Tri shqiptare, kandidate për Mis Zvicra 2014
Tri finalistet shqiptare që marrin pjesë në spektaklin që mbahet më 11 tetor, janë: Donika Krasniqi, Saranda Maliqi dhe Anita Shala.
Nëse në shumë fusha përfaqësimi ynë si shqiptarë në Zvicër përgjithësisht çalon, kjo nuk mund të thuhet për konkurset e bukurisë.
Kështu, vitin e kaluar, në finalen “Miss Schweiz 2013” merrnin pjesë tri bukuroshe shqiptare. Ato vërtet nuk hynë në mesin e tri më të bukurave por sidoqoftë, si sukses mund të konsiderohej edhe arritja e tyre në finale.
Edhe këtë vit kemi një përfaqësim të njëjtë në spektaklin e bukurisë zvicerane. Sërish në mesin e 18 finalisteve janë tri vajza shqiptare.
Siç i ka prezantuar revista “Schweizer Illustrierte” në numrin që ka dalë të hënën, më 17 mars, tri finalistet shqiptare janë: Donika Krasniqi, Saranda Maliqi dhe Anita Shala.
Informacionet për vajzat shqiptare ashtu si dhe për të gjitha kandidatet, jepen ende mjaft të kursyera.
Donika Krasniqi është 19 vjeçe. Ajo studion artin dhe vjen nga lokaliteti Thelle-Wavre në kantonin frankofon Neuchatel (Neuenburg).
Anita Shala ka 20 vjet dhe jeton në Emmenbrücke të Lucernit, ku punon si asistente e dentistit. Ndërsa Saranda Maliqi është më e vjetra në mesin e tyre. Ajo ka mbushur 23 vjet, jeton në Schönnewerd të Solothurnit dhe punon si asistente e sekretarit të komunës si dhe përgjegjëse për nxënësit në zanat.
Ndonëse është ende shumë herët për prognoza, bazuar në preferencat e lexuesve në sondazhin e publikuar në portalin e revistës “Schweiz Illustrierte”, Saranda Maliqi del më e votuara. Ajo ka marrë votat e 13 për qind të votuesve!
Të shpresojmë se ky trend do të vazhdojë edhe më tutje dhe që së paku njëra nga tri vajzat shqiptare të mbërrijë te kurora ose “aty afër”.
albinfo.ch

