Frymë e ngrohtë poetike, me detaje e imazhe të jetës
Nga Faik Shkodra – Me interesim të veçantë i lexova poezitë e Bujar Salihut, të botuara në vëllimet Në xipat e vetmisë (1994), Më pak se jetë (1997) dhe Skeleti i dallëndyshes (2002), vëllime që do të lexohen përherë me ëndje pikërisht për temat, motivet, ngjarjet dhe dukuritë shoqërore. Shumica e poezive të vëllimeve të sipërthëna trajtojnë çështje e probleme të mprehta të kohës. Midis vëllimeve mund të vërehen dallime, jo në aspektin e nyjëtimit të mendimeve e përjetimeve për fenomenet e realitetit jetësor, por do të thoshim këto ndryshime vijnë nga subjekti i trajtimit të fatit të njeriut dhe botës së tij shpirtërore. Në pasqyrimin e motiveve, Bujari të sotmen e ballafaqon me të djeshmen, duke nxjerrë vlerësime të rëndësishme mbi rrjedhat e kohëve dhe brenda këtyre vlerësimeve spikat traditat më të bukura të botës shqiptare dhe kulturën e lashtë dhe shumë të ndritshme kombëtare.
Simbolikë e nivelit të lartë stilistik
Poezitë e vëllimeve karakterizohen me simbolikë përfaqësuese të nivelit të lartë stilistik. Këtë simbolikë Bujari natyrshëm e me frymëzim spontan ka arritur ta mishërojë në fabulat e poezive, të cilat shpërfaqin në të shumtën e herëve ngjarje e çaste prekëse. Themi kështu ngase në nëntekstin e vargjeve ndërlidhen aspekte që flasin për gjurmë të jetës së njerëzve. Poeti sado që provon që vargjet të dalin të qeta e me rrjedhë të zakonshme – në fakt ato, me ngjarjet që bëhen motiv i këndimit, – Bujari me të kënduarit krijues dhe imagjinatën e pasur, me një shkathtësi të shquar, i vendos e i zhvendos nga koha në kohë, nga vendi në vend, nga individi te individi dhe me sukses i jeton me shpirt hallet, zhgënjimet dhe shqetësimet e tyre.
Autori përmes poezive kap ngjarje dhe aspekte të jetës së njerëzve dhe mjediseve të tyre. Të dhënat për botën shpirtërore e ndjenjore të tyre jo vetëm që kanë vendin e merituar, por natyra e tyre, me gjithë ndjenjat e psikologjinë që i shquan, sikur na e kujton përmbajtjen e disa tregimeve të Sotir Andonit të përfshira në vëllimin “Fletë të kuqe qershie”, kur shkruan: “Dashuria për jetën, përpjekjet gjer në flijim për të janë tiparet më të bukura njerëzore. Koha është si erërat, ndërsa ne jemi si shkëmbi që nuk është tronditur mijëra vjet me radhë. Njeriu pa njeriun thahet, kur bashkohet me tjetrin, bëhet i përjetshëm” (Skënder Buçpapaj, Dashuria për jetën, për njerëzit, për natyrën – Nëntori nr. 6/1982, Tiranë, 1982, f. 48).
Poezitë e vëllimit “Në xipat e vetmisë”, që përbëhet nga ciklet: Lokeve, Pak biografi, Gurrë pezmi dhe Shtresë enigmash, bartin botën dhe gjurmët e jetës së vetë autorit. Poezitë japin fatin e njeriut përmes detajeve të gjetura me sens artistik dhe në këtë drejtim vlerë të veçantë vargjeve u sigurojnë idetë fisnike dhe qëndrimi që mban poeti ndaj njerëzve me halle e probleme të dhimbshme, të cilëve u del në mbrojtje dhe me zemërim ngrihet kundër padrejtësive shoqërore. Siç shihet, Bujari me kohë e ka kuptuar se lirika është poezia e poezisë, është, siç pohon Moikom Zeqo, “intimiteti dhe delikatesa, shpirtëzimi i paskajshëm i botës, është vetëdija e krijimit dhe afrimit të personalitetit”.
