Presioni gjerman për paqe
Nga Milaim Shefkiu – Kryediplomati gjerman, Guido Westerwele, erdhi në Serbi dhe në Kosovë për t’ua përcjellë palëve një mesazh, se pa e respektuar marrëveshjen e Brukselit të 19 prillit, nuk ka integrim në BE. Ardhja e tij nuk ishte thjesht vizitë për inkurajim, ashtu siç u interpretua në Prishtinë dhe Beograd. Westerwelle ka ardhur në Ballkan, për t’ua kumtuar lajmin se BE i ka blinduar dyert për belaxhinjtë.
Ai u ka treguar lidershipit të të dyja vendeve se BE-ja është koncept i vlerave, ku njerëzit dhe shoqëritë integrohet atje pa barrën e të kaluarës dhe pa ngarkesa dhe urrejtje ndëretnike. Këtë mesazh ai e solli në Beograd, veçanërisht, duke iu treguar liderëve atje të cilët vazhdojnë të sorollaten, siç thotë lideri i rezistencës – Demaçi, “poshtë e përpjetë” dhe duke iluzionuar se Kosova është djep i Serbisë, diçka që nuk ka qenë kurrë.
Prandaj rruga e integrimit nis me respektimin e marrëveshjes së Brukselit, e cila në parim është më e keqe për Prishtinën se sa për Beogradin. Madje për këtë të fundit është “bingo” sepse kanë nxjerrë të drejta astronomike për serbët në veri. Në vend se Prishtina të “qesë shkelma” për këtë marrëveshje, duke kërkuar të drejta reciproke për shqiptarët në Luginën e Preshevës, është Serbia që nxjerr ndërskamca.
Duke pretenduar se në këtë dramë do të luajë rolin e personazhit viktimë, Serbia nuk arriti të ngjallë “katarzis” tek diplomatët e Bashkimit Evropian, kryesisht te diplomacia gjermane, se marrëveshjen po e bllokon Kosova. Pra as Bundestagu as vetë Westerwelle, nuk e kanë ngrënë karremin e Beogradit, që t’ia hapin dyert e integrimit asaj, sikurse ia mundësuan liberalizimin e vizave.
Duke u treguar si gardian i BE-së, Westerwelle ia bëri me dije presidentit serb, Tomisllav Nikoliq, se pa e respektuar marrëveshjen me Prishtinë dhe pa dhënë sinjale optimiste se marrëveshja po zbatohet, nuk ka datë për nisjen e dialogut për anëtarësim. Pra, nëse serbët e duan integrimin dhe e duan datën për BE, sipas kërkesës evropiane, duhet ta pranojnë një realitet, që Kosova është e pavarur, ndërsa idealizma mitologjike se “Kosova është Serbi”, të mbetet si frazë folklorike e tamburistëve serbë.
Megjithatë nga presioni i Gjermanisë nuk ka shpëtuar as kryeministri Hashim Thaçi. Edhe këtij të fundit i është qartësuar qindra herë, se integrimi në BE është një rrugë e gjatë, dhe vështirë e realizueshme me këtë logjikë të qeverisjes. Derisa Kosova mbetet kampion i korrupsionit, ku hajnia ka lëshuar rrënjë, ku liderët e shkelin ligjin, ku njerëzit e fortë nuk shkojnë në burg, ku ka reket politik dhe ku nuk dihet se “kush pi e kush paguan”, me siguri që Bashkimi Evropian mbetet vetëm një ëndërr.
Edhe nëse realizohet marrëveshja, për të cilën të gjithë shpresojnë se po, prapë Kosova do të mbetet e fundit në procesin integrues. Kjo, për faktin, sepse shumë kritere apo vlera që i kërkon BE-ja, ne nuk i kemi plotësuar dhe e kemi vështirë t’i plotësojmë.
Westerwelle, prandaj e di mirë këtë çështje, se as ne nuk jemi ujë i pastër (për abdes). Por ajo që bën probleme në Ballkan është Serbia, dhe ajo duhet të mbahet nën kontroll. Që të mos i ikë asnjë detaj, Gjermania po e shikon me “llup” çdo detaj të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, respektivisht çdo centimetër të marrëveshjes së paqes që është nënshkruar në Bruksel. Westerwelle iku në Berlin, ndërsa fuqia e tij politike do të reflektohet sot me nënshkrimin e planit për zbatim të marrëveshjes nga kryeministrat, Thaçi e Daçiq.

