Uji Dea

Në 100 vjetorin e lindjes së patriotit anamoravas Haki Efendi Taip Sermaxhaj

/ 12 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Islam Osmani – Qëndresa dhe mos pajtimi i vazhdueshëm ndaj pushtuesve të njëpasnjëshëm, të popullit tonë ka bërë që nga ai të dalin udhëheqës, luftëtar trima e atdhetarë të mëdhenj që i shënon historia për kontributin e dhënë në realizimin e aspiratave tona shekullore-çlirimin e atdheut nga pushtuesit sërbosllav.

Secila trevë e Kosovës posedon trimat që luftuan, sakrifikuan, pos reprezaljeve, burgjeve maltretimeve e rrahjeve edhe jetën për çlirimin e vendit. Të tillë ka edhe treva jonë e Anamoravës si: Idriz Seferi, Hasan Remniku, Mulla Idriz Gjilani, Haki ef. Sermaxhaj, Ibrahim Zhuja nga periudha e shekullit të kaluar dhe shumë të tjerë që pas tyre kanë flijuar jetën si: Rexhep Mala, Nuhi Berisha e, Kadri Zeka e të rënët në Luftën e Fundit ( në vitin 1999) për çlirimin e vendit tonë definitivisht nga okupatori sërbosllav.

Me gjithë kontributin dhe meritat e tyre, a thua ne jemi duke i përkrahur, përkujtuar dhe ngritur lartë për gjithë atë që e kanë dhënë e sakrifikuar për këtë liri, me punën tonë të përkushtueshme ndaj tyre. A thua mos disi e gjithë vepra e tyre gjithnjë po shkon duke u harruar nga se përkundër asaj që nuk iu kemi ngritur asnjë lapidar-përmendore nuk kemi bërë aq sa duhet për t’i përkujtuar me ndonjë tubim, së paku në përvjetorët e tyre.

Po përmendi dy kolosët, patriotët e atdhetarët e shquar dhe figura udhëheqëse të besimit islam të komunës së Gjilanit :Mulla Idriz Gjilanin, dhe Myderriz Haki ef. Sermaxhajn,( nga Hogoshti por, ai-e familja e tij prej para Luftës së Dytë Botërore jeton në Gjilan), për të cilët pothuajse kemi bërë shumë pakë në krahasim sa kanë bërë ata për ne për lirinë e këtij vendi.

Mulla Idriz Gjilani, falë kryetares së shtetit të Kosovës Znj.Jahjaga dhe disa Organizatave e shoqata të luftëtarëve, nga të cilat u dekorua dhe iu ndanë ca Lavderata e Mirënjohje si dhe të vuarjes së emrit të ndonjë shkolle apo rruge dhe pothuajse asgjë tjetër nuk është bërë. Nuk di nëse është mbajtur ndonjë tubim përkujtues për ndonjë përvjetor të këtij strategu e komandanti të madh të Anamoravës.

Dhe a thua se vetëm një here duhet ta përkujtojmë një hero dhe me ta ka përfunduar çdo gjë gjithsesi se jo nevojitet që të gjithëve tu ipet vendi i merituar për kontributin dhe sakrificën që kanë bërë. Deri sa Mulla Idriz Gjilani, me ato lavdrata, dekorata e mirënjohje nuk është lënë tërësisht në harresë, për Myderriz Haki effendi Sermaxhajn pothuajse nuk është bërë asgjë, me asnjë lavdatë e dekoratë nuk është shpërblyer për punën dhe veprën e sakrificën ma sublime e bërë për këtë liri, për këtë shtet që ne e gëzojmë sot.