Liria është temë që zë vend dhe hapësirë të lartë në poezitë e cikleve të vëllimit “Në xipat e vetmisë”.
Mungesa e lirisë shkakton revoltë në shpirtin e mendjen e poetit. Shumë poezi i përshkojnë notat e revoltës. Ndonëse liria për shqiptarët ishte mollë e ndaluar, Bujari gjatë zbërthimit të këtij motivi tregohet i matur, sepse asnjëherë protagonistët e poezive s’i paraqet të nënshtruar para pushtuesit. Përkundrazi, ata udhëhiqen nga ideale të larta kombëtare e patriotike. Janë stoikë dhe nuk dorëzohen para askujt. Për të dëshmuar idealet dhe krenarinë kombëtare shqiptare në situatat e luftës, poeti shkruan për Kullën që është simbol i qëndresës, simbol i rezistencës kundër pushtuesit, kundër korbave të zinj, kundër dhunës serbe mbi shqiptarët.
Krijim me vlera artistike dhe njohëse është poezia që këndon Gjerg Elez Alinë. Në vargjet e kësaj poezie është dhënë figura e madhe e Gjergjit, është dhënë shpirti luftarak i tij dhe është dhënë shpirti shqetësues i poetit ndaj realitetit të kohës. Duke himnizuar figurën e Gjergjit dhe duke përmendur plisin e bardhë si simbol të veshjes kombëtare, ai sjell para lexuesve ringjalljen e një epoke mitike, ku: “Gjergj Elez Alia pret miqtë si miq, armiqtë si armiq” dhe në betejë me Bajlozin e Zi, ndonëse me nëntë varrë në trup, s’kërkon as mëshirë dhe s’di të derdhë lot. Nuk pranon nënshtrim, sepse toka i ka dhënë shtatin për të derdhur gjak. Vargjet kushtuar lirisë sjellin mesazhe të shumta te lexuesit.
Ndërkaq, jeta në mërgim poetit i shton dhembje, sepse vendi i huaj të mplak dhe mallin e dashurinë për atdhe ta ndez e malli e dashuria për atdhe sikur marrin flakë e zjarr, sikur vuajtjet sa vijnë e shtohen. Atdheu dhe liria në poezinë e Bujarit krijojnë flakë të reja, ndërsa poeti bëhet më i fortë se guri dhe përmes gurit do t’i thyejë hijet e
zeza tinëzake, poeti në trajtimin e lirisë ngrihet lart – përgjithëson plagët e shqiptarëve nëpër kapërcej shekujsh. Në poezinë e Bujarit realizimi i aspiratave të popullit nuk duhet të merret vetëm si ideal poetik, si vetëdije krijuese e poetikës së ndjenjës prushdhënëse, por si detyrë e rëndësishme në zgjimin e vetëdijes kombëtare, vetëdije që i kushtohet lirisë së vendit.
Në vëllimin “Në xipat e vetmisë” poeti i kthehet fëmijërisë së tij dhe në këtë kthim kujton lojërat e bëra në oborr dhe më pastaj vazhdon të shkruajë vargje për refugjatë, e kujton vapën e Karadakut legjendar dhe dashurinë e njerëzve, të cilët i ëndërron dhe i mban në zemër, shkruan për Ylfete Humollin – njërën nga vajza tona që jetën ia fali lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, shkruan vargje për pushkën stërgjyshore, flet për udhëtimet e njeriut nëpër rrugët që s’janë të gjitha zezonë, shkruan poezi mbi krimet serbe bërë në Kosovë në vitin 1999, shkruan për shumë dilema që i vijnë herë si ëndërr e herë si zhgjëndërr etj.
Gjithandej vëllimit poeti ka rrokur në trajtim momente e gjendje prekëse dhe me një vokacion poetik i trajton me vargje lirike, plot me të dhëna që vijnë nga situatat e krijuara në kohë dhe hapësirë. Natyrisht, këto poezi para së gjithash janë mozaik i një jete me batica e zbatica dhe poeti me imagjinatën e zhvilluar harton vargje që shpalosin preokupimet dhe dëshirat për të zbuluar të fshehtat e njerëzve dhe hallet që i ndrydhin ata në përditshmërinë e tyre. Në poezi poeti ka përdorur një figuracion të pasur, ndërsa në aspektin gjuhësor lënë për t’u dëshiruar.
