pa i mohuar hapat tonë. E kush mund të thotë se, është përfshirë çdo personalitet me përpikëri në thjerrëzat tona të kulturës?!
Si gjithnjë flasim në vetën e parë pa e pas respektuar edhe veten tjetër. Si e goditim ndërtimin e ndërtesës jo aq shumëkatëshe, por domosdoshmërisht si gjithë bota duhet të shkohet prej themelit kah kulmi. Cili është ai themel dhe si është ndërtuar? Cilët janë muratorët e tij të parë? A duhet të harrohen mjeshtërit tanë nga një kohë jo shumë e largët. Po, si do ta harronin dikush që ishin rritur nga duart e atij ustai, i cili kishte sakrifikuar kur është dashur, vetëm e vetëm që ta ngreh atë kullë për ruajtje e strehim tonin shpirtërorë.
Kemi thënë, dinamizmi i kohës apo “hallet” tjera nuk po na lejojnë që të merremi me “shenjtërit” tonë. Më duket se, dikush e ka njëfarë “faji”, por askush nuk po e thotë kush dhe si. Dikush madje nuk e di fare këtë punë, e as që dëshiron ta dijë se, ishte një kohë terri që nëpër te feftonin “xixëllonjat” e para. Ishte vazhdimësi e Rilindjes Shqiptare nën regjimin jugosllav. Sot egoizmi i ka kapluar qeniet tona njerëzore, vetëm tash po shihet qartë. Dhe synimet tona po ecin apo vendnumërojmë si me inat. Si me dhunë, pa llogarit asgjë të çmueshme tonën. Dikush nuk sheh tjetër përveç vetes. Dikush nuk i njeh as prindërit e vet. Prandaj, po mbetemi pa prindër. Pa të parët tanë. Vetëm ne, tash që jemi, ishim, jemi dhe do të jemi (?). Por, shpresojmë se, do të kthehen shprehitë tona në rrugë të qëllimshme.
Nuk duam t’ia njohim punën njerëzve si Esad Mekuli, e si shumë të tjerë, që ishin dhe mbeten në kornizat kombëtare emra të pashlyeshëm. Vetëm injoranca mund ta fshij E. Mekulin, poetin e mjerimit për shqiptarët e Kosovës e më gjerë. Ai i cili, si student para Luftës së Dytë Botërore (LDB), shkroi dhe botoi në gjuhë serbe për shqiptarët, sepse gjuhë shqipe nuk kishte të shkruar në atë kohë në Kosovë. Preokupimet e tija ishin për popullin e vet të mjeruar e nën zgjedhë të huaj. Mekuli ishte një zë i dytë me Migjenin e atëhershëm në Shqipëri. Qëndroi besnik me idenë për çlirimin e kombeve nga dhuna e shtypja, kështu si ishte gjendja e popullit shqiptar. Ishte i rrezikuar disa herë nga regjimi serb dhe ishte burgosur në intervale të shkurtra kohore.
Pas LDB në Kosovë u mor menjëherë me organizimin e kulturës. Aty pati afinitet dhe për këtë ka merita të pa mohueshme. Me decenie të tëra udhëhoqi me sukses revistën letrare “Jeta e re”. Kjo revistë ishte Abetare e krijuesve letrarë në Kosovë. E dinë të gjithë ata që sot i thonë vetes shkrimtar. Ata duhet të rrëfejnë për këshillat dhe udhëzimet që ua fali. Përveç njërit të shtyrë në moshë tashmë, askush s’bën zë. Pa Esadin me revistën “Jeta e re”, zor se do të ishin afirmuar dhe vështirë se do ta mësonin artin e të shkruarit shumë prej atyre gjeneratave. Ai ishte mburojë dhe udhëheqës i kësaj reviste të vetme letrare deri vonë te ne, por edhe i bashkëpunëtorëve nga do që vinin. Krijuesit letrar shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Arbëreshët e Zarës, ata të Italisë e kudo që ndodheshin shqiptarët, shfaqeshin në faqet e kësaj reviste me punimet e tyre në gjuhën amtare, derisa shumë prej tyre edhe arritën suksese të lakmueshme jo veç ndër shqiptarë.
Esadi përveç veprimtarisë letrare, ishte edhe shkencëtar, i doktoruar në veterinari. Ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës). Ai ishte edhe njëri ndër iniciatorët për themelimin e Akademisë së Shkencave dhe arteve në Kosovë dhe kryetar i saj. Ishte edhe përkthyes i mirë nga gjuhët ballkanase në shqip dhe anasjelltas, etj. E pra, çfarë mëkatesh ka bërë ky bir i popullit që, sot nuk flitet e nuk shkruhet sa e si duhet për të. Ai i cili përmbledhjen e parë ia kishte kushtuar këtij populli, “Për Ty”, pra për shqiptarët. Sa rrugë të qyteteve tona mbajnë emrin e tij, sa institucione a shkolla? Si duket asnjë! Pse? Më duket më shumë nga injoranca, por edhe nga një humbje sensi për etërit nga një egoizëm e menjëhershëm sot.
Sigurisht, nga egoizma të një mase të dobët intelektualësh e të paaftë për atë se si e mendojnë vetën. Si të pakalueshëm, veç ata janë. S’ka pas, nuk ka as që do të ketë të tjerë. Kështu, nga një egoizëm intelektual i ka zënë gjumi edhe masën e gjerë. Pra, shumë mendojnë se, ka ardhur koha “e jonë” dhe nuk do të përfillim asgjë tjetër më. E çfarë kohe? Koha e shëmtisë, dalë nga një grup “pehlivanësh” të herahershëm, të mos themi se po kërkojnë dhunshëm të bëhen krijues letrar. Kështu, ndodh që njerëz me kompetencë a pa kompetencë, për shumë gjëra pyesin: kush është ky njeri, ne nuk e njohim, kur propozohet ta mbaj emrin e tij një rrugë a institucion. E kemi, thonë, njeriun tonë, të mëhallës. Dhe ne pyesim, kush është ai njeriu i jonë?! Çfarë është kjo punë e jona me këto provincializma tek sa shkelim në këtë shekull?!