Për veprën e tij shumë nga bashkëqytetarët tanë nuk e dijnë, nuk e dijnë edhe se kush ka qenë Myderriz Haki efendiu, nuk e dijnë nga se nuk është shkruar e përkujtuar në asnjë vepër (përjashtim bënë vepra e bashkëautorëve Mr.Aliriza Selmani dhe Hfz. Avni Aliut- “Myderriz Haki Efendia”, Vepër kjo e botuar e financuar nga vetë familjarët e Myderriz Haki effendiut ), e tubim përkujtimor lidhur me ndonjë datë historike të kohës kur ka punuar e vepruar Myderrizi i njohur nuk është mbajtur-organizuar asnjëherë.

Por kush duhet organizuar e mbajtur apo kush duhet të ndërmarr këtë iniciativë. Gjithsesi atë së pari duhet ndërmarrë në radhë të parë organet komunale, Organizatat e Luftëtarëve, si dhe BIK-u apo edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjilanit.

Myderriz Haki effendi Sermaxhaj ishte bashkëpunëtorë i ngushtë i Mulla Idriz Gjilanit, si në Luftë, poashtu edhe në profesion e shkollë, ishin ligjërues në Medresen e Gjilanit. Ishte dorë e djathtë e tij ngase nga ai kishte marrë edukatën dhe mësimet e para fetare.

Nga Mulla Idris Gjilani ishte pajisur edhe me ide patriotike-atdhetare që nga vegjëlia. Haki effendiu e kishte patur mësues të par Mulla Idriz Gjilanin, në Mejtepin e fshatit të tij të lindjes-Hogosht.

Këta dy kolos gjithherë ishin bashkë si në organizime, planifikime luftime dhe për betime. Së bashku kishin organizuar dhe kishin marrë pjesë në Luftërat: të Kikës, Velegllavës, Gjilanit e gjetiu në kufirin lindor të Shqipërisë etnike.

Në Medresenë e hapur në Gjilan Myderriz Haki Efendia, pasi që ishte kthyer nga shkollimi-( kishte kryer Medresen “ Medah” në Shkup), diku në prag të Luftës së Dytë Botërore, së bashku me Mulla Idriz Gjilanin, ishin të parët që kishin aplikuar lëndën e gjuhës shqipe si të rregullt.

Është koha që për Myderrizin Haki efendiun të bëjmë diç më shumë, nga se sivjet (më 14 tetor) bëhen 100 vjet nga lindja e tij. Është pra një rast për një Tubim përkujtimor për këtë atdhetar, (dhe jo vetëm për te), i cili vdiq nga torturat në burgun e Mitrovicës së Sremit në vitin 1948 varri i tij, tash e 66 vite ende nuk dihet.

Është e rrugës që tani të ndermerret iniciativa për kthimin, së paku të eshtrave të këtij kolosi në Kosovë. Të plotësojmë me këtë një amanet të tij. Dhe jo vetëm ndaj këtyre dy dëshmorëve të lirisë që i përmendëm, por edhe ndaj të gjithë dëshmorëve të tjerë-mendoj se është koha t`i nderojmë në nivelin që e meritojnë.

E gjithsesi se të tillët si Mulla Idriz Gjilanin e Haki Efendiun që i ka njohur e nderuar edhe bota, meritojnë edhe më shumë se këtë që ne e përmendëm në këtë shkrim. Të mbetet e gjithë kjo si përkujtues për ata që e kanë për detyrë e besa edhe ne obligim për të marrë diç më konkrete në këtë drejtim.

Po kush ishte Haki Efendi Sermaxhaj?Ja biografia e shkurtër, pjesë nga Libri i Islam Osmanit: “HOXHOLLARËT MBROJTËS TË FESË KOMBIT DHE ATDHEUT”
Myderriz HAKI ef. SERMAXHAJ (1914-1948)

ARKATANA

Njeri ndër kolosët fetar më zëmadh, intelektuali dhe patrioti i shquar i Anamoravës Haki ef. Sermaxhaj u lind në vitin 1914 në fshatin Hogosht të Dardanës (ish Kamenicë).Rrjedh nga një familje përparimtare-arsimdashëse e fetare islame.