Poezitë kanë nevojë për një dorë e mendje të sprovuar të një gjuhëtari, që di të bëjë redaktimin gjuhësor të materialit bazë, pa lëshuar gabime gjuhësore, drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore e stilistike. Sepse, sado i arrirë të jetë teksti, po s’iu kushtua kujdes profesional edhe këtij segmenti, del paksa më i zbehtë. E kjo sidomos vlen për poezinë, sepse ka më pak tekst dhe çdo shkarje gjuhësore bie më shumë në sy.
Vargje të shkruara me frymëzim të lartë
Në vëllimin e dytë me titull paksa prekës, për të mos thënë dëshpërues, “Më pak se jetë”, Bujar Salihu vjen me poezi me vlera më të veçanta, si në rrafshin ideor e estetik, ashtu edhe atë meditativ e gjuhësor. Vërtet brenda cikleve (Aureola e një arkivoli, Udhëtimi i ëndërrt, 26 dhjetori ’91, Reprizë, dhe Më pak se jetë) arrin t’i thyejë rregullat e vargëzimit të poetëve të traditës dhe pjesa më e mirë e poezive janë sendërtuar me një tis refleksiv.
Në përgjithësi, poezitë i shquajnë mendimet meditative dhe figurshmëria metaforike. Poeti tregohet i kursyer në përdorimin e fjalëve dhe detajeve të tepërta. Poezitë karakterizohen nga tema e motive të kohshme dhe si të tilla rrëfejnë braktisjen e atdheut, barbarinë serbe, këngën për lirinë e munguar, por të kërkuar nëpër shekuj, rrëfejnë mërgimin, baladën e murosjes, jetën e rëndë nën regjimin serb. Në disa vargje trajton figurën e intelektualit, stilistit dhe njeriut me kulturë e dije enciklopedike, mendimtarit më të veçantë të të gjitha kohëve, Faik Konica. Se kush ishte Konica, e thonë vargjet e Bujarit:
Ti që s’u mplake e ti që s’mplakesh
Ti që s’vdiqe e ti që nuk vdes
Je ti ai stërnipi i madh i Teutës
Ti ai Bajram Curri i maleve!
Duke përmendur Teutën – Bujari na çon në lashtësinë historike të qenies sonë kombëtare dhe na i bën me të dashur Bardhylin e Gencin, si prijës të udhëheqjes së të parëve tanë, ndërsa Bajram Currin e përmend për vlerat dhe cilësitë e mëdha që ai kishte karshi çështjes kombëtare. Dihet se Bajram Curri përfaqëson figurën e një trimi, një heroi të rrallë të epikës sonë legjendare. Vetë vepra dhe idealet e tij për çështjen kombëtare, ka bërë që në kohën e regjimit të Millosheviqit, prej mllefit, për shumë shqiptarë të Kosovës, kishte ardhur koha, thotë poeti, të bajramcurremi. Bajramcurrja është një simbolikë qëndrese dhe guximi kundër çdo armiku që synon ta mbajë popullin në robëri.
Në poezitë e vëllimit “Më pak se jetë” poeti sjell vargje e poezi të bukura, vargje që komunikojnë lirshëm me lexuesin dhe s’është çudi se pikërisht në këtë vëllim Bujari reflekton aftësinë dhe prirjen e kultivimit të poezisë moderne. Poezi me vlera të shumëfishta nga shumë aspekte letrare, estetike dhe stilistike është pa dyshim “Zogjtë e dhembjes”.
Në vargjet e saj në mënyrë sintetizuese janë shkrirë të dhënat historike, është hedhur dritë mbi psikologjinë e njerëzve dhe vargjeve u është dhënë një frymë filozofike, frymë me të cilën ndriçohen vlerat e traditës kombëtare me të gjitha elementet përbërëse.
