FIDANISHTJA

Ka gjuhë shqipe, nuk ka gjuhë kosovare, nuk ka dialekt kosovar

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sinan Sadiku – Kanë rrjedh si kanë rrjedh punët ne e kemi një gjuhë të standardizuar, që për bindjen time do të duhej të korrigjohej, duke e legjitimuar përdorimin e paskajores, duke i hequr disa zgjatime të panevojshme të disa fjalëve, duke i futur në përdorim shumë fjalë nga leksiku i gegnishtes, dhe duke e hequr aty-këtu përdorimin e tepruar të shkronjës ë.

Megjithatë derisa të arrihet konsensusi gjuha standarde duhet të përdoret në institucione siç janë administrata shtetërore, shkollat, mjetet e komunikimit masiv… Shqiptarët çdo kund e flasin gjuhën shqipe. Andaj nuk ka gjuhë kosovare ose kosovarishte. Ka dialekte dhe nëndialekte të gjuhës shqipe, por nuk ka gjuhë kosovare dhe nuk ka pas asnjëherë, sepse secili regjion, secila krahinë ose krahinëz e ka përdor të folmen e vet. Andaj mund të flitet për të folmen e Gallapit, të Anamoravës, të Llapit, të Drenicës, të Rugovës, të Hashanisë, të Gjakovës… Por jo për të folmen kosovare.

Nëse flasim për dialektin gegë mund të themi se veçmas ka qenë e zhvilluar gjuha e Shkodrës, shkodranishtja letrare, në të cilën gjuhë janë shkruar me qindra vepra. Sa i përket Kosovës deri në standardizimin e gjuhës shqipe kanë qenë të shkruara pak libra dhe ata libra ose janë mbështet në ndonjë nëndialekt ose e kanë pas si model gjuhësor ndonjë vepër nga Shqipëria. Disa nga shpikësit e kombit kosovar, ose ndonjë injorant mbështetës i tyre, duke e llogaritur të kryer punën e kombit kosovar, kanë shkruar se duhet të krijohet edhe gjuha e veçantë, kosovarishtja.

Realisht sot ekzistojnë kombi gjerman, austriak dhe pjesa e kombit zviceran që e flet gjuhën gjermane. Edhe gjuha gjermane ka dialekte dhe nëndialekte, porse në institucione, edhe në Gjermani, edhe në Austri e dhe në Zvicër përdoret një gjuhë standarde gjermane. Pra nuk ka gjuhë zvicerane, austriake, por ka gjuhë gjermane. Sa i përket letërsisë që mësohet në shkolla nuk ka dallime të mëdha midis këtyre tri shteteve. Gëte, Hajne, Shileri dhe shumë shkrimtarë të tjerë reprezentativ gjerman mësohen në shkollat e që të tri këtyre shteteve.

Hidromorava

Pra derisa gjermanofonët, që janë gati 100 milion, vetëm në Evropë, dhe që jetojnë në disa shtete, janë pajtuar ta përdorin një gjuhë standarde gjermane, cila është arsyeja, cila është e mira që ne shqiptarët, me një popullatë rreth 6 milion në Ballkan, të mos e përdorim një gjuhë standarde, por disa?! Sa i përket gjuhës që flitet në Kosovë dhe në krahinat e krahinëzat e saj, mund të them se gjuha standarde ka ushtruar ndikim shumë të madh, aq sa tani është lehtësuar shumë komunikimi midis shqiptarëve. Në komunën e Dardanës kanë ekzistuar tri të folme: e folmja e Anamoravës, e folmja e Gallapit dhe e folmja e Hashanisë.

Dallimet kanë qenë mjaft të theksuara. Gjuha e standardizuar i ka zbut shumë dhe gati i ka eliminuar dallimet, duke i spastruar edhe shumë barbarizma. Ndikimi i gjuhës së standardizuar është aq i madh sa edhe gjenerata ime që i kemi kaluar një gjysmë shekulli jetë, thuajse nuk dimë ta flasim gjuhën që e kemi fol gjatë viteve të shtatëdhjeta, edhe pse nganjëherë nuk jemi të vetëdijshëm për këtë. Pra te shumë fjalë kemi dilema se cilën shkronjë, cilin tingull e kemi përdor. Me që kurrë nuk ka ekzistuar një gjuhë kosovare e standardizuar, e besa as një gegnishte standarde në kuptimin e plotë të fjalës, përdoruesit e gegnishtes, ta quajmë kosovare, ose mund ta shkruajnë gjuhën e krahinës apo krahinëzes së vet ose mund të bëjnë kombinime të ndryshme.

Disa shkrimtarë që shkruajnë në dialektin gegë “kosovar” shpeshherë e bëjnë një përzierje të tillë: pak nga e folmja e krahinës së vet, pak nga e folmja që e kanë dëgjuar nga krahinat përreth, pak nga gegnishtja shkodrane dhe pak nga shqipja standarde. Veprat letrare të disave dalin të mira, të disave të dobëta e shumë të dobëta. Megjithatë edhe te shkrimtarët më të mirë shihen dobësi që nuk shkojnë, improvizime artificiale etj. Kuptohet veprat letrare mund të shkruhen edhe në gjuhën jostandarde dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Sidoqoftë ai që shkruan duhet të jetë mjeshtër i përdorimit të gjuhës, sepse ka gjëra që s`mund të kombinohen, ose nëse kombinohen japin shije të keqe.

Andaj po e përsëris, nuk ka asgjë të keqe nëse dikush shkruan apo këndon në dialektin gegë, por atij do t`i preferoja që të mbështetet në të folmen e krahinës së vet dhe në gjuhën gege të shkrimtarëve të shquar. Kuptohet, në shumë raste edhe në gjuhën standarde e cila nuk ka asnjë mundësi të anashkalohet, sepse ajo tashmë është brenda gjuhës, brenda logjikës, brenda mendimit dhe përjetimit tonë. Dihet ai që është mjeshtër di të bëj kombinime të natyrshme, të krijojë vlera, të tjerët mund të dështojnë. Shtrohet pyetja a do të duhej të bëheshin ato korrigjime që i shënova në fillim? Mendoj që është dashur të bëheshin deri tani, por nuk janë bërë për shkak të ngurtësisë së tepruar të gjuhëtarëve me ndikim dhe disa faktorëve të tjerë. Por a mund të presim? Mendoj që mund të presim./rajonipress/