Hakiu mësimet e para fetare i mori nga imamët e xhamisë të fshatit Hogosht si:Mulla Shaban Sermaxhaj(I afërm I familjes së tij)Mulla Rexhep Vranja( personalitet fetar që kishte kryer studimet në Stamboll), së fundi edhe nga imami i ri Mulla Idris Gjilani. Babi i tij Taipi ishte ithtar i flaktë i arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe.

Përkundër kësaj atë kohë nuk funksiononin shkollat shqipe atëherë doemos babai Taipi veproi, dhe Hakiun-fëmijën e tij të parë e dërgoi në shkollën ekzistuese në fshatin e tij-Hogosht në gjuhën serbe. Hakiu shkollën fillore serbe e kreu me sukses të shkëlqyeshëm dhe ishte nxënësi më i mirë në shkollë.

Duke e parë këtë si dhe me një ndikim të madh që pati tek Taipi (babai i Hakiut)- Mulla Idris Gjilani, i cili në atë kohë ishte imam në xhaminë e Hogoshtit-si dhe vendosmëria e tij prej një arsimdashësi për çka edhe kishte deklaruar më parë se:”Po qe nevoja edhe shtëpinë kam me shitur me e shkollua Hakiun”-Hakiun e dërgon në shkollim të mëtejmë në Medresen “Medah” në Shkup. Medresen “Medah” të Shkupit e kryen në vitin 1940 dhe kthehet menjëherë në Hogosht për pak kohë e për të vazhduar pastaj në Gjilan –shpërndarjen e diturisë që kishte fituar nga myderizët e njohur të medresës në zë si Atullah effendi Kurtishi (i cili ishte edhe rithemelues i Medreses “Medah”)e të tjerë..

Një kohë të shkurtër kishte shërbyer si imam në xhaminë “Atik” në Gjilan. Medreseja “Medah e Shkupit jo vetëm që ishte shkollë fetare, por ajo ishte çerdhe e edukimit patriotik e atdhetarë të të gjithë myslimanëve shqiptarë që e kryenin këtë Medrese.

E tërë kjo tek Hakiu kishte lënë mbresa të pashlyeshme në vetëdijet e tij prej një personaliteti me përcaktim të qartë fetar politik, patriotik e atdhetar gjë që e cyti Haki efendiun të hap Medresen “Atik” në Gjilan ndër medresetë e para në regjion (ndoshta edhe më gjerë) pasi që ato ishin mbyllur nga mbretëria sërbosllave.

Ku për Myderriz ishte zgjedhur Haki efendiu. Hapjen e Medresesë “Atik” në Gjilan regjimi i atëhershëm nuk e shikoi me sy të mirë dhe prej këtu edhe filluan përndjekjet, meltretimet e më vonë edhe burgosjet e myderiz Haki efendiut.

Përkundër kësaj ai i kishte dhënë detyrë vetes si dhe ishte betuar se tërë jetën do t’ia kushtoi shkollimit, edukimit fetar si dhe çlirimit të atdheut. Këtë e kishte edhe porosi nga Mësuesi i tij Atulla Efendi Kurtishi, i cili para se të ndërroi jetë kishte lënë një amanet për nxënësit e tij që të mos i braktisin trojet e veta, të cilat me gjak i kanë mbrojtur gjyshërit e stërgjyshërit tanë.

Myderiz Haki efendiu në Medresenë “Atik “ të Gjilanit futi edhe mësimin në Gjuhën shqipe ku për mësues angazhoi mësuesit nga Shqipëria si:Malo Becin, Hasan Dungjerin e të tjerë. Myderris në Medresen “Atik” ishte deri në vitin 1946 kur edhe e burgosin,për veprimtari armiqësore kundër shtetit sërbosllav, në krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Haki Efendiu ishte bashkëpunëtorë i ngushtë i Mulla Idriz Gjilanit, pastaj me Mulla Riza Poliqkën-Shurdhanin, Mulla Riza Marevcin, Mulla Hysen Islam Zhujën (Osmanin), me Hafëz Nexhatiun e Preshevës,me të cilët pos atdhedashurisë dhe kauzës kombëtare i lidhte edhe profesioni dhe feja si dhe me Gjon Sereqin në kuadër të Lëvizjes NDSH në këto anë të Kosovës.