Përmes vargjeve të shkruara me frymëzim të lartë, Bujari, gjithnjë në valët e një lirike atdhetare, trajton pasojat e shkuarjes të sa e sa brezave të rinjsh shqiptarë në botën e jashtme dhe atje vazhdojnë të treten, të asimilohen dhe shpesh edhe të vdesin horizonteve të errëta të Evropës plakë, për të cilën kualifikimin më të mirë e pat dhënë Fishta me një sintagmë vulgare e të cilin kualifikim po e dëshmon si dje ashtu edhe sot. Se në çfarë gjendjeje shpirtërore është poeti kur shkruan për brezin e azilantëve, të cilët prindërit nuk i kanë parë nga shtatë – tetë vjet, këtë më së miri e rrëfejnë vargjet:
Në udhëkryq udhëkryqesh ku zënë fill rrudhat e ballit të Evropës plakë,
dikush shet një pjesë katrore lirinë ende të paardhur të Atdheut tim
Në poezitë Dhëmbësutë, Udhëtimi i ëndërrt, Asgjë nuk lexoj dy herë, Enigmë, Galeria e dhembjes, Në mangall të stërgjyshit tim, poeti rrëfen qartë për problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit. Larmia e temave dhe problemeve që poeti i trajton na bëjnë të kuptojmë prirjen dhe zotimin që Bujari ka në riprodhimin e transponimin e realitetit jetësor, shoqëror e historik në artin poetik letrar.
Fryma e tillë e poezive të këtij vëllimi në përgjithësi është e rëndësishme, ngase çdo ide e mendim, ndjenjë e gjykim thuhet me qartësi dhe kjo mënyrë e artikulimit të mendimeve poezitë i bën gjithnjë më të kohshme. Vlerat e tilla ideoartistike dhe ideoestetike të poezive të Bujarit koincidojnë me vlerësimet e Agim Isakut bërë për vëllimin “E përditshme” të poetit Ndoc Gjetjes, kur thekson: “Të menduarit rreth vjershës që sapo ke lexuar është një kërkesë që të bën autori me secilën poezi të librit, si për të thënë: Vëzhgo me vëmendje rreth teje, thellohu në të përditshmet e vogla, të parëndësishme në pamje të parë dhe nxirr përfundime mbi to, e ndërmjet tyre mbi dukuritë e jetës”.
U mor vesh, gjatë leximit të vëllimit mësojmë se Bujari prek tema të ndjeshme – tema që flasin me një gjuhë refleksive për vitet e errëta në Kosovë dhe flasin për qëndresën e shqiptarëve për të mbijetuar. Këto ngjarje poeti i trajton në poezi figurshëm duke përdorur shumë metafora, simbole, personifikime, aluzione e antiteza, ironi, heshtje, krahasime. Gradacione, rima etj.
Nga kjo që u tha, vlerësojmë se ndjenjat shpirtërore, ngjarjet e shumta historike dhe padrejtësitë e bëra ndaj popullit shqiptar kanë bërë që Bujar Salihu të bëhet një krijues i shquar i vlerave poetike dhe në tërë vëllimin dinjitetshëm e mbështet dhe e fuqizon të vërtetën historike dhe shkencore se “Ardhmëria është ideal i të gjithë atyre që aspirojnë për jetën, për më të bukurën, më të lartën, më njerëzoren”.
Mendime të thella e të kondensuara
Duke lexuar vëllimin e tretë të Bujar Salihut “Skeleti i dallëndyshes”, që sajohet nga ciklet Arti i frymëmarrjes, Numizmatikë ilire, Intermexo, Abetarja e lirisë dhe Anatomia e kërkimit, kuptojmë rëndësinë që ka poezia, kuptojmë botën shpirtërore e ndjenjore të poetit, kuptojmë qëndrimet dhe dëshirat e tij për t’u identifikuar me interesat e popullit, me lirinë dhe atdheun e tij, për të cilin harton vargje të ngrohta me të cilat evokon momente të së djeshmes e të së sotmes së popullit dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Duke kuptuar më thellë funksionin e poezisë, Bujari harton vargje që lakuriqojnë iluzionet e gabuara dhe të dëmshme me të cilat fatkeqësisht po përkundet një pjese jo edhe e vogël e shqiptarëve dhe udhëheqësve të tyre.
