Eko Higjiena

Shkolla e Zhegrës, në Ditën e Mësuesit, i përkujtoi punëtorët e saj që mungojnë

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në ditën e 7 Marsit – Ditën e Mësuesit, drejtoria e Shkollës fillore “Agim Ramadani”, në Zhegër, përkujtoi me një tubim përkujtimor duke i nderuar punëtorët e saj, të cilët kanë vdekur para pensionimit të tyre. Me këtë rast, Rrahman Agushi, drejtor shkolle tha se, sot, mu në ditën e Mësuesit, zgjodhëm këtë “organizim”, i cili ka të bëj me rastin e vdekjes së arsimtarëve të shkollës sonë që nuk patën fatin të punojnë gjer në pensionimin e tyre.

“Të nderuar kolegë e familjarë, sot është një ditë krejtësisht tjetër nga ditët e mëparme. Këtë ditë të Mësuesit e zgjodhëm si ditë përkujtimi e nderimi të kolegëve tanë, të cilët na ikën para kohe nga mesi jonë. Edhe ky tubim, jo si takimet tjera, na kthen tek historia e shkollës së parë shqipe e vitit 1878, datë kjo shumë e rëndësishme për kombin tonë. Por, kësaj here, dhimbja jonë është krejtësisht tjetër, për faktin se, në kolektivin tonë na mungojnë disa nga shokët e punës që punuan me ne, por nuk e pritën pensionimin e tyre si shumë të tjerët.

Janë këta emra që nuk do t’i harrojmë, por përherë do t’i përkujtojmë me pietet. Ata gjithmonë duhet të nderohen, sepse kanë kontribuar në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja në rrugën e quajtur – dritë. Sot, kur po i nderojmë kolegët tanë, në sytë e Juve familjarëve po vërehet loti e dhembja. Kjo dhimbje është edhe jona. Dhe, nuk do të ndahemi asnjëherë nga dhimbjet e pjesëtarëve tuaj, të cilët, si një, kontribuuan në rrugëtimin e rëndë të shkollës shqipe.

Ata ishin gjeneratë e një kohe që përjetuan ditët e rënda nën okupimin klasik të gjenocidit serb. Edhe pas shumë vuajtjeve pa paga e me jetë nën përcjellje, arsimtarët tanë kurrë nuk u gjunjëzuan para armikut”. Ai shtoi edhe këtë, se në “Ditën e Mësuesit, jemi tubuar për t’i nderuar e përkujtuar këta pishtarë ta arsimit të kolektivit tonë, si janë: Latif Latifi (1946), Banush Mahmuti (1949), Ajvaz Ajvazi (1949), Ramadan Ajvazi (1958), Enver Haziri (1960, Naim Murseli (1957), Rabit Hasani (1957) dhe Teuta Hoxha (1972), mësimdhënëse e lëndës së Matematikes, ka vdekur në moshën 45-vjeçare. Ju qoftë i lehtë dheu!”.

Ndërsa, Xhelil Rrahmani, zv. drejtor shkolle tha se, jemi mbledhur këtu për t’i përkujtuar një kapitull të lavdishëm të pishtarëve tanë, të cilët, akoma pa i mbushur vitet e pensionimit, ikën në botën e amshimit. “Sot po i përkujtojmë e nderojmë kolegët tanë, të cilët dhanë nga veti gjithçka vetëm e vetëm për të mbijetuar shkolla jonë kombëtare shqipe. Edhe në kohët më të rënda nën okupimin serb, kolegët tanë, që sot na mungojnë, ia dolën faqebardhë dhe triumfuan për të mbijetuar shkolla jonë shqipe. Nuk dua ta zgjas më shumë, sepse veprat e kolegëve tanë flasin dhe nderohen nga të gjithë. Zoti i bekoftë! I lehtë u qoftë dheu i Kosovës”!

UBT

Adem Ajvazi, djali i arsimtarit Ramadan (që mungon), tha se, prej këtij numri të arsimtarëve, që sot mungojnë, njëri prej tyre është edhe prindi im. “E kam vështirë të flas, por po mundohem që ta frenoj vetëm e të shtoj pak se, sot, kur është Dita e Mësuesit, e ndjej në vete shumë mungesën e prindit. Ai ka qenë prind i artë, prind që ma ka ndihmuar shumë në jetë. Por, ja jeta, ajo e mori, si i muar edhe kolegët tjerë të tij. Ishte prind i afërt, komunikues dhe punëtor”.

Ndërsa, Beqir Hoxha, prindi i Teuta Hoxha tha se, sot po e ndej një dhimbje, por, kur po e shoh se udhëheqja e shkollës nuk po i harron këta punëtorë të saj, dhimbja më është lehtësuar.

“Teuta ishte një vajzë e sjellshme dhe punëtore. Iku para kohe. Por, një porosi e kam për arsimtarët, të punojnë me përkushtim për të mirën e popullit dhe vendit tonë. Ju faleminderit!”

Në këtë ditë përkujtuese, disa nga shkollarët e kësaj shkolle dhanë një program modest duke recituar vjersha dhe ndonjë monolog lidhur me “ngjarjen” e sotit në Zhegër. Drejtoria e shkollës në fjalë, për mësimdhënësit që mungon, iu nda familjarëve nga një mirënjohje postmortum./tefik selimi/rajonipress/