Fundamenti

LDK-ja rikthen Prishtinën, humb Kosovën

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka humbur edhe një mundësi për ta rrëzuar pushtetin e PDK-së dhe qeverisjen e kryeministrit Hashim Thaçi. Bazuar në rezultatet preliminare të OJQ-ve, me 26.3 për qind të votave, LDK-ja është radhitur për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare, si partia e dytë në vend pas PDK-së.

Ndonëse, në orën 09:00 të mëngjesit të së dielës lideri i LDK-së, Isa Mustafa, uroi që zgjedhjet të sjellin rezultate të mira, LDK-ja pas deklarimit të rezultateve nga Exit-Poll ka reaguar ashpër duke quajtur rezultatet të manipuluara. Zyrtarë të lartë të LDK-së u kanë bërë thirrje gjatë ditës organeve kompetente, KQZ-së, Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

“Duke iu referuar informacioneve që kemi nga terreni, por edhe të dhënave që raportojnë organizatat, të cilat po i vëzhgojnë zgjedhjet, siç është edhe raporti pak më i hershëm i Demokracisë në Veprim, mund të konstatohet se ka tendencë për manipulimin e rezultatit real të votimit.

LDK-ja, po ashtu, pohon fuqishëm se nuk do të pranojë asnjë rezultat të keqpërdorimit të votës së lirë, në asnjë vendvotim, në të cilin konstatohet se diçka e tillë ka ndodhur”, thuhet në reagim. LDK-ja e ka quajtur sondazhin e Exit-Poll, të paguar.

“Nëpërmes sondazhit të paguar, PDK-ja po përpiqet që të dekurajojnë komisionarët e partive të tjera, për të manipuluar procesin zgjedhor”, është thënë në një kumtesë të LDK-së. Kjo parti ka ftuar gjatë ditës qytetarët që të kenë durim dhe të presin shpalljen e rezultateve, duke besuar se të dhënat nga terreni tregojnë për fitore.

KKVITI

“Rezultatet që i ka deri më tani LDK-ja, tregojnë për fitoren tonë, më të thellë sesa që ne kemi pritur. I informojmë qytetarët e Kosovës se organizata, e cila ka organizuar sondazhin, nuk ia ka qëlluar rezultatit zgjedhor në Shqipëri për më tepër se 14 për qind. Kjo organizatë, prapa të cilës fshihet Petrit Selimi, po përpiqet që ta nxjerrë fitues Thaçin, të paktën edhe pak minuta”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Por, në orët e mbrëmjes simpatizantët e LDK-së nuk janë tërhequr nga rrugët që kanë dalë të festojnë pa vonuar pas rezultateve të zgjedhjeve, edhe pse simpatizantët e PDK-së të shtyrë nga rezultatet e publikuara nga OJQ-të kanë vërshuar më shumë rrugët e kryeqendrës.

Flamujt e dy partive kanë garuar nëpër veturat e militantëve të të dy partive, si shenjë e fitores të njërës dhe të tjetrës parti. Ky kremtim ka zgjatur deri në orët e vona të mesnatës, pa u dorëzuar militantët e partive, ata të PDK-së, të gëzuar për fitoren, dhe ata të LDK-së, duke besuar se rezultatet mund të ndryshojnë në favor të kësaj partie nga çasti në çast.

Megjithëkëtë, LDK-ja ka rikthyer Prishtinën për nga numri i votave krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale, e cila humbi bastionin e saj nga partia e Albin Kurtit. Sipas disa numërimeve të rezultatit nga ana e KQZ-së, nëpër disa komuna, në Prishtinë LDK-ja ka marrë 37,77 për qind të votave kurse VV-ja 20,64 për qind./zeri/