Në poezitë e këtij vëllimi Bujari reflekton mendime të thella që për nga brendia janë të kondensuara me fjalë të pakta, ngjashëm me aforizma, por të thella e të vërteta mbi rrjedhat e zhvillimeve historike e mbi botën psikologjike të njerëzve të nënqiellit të hapësirës shqiptare. Poeti në vargje jo vetëm evokon për çdo gjë që ka të bëjë me të qenit shqiptar, por gjykon me urtësi, nxjerr përfundime të qëndrueshme për çdo kohë të historisë dhe nga përvoja e jetës shkruan vargje me art të vërtetë artistik. Këto tipare të poezive të vëllimit të sipërthënë i vërtetojnë njëkohësisht mendimet e Pol Elyar se “edhe poezia është mjet për të shkuar përpara, sepse ajo këndon nëpërmjet gjithë dritareve të saj e përmbi të gjitha horizontet”.
Po për ta bërë artin e tyre një shtysë për zgjimin e ndërgjegjes, krijuesit e vërtetë kanë shtruar në radhë të parë domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre në jetën reale” (Briseida Mema, Kritika letrare dhe letërsia bashkëkohore, Tiranë, 1991, f. 73).
Në poezitë Jetojmë, Shënim për të humburit, Pendimi, Arti i frymëmarrjes 1998, Terr varri, Loja me atdhe, Numizmatikë Ilire, Në Shkup kthehet Jusuf Gërvalla, Poetika e luftës (Agim Ramadanit), Atentat të enjten ( Xhamil Mustafa) , Metaforave (Ali Podrimja ), Terr, Kult i rremë, Mbretëri Jevge, Version dashurie, Thirrje, Revoltë, Dreqi, Modernë e mesjetshme, Pasqyrë, Përtej vdekjes, Pseudo, Kllapia e vargut, Vdes, Ëndërr, Kullë Babiloni, Legjendë për veten, Trilogjia për shtetin (Popullit, Atdheut dhe lirisë), Qershori i lirisë, Matematika e plagëve dhe Pasthënie – shohim afinitetin, përkushtimin dhe përpjekjen maksimale të Bujarit në kapjen e trajtimin e temave në mënyrë estetike gjithëpërfshirëse duke iu larguar këndimit klishetik, atij klishetizmi që jo rrallë vjen si letrarizim i thjeshtë e pa ndonjë vlerë të artit të vërtetë.
Pra, poeti në këto poezi është origjinal, është i tillë sepse thotë diçka të veçantë, diçka që vjen nga realiteti dhe nga përjetimi i thellë i atij realiteti. Bujari para se gjithash në këtë vëllim, kujtojmë, se parapëlqen “përdorimin e një fabule, apo më mirë të një mikrofabule që shërben si skelet, si mjet artistik mbi të cilin shtrihet mendimi, i cili, përgjithësisht jepet në mënyrë të koncentruar në vargjet mbyllëse” (Agim Isaku, Po aty, f. 40 – 41 ).
Në poezitë e sipërshënuara poeti këndon një realitet të vrazhdë, realitet që nuk garanton jetë të dinjitetshme, këndon për njerëzit e humbur që Serbia pasi vrau i hodhi nëpër liqene, i dogji apo i çoi në Serbi për t’ua humbur edhe eshtrat, shkruan vargje për pendimin, për fillimin e luftës në Drenicë, flet për diplomacinë tinëzare që bëhej nëpër kancelari të Evropës, që me tokat shqiptare bëri lojë të turpshme, flet për ilirët që kishin një shtrirje e një territori nga Danubi e deri në fund të Greqisë, shkruan për figurën e ndritur të Jusuf Gërvallës, i cili në histori mbeti i pavdekshëm, shkruan vargje për heroin Agim Ramadanin, të cilin mund ta kërkojmë diku pranë diellit, për Xhemal Mustafën dhe vrasjen e tij në hyrje të banesës nga një dorë kriminale. Poezi me vlera të veçanta është ajo që i kushtohet Ali Podrimjes, i cili, sipas Visar Zhiti,t e ka shkrirë poezinë intime me atë të fatit kolektiv të kombit . . . Libër pas libri fjalë pas fjale, poeti ka mbushur ditarin e atdheut”.
