UBT

Mbrojtja e votës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Tetë qershori mund të paraqesë kthesë historike për Kosovën dhe qytetarët e saj. E drejta për të votuar, si një ndër të drejtat themelore qytetare, kësaj radhe është më e rëndësishme se kurrë.

Secili nga ne do të ketë mundësi që nëpërmjet shfrytëzimit të kësaj të drejtë t’i japim fund një sistemi autoritar, që ka vënë tërë shtetin nën shërbim të disa individëve dhe ka kontribuar në shkatërrimin e imazhit të vendit tonë me skandale korruptive, migrim ilegal dhe tenderomani.

Në fakt, Qeveria Thaçi ka qenë fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur vendit tonë që nga shpallja e pavarësisë. Në kurriz të qytetarëve u ndërtua pasuria e pushtetarëve, vëllezërve të qeveritarëve, kushërinjve, nipave e tezakëve, por nuk u ndërtua shteti demokratik që siguron mirëqenie për qytetarët. Kjo ishte një qeveri që rrënoi themelet e demokracisë dhe të lirisë së të shprehurit, që ka bërë që sot Kosova të jetë nën nivelin e shteteve afrikane sa i përket lirisë së mediave, korrupsionit, papunësisë dhe GDP-së.

Qytetarët nuk panë asnjë perspektivë të zhvillimit ekonomik e punësimit, sepse përkundër premtimeve, gjatë këtyre viteve papunësia nuk u zvogëlua por u rrit në mbi 40 për qind, njëjtë siç u rrit edhe inflacioni dhe çmimet e produkteve bazë. Qytetari, në fakt, nuk ishte as prioriteti i fundit i Qeverisë Thaçi, dhe premtimet që ai i dha u harruan në momentin që mori timon e qeverisë. Se njëjtë do të vepronte edhe tani sikur t’i fitonte zgjedhjet, nuk ka dyshim, dhe këtë qytetarët tashmë e kanë të qartë, pavarësisht premtimeve të mëdha që Thaçi po i bën çdo ditë, duke shkelur edhe rregullat e fushatës zgjedhore. Por gjithë kësaj qytetarët e Kosovës kanë mundësi t’i japin fund me 8 qershor. Dhe unë jam e bindur se pikërisht kjo do të ndodhë.

Hidromorava

Asnjëherë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk kemi pasur arsye më të madhe për të marrë pjesë në votime. Ndryshimi në të mirë të vendit është në duart tona dhe kjo mund të bëhet realitet me 8 qershor. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse thjeshtë rrimë në shtëpi dhe vazhdimisht ankohemi për 4 vite me radhë, nëse nuk e shfrytëzojmë të drejtën e votimit. Secila votë është më rëndësi, secila votë është shpresë, dhe secila votë është vendimtare për këtë ndryshim. Por, po aq me rëndësi për këtë ndryshim është edhe mbrojtja e votës.

Manipulimet në zgjedhjet e vitit 2010 e kanë qartësuar se mbrojtja e votës së qytetarëve është esenciale për të siguruar një proces ku vullneti i qytetarëve nuk deformohet. Mungesa e legjitimitetit të Parlamentit të kaluar, ku PDK mbante shumicën si rezultat i vjedhjes së votës, është dëshmia më e mirë për këtë. Lidhja Demokratike e Kosovës do të punojë pa ndalur që të realizohet kjo mbrojtje e votës, dhe do të angazhojë me mijëra komisionarë e vëzhgues, pikërisht për këtë qëllim. Përfaqësues të shoqërisë civile e me qindra vëzhgues ndërkombëtarë do të punojnë po ashtu në këtë drejtim. Qytetarë të shumtë kontribuuan në mbrojtje të votës vitin që shkoi në zgjedhje lokale duke u bërë pjesë e projektit ‘Voto dhe Vëzhgo’. Por barra kryesore i mbetet organeve të rendit dhe të drejtësisë. Një punë e shkëlqyeshme e policisë dhe prokurorisë ka qenë vendimtare në mbajtjen e rregullt të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Tani e kanë testin e radhës. Në fakt, këtë test e kemi të gjithë: parti politike, qytetarë, institucione të drejtësisë e shoqëri civile. Do ta kalojmë me sukses nëse e mbrojmë votën dhe zëri e vullneti i qytetarëve përçohet drejtë. Jam e bindur se ky vullnet do të kërkojë ndryshim. Dhe këtë ndryshim mund ta sjellë vetëm LDK.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës)