Rrugëtim (Prozë poetike)
Nis rrugën e gjatë dhe në ecje hapi im kumbon duke më shoqëruar përtej malit të frikshëm. Më shoqëron si hije tmerruese, si ëndërr makthi. Mandej se kush më flet, që njeriu kurrë nuk mund ta zërë hapin e vet.
Gjurmët e kohës bien nën këmbë dhe rrëshqasin, si akrepat e orës që tërheqin njëri-tjetrin në vrap. Edhe koha po i tërheq hijet e veta prapa vetes, në një harrim të pakthyeshëm…
Duke jetuar në këtë botë çmendurake, tjetërsojmë njëri-tjetrin në gjithçka dhe në asgjë.
Nuk është për t’u çuditur nëse edhe hapi im përtej meje do të ishte vdekja ime e fundit.
Të gjitha ëndërrimet ikën dhe pas vete lanë gjurmët e pranverës së vonuar.
Në prehrin e natës kotet mërzia, duke përkundur djepin e zbrazët në vetminë e humbur të jetës.
Nga ky udhëtim, do të ruaj dhimbjen time pa lot, sepse lot më s’kam, e trishtimi nuk është vajtimi im i fundit, por një gur i rëndë që peshon në vendin e vet pa vend./rajonipress/
Ramadan Mehmeti