Poeti nuk ndalet vetëm me kaq .ai shkruan për ferrin dhe pohon se të jesh shqiptar i vërtetë nuk është kollaj dhe me arsye i satirizon disa veprime jo të pëlqyeshme të njerëzve pa karakter e pa moral kombëtar. Ndërkaq për dashurinë thekson se ajo mbi të gjitha është ushqim dhe diell për njeriun dhe atë që di të dashurojë sinqerisht. Në poezitë e këtij vëllimi autori me mjeshtëri ka asimiluar vlerat e folklorit sipas parimeve më bashkëkohore të estetikës dhe ligjshmërive teorike. Në këtë rrugë ndikimi i përvojës së folklorit është bërë sipas rregullave më të rrepta të artit letrar. Kur jemi duke folur për mënyrën se si shfrytëzohet folklori nga krijuesit e letërsisë së shkruar – vlerësimin më të qëlluar dhe të drejtë e ka dhënë esteti Alfred Uçi, kur pohon: “Domosdoshmëria e mbështetjes së artit tonë të kultivuar në përvojën e artit popullor nuk është një kërkesë subjektive, por është një nga rrugët më themelore për të përfituar prej epërsive e përvojës estetike” (Alfred Uçi, Folklori dhe letërsia e kultivuar, Nëntori, nr. 2/1982, Tiranë, 1982, f. 167).
Ndikimi i folklorit në poezitë e vëllimit “ Skeleti i dallëndyshes” vërehet kryesisht në frazeologji, fjalë të urta dhe leksikun e rrallë të popullit. Sa për ilustrim po sjellim këta shembuj për të parë përkimet midis dy formacioneve letrare – letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar. Vargje që kanë strukturë të fjalëve te urta janë këto:
Por nuk janë siç duhet të jenë
E unë jam ku s’duhet të jem!
Ose: E Nesërmja u takon atyre
Që ndershëm të sotmen punojnë.
Duke hedhur dritë në vlerat e poezive të vëllimit të sipërthënë përfundojmë se Bujar Salihu ka dell poetik, ka imagjinatën e zhvilluar dhe ka kulturë e dije për të shkruar poezi me vlera të theksuara ideoestetike dhe ideoartistike. Theksojmë kështu nga se çdo poezi e tij përkon me frymë të ngrohtë – frymë që shpalos botën e brendshme të pasur, ndjenjat e holla dhe çdo fjalë e ka funksionin e idesë kryesore të vetë poezisë. Vlerat e tilla i bëjnë poezitë më jetësore, sepse ato janë të lidhura me jetën e njerëzve dhe realitetin shoqëror në të cilin jetojnë. Poezitë janë produkt i një realiteti objektiv, që si duket Bujari e njeh dhe e përjeton me shpirt e zemër.
Në fakt, tiparet e tilla e arsyetojnë mendimin e një analisti bërë vëllimit të Petrit Rukës, me ç’rast thekson: “Një mbështetje e tillë në truallin e këngëve të vendlindjes e në të gjithë jetën e historinë tonë ka bërë të mundur që poezia të mos i vuajë nga mungesat e detajeve e të imazheve, të jetë konkrete e jetësore, të mbajë vlagën e tokës që e lindi e dashurinë për njerëzit në mes të cilëve jeton”.
Në fund urojmë Bujar Salihun për këto suksese të shënuara në fushën e poezisë duke i dëshiruar frymëzim e kurajë edhe më të madhe në rrugën e krijimit të veprave edhe më të veçanta në formë dhe përmbajtje./rajonipress/