Myderriz Haki ef.Sermaxhaj në mes ulur me 62 nxënës të Medreses “Atik” në Gjilan, në vitin 1943 Burgosja e Haki efendiut në gusht të vitit 1946 bëri bujë të madhe tek popullata e kësaj ane. Kur ai u Transferua nga burgu i Gjilanit në atë të Ferizajt e më pas në atë të Idrizovës në Kalanë e Shkupit e përshkruajmë një ngjarje (tregon Biri i tij z. Irfani) që e kishin dëgjuar kalimtarët e rastit që e kishin parë internimin e Myderriz Haki efendiut për në Burgun e Idrizovës-në Shkup. Njeri nga qytetarët (me kombësi sërbe) i cili e kishte njohur Haki efendiun i kishte pyetur bashkë qytetarët e bashkëkombësit e tij: ”A ju ka dhimbsur Hakiu”, duke mos pritur përgjigjen e tyre kishte theksuar vet se :”Jo, jo pak ju paska dhimbsur ai ju, pasi që vet ju pak bëtë për te.”

Për Myderriz Haki efendiun fatale ishte qëndrimi i tij në burgun e Idrizovës në Kalanë e Shkupit. Këtu maltretimet,dhuna e reprezaljet në qeli nuk iu ndalën për 52 ditë radhazi. Gjatë kësaj periudhe ai u sëmurë rënd nga tuberkulozi sa që edhe kur erdhi dita e gjykimit ai ishte i shtruar në spital. Ishte dënuar me vdekje,-tregon djali i tij Irfani,por pasi që ishte i sëmurë rënd atë dënim ia kishin zbutur me dënimin prej 20 vjet burgim – heqje lirie.

Menjëherë e dërguan në vuajtje të dënimit nëpër kazamatet jugosllave si në burgun e Nishit për të përfunduar pastaj në burgun e Mitrovicës së Sremit në vitin 1947. Në Këte burg nuk mundi tu qëndroi shumë rrahjeve, torturave e maltretimeve të njëpasnjëshme, të cilat e quan deri në vdekje, dhe pushteti i atëhershëm e bëri atë që deshi-e mbyti mizorisht. Myderriz Haki efendiu ndërron jetë në vitin 1948 dhe varroset po në qytetin e Mitrovicës së Sremit, duke mos lajmëruar familjen e askënd nga të afërmit e tij për vdekjen e tij (çka edhe mbetet enigmë e tërë ngjarje e vdekjes së tij) dhe sot e kësaj dite kur nuk i dihet varri i tij.

Myderriz Haki efendiu ishte njeri ndër kolosët fetar të regjionit të Anamoravës, kishte një edukatë të lartë fetare, i devotshëm, njeri i arsimuar, intelektual, human, trim, atdhetar e patriot i shquar, i cili një jetë të tërë ia kushtoi dhe e flijoi për çlirimin e atdheut.

Myderriz Haki efendiu një javë para vdekjes u kishte lënë amanet shokëve të tij në burgun e Mitrovicës së Sremit se:”Për atdhe duhet të flijojmë gjithçka, pasurinë, evladët, etën…..Vetëm liria e atdheut i ka rrënjët në gjak dhe vetëm sakrifica e bijve të tij e rrisin atë”.

Myderriz Haki efendiu pas vetit la bashkëshorten Hidajeten (tani e ndjerë) dhe dy djemtë: Irfanin dhe Taipin,të cilët me familje me plotë nipa e mbesa jetojnë në Gjilan./rajonipress/