ARKATANA

Vdesin dy të rinj shqiptarë në një aksident në Kanada

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Shokët më të mirë, Albunit Hiseni dhe Flamur Miftari, të cilët vdiqën së bashku në një aksident automobilistik të enjten, kishin një ëndërr të përbashkët për t’u bërë policë dhe po planifikon të shkonin në vendlindje.

Dy 21-vjeçët, që të dy nga Kosova, pritej të diplomonin nga programi themelor për polic në Kolegjin e Niagaras në muajin prill, ka thënë motra e Hisenit, Albana. Ata ishin duke shkuar në shkollë ditën e aksidentit.

“Ai dëshironte të bëhej polic. Ishte shumë i zgjuar”, thotë Albana, duke theksuar se vëllai i saj kujdesej për prindërit dhe ëndërronte mbrojtjen e komunitetit. “Ai më tha, “Do të bëhem polic i mirë”.

Hiseni dhe Miftari ndërruan jetë kur makina e tyre u godit nga një tjetër makinë “pickup” gjatë një aksidenti ku u përfshinë tri makina në Rrugën Rajonale 20 të enjten.
Të mërkurën, kunata e Hisenit kishte lindur një vajzë. Nëna e tij e kishte këshilluar atë të mos voziste në shi, por ai kishte vendosur të shkonte ta takonte mbesën e tij. E tani, thotë Albana, ata janë shumë të lumtur që arriti ta takonte atë.

“Ai tha, ‘Do ta takoj atë. Mezi pres ta shoh’. I falënderohemi Zotit që shkoi ta takonte”, thotë Albana mes lotësh.
“Ai kishte shumë plane. Kishte rezervuar një biletë që të shkonte në shtëpi më 16 qershor”, shton ajo.
Familja ka 15 vjet që janë në Kanada ndërsa kanë vendosur që varrimi i tij të bëhet në Kosovë.

Ndërsa Miftari ishte “një prej shpirtrave më të dashur që ka ekzistuar ndonjëherë dhe shkuarja e tij ka prekur shumë jetë”, thotë motra e Miftarit, Liridona Miftari për “The Spectator”.
“Miftari kishte planifikuar të fluturonte me Hisenin në vendlindje pasi të diplomonin”, thekson Liridona.

Mobi Casa

Miftari, i cili kishte dy vëllezër dhe dy motra, “kishte synim dhe përkushtim të lartë”, thotë mikesha e tij, Stephanie Tomkin.
“Ai kishte planifikuar të shkonte në Otava vikendin e ardhshëm për të aplikuar për punë në polici”, shton Tomkin.

Pas marrjes së distinktivit të policit, Miftari ishte zotuar se do të pastronte rrugët e Hamiltonit, duke përmendur në veçanti një rast të vikendit të kaluar kur ndodhi një përleshje me thika në atë pjesë.

Miftari ishte gjithashtu një prej njerëzve më pozitivë që ajo ka njohur: çdo mëngjes, ai shkruante në Twitter, “ngrihu dhe shndrit botë, s’ka kohë për t’u humbur”.
Tomkin thotë se Miftari shkonte tek shtëpia e saj dhe i dërgonte pica. Ai gjithashtu e ngushëllonte atë kur ajo ishte keq, duke i thënë, “disponohu, gjithmonë mund të llogarisësh në mua, motër”.

“Ende nuk e kam pranuar këtë fakt dhe nuk e di a do të mundem ndonjëherë… U përshëndeta me të si duhet. Por, nuk e dija se do të ishte përshëndetja e fundit me të”, thotë Tomkin.

Një mikeshë tjetër, Rinaa Hyseni, thotë se nëse dikush është ndjerë i mërzitur, Miftari ngrihej në këmbë dhe vallëzonte për ta zgjuar nga gjumi shoqërinë.
Policia thotë se një makinë që ka qenë duke u vozitur nga një 20-vjeçare nga Glanbrook kishte humbur kontrollin si pasojë e rrugëve të mbuluara me borë dhe akull.
Makina e saj goditi një makinë tjetër “pickup” të ngarë nga një 57-vjeçar nga Wainfleet. Kamioni më pas kaloi në anën tjetër dhe goditi makinën ku ishin Hiseni dhe miku i tij, Miftari.

Femra në makinën e parë nuk u lëndua fare. Ndërkaq, pasagjeri 64-vjeç që ishte në kamionin e 57-vjeçarit, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Lëndime kishte pësuar edhe shoferi i kamionit./KOHA.net/