Poezi të përzgjedhura nga krijimtaria e Bajram Kosumit
Barbarët në darkë më ftojnë, Dhe futem mes tyre. Askush më shanë as më pështynë, Koka as më dhemb, As më gjykojnë.
Barbarët më ftojnë në darkë
Barbarët në darkë më ftojnë
Dhe futem mes tyre.
Askush më shanë as më pështynë
Koka as më dhemb
As më gjykojnë.
Shtrihem të pushoj, djallin s’e kam me vete
Më ngopin me verë e vajza të thyeshme
Mbret e patrik më bëjnë
Patrik e mbret
Se flas, ha e pi si ata vetë.
-Ulu, ulu këtu, bir
Jemi vëllezër të një koke!
E s’më vënë në turrë të druve
As më gozhdojnë
Përmendet as mëkati im i të shkruarit.
Shtrihem qetë e turqisht.
Dalëngadalë mbisundoi nata,
E gjumi i këndshëm
S’më lë kurrë ta them më fjalën!
Sa shpejt e mësuam Barbarishten …
Sa shpejt e mësuam barbarishten
Edhe pse format gramatikore
I ka krejt të pamundshme
Ose s’i ka fare.
E mësuam më shpejt se çdo gjuhë të huaj.
As vandalët, hunët, tatarët. ..
S’e pushtuan botën
Më shpejt se ne gjuhën e fshehur.
Fletë fletë e shpaluam trurin,
Nxorëm fjalët e zorshme
Dhe tash
Flasim, heshtim, mendojmë
Qartë e barbarisht,
Ribëjmë Homerin, Brunon … historinë,
Krejt filozofinë e mbërthejmë
Me nocionet e shenjta barbare,
Shkruajmë poezi e libra të tjerë Bëjmë
Kryevepra barbarishteje …
(1997)
Në gjumin e pasdrekes
Në gjumin e pasdrekes më erdhi Fati
Me të panjohurat e pritura vite të tëra
Ditë, orë, çaste …
Mendimeve të lagura
Ëndrrave të bukura.
Në gjumin e pasdrekes kishte ardhur,
Trokitur në derë
Një herë
Dy herë
Tri herë
Dorezën lëvizur …
E kur ishte bindur se gjithçka qe e mbyllur
Si një konservë peshku,
Kishte ikur
Si vera kah dera.
Në gjumin e pasdrekes
Erdhi, pa dhe iku
Duke lënë vetëm një shenjë
Në pluhurin e xhamit të derës …
(1994)
Konstruktorët
Pesë konstruktorët e shenjtë
Që mbajnë shëlbime për çdo çast
“Që do të gjykojnë të gjallët dhe të vdekurit”,
Radhisin nëpër rafte të kaluarën
Të sotmen, të ardhmen,
Natë e ditë,
Të sfilitur por të freskët Të moshuar por të rinj
Të zhubravitur por të hekurosur. ..
Ngrysen e gdhijnë.
Me veglat e shenjta të makijazhit
Mbi Fjalorin e Madh të Jetës,
Pa u lodhur
Ndërrojnë shkronjat
Ndërrojnë fjalët
Ndërrojnë shenjat. ..
O jesu, jesu,
Ju mëkatet na falni
Dhe na rikonstruktoni ndërdijen
Sipas rastit, sipas nevojës!
Ndërromani, ju lutem, kokën
Nëse e kam keq!
Zhvendoseni katragjyshin, nëse ka qenë i çalë,
Ose zhbëjeni fare atë derr çalaman!
O jesu…
Zhbëjeni dhe bëjeni ashtu si dini ju
Që të shpëtojmë nga mëkatet,
Se vetëm ju e dini rrugën
Për në parajsë …
(1992)
Kastruesit
Ja po vijnë kastruesit e mbretërisë
Rend me rend me ritual,
Ia fillojnë punës
Me mjeshtri e pa kujdes.
Mbledhin turma fjalësh e idesh
Fjalorë, sintaksa dhe bibla
Gjëra të fshehta e magjike
Në seanca të gjata stërholluese,
I shtrojnë në tavolinë.
I rrotullojnë nga të gjitha anët
I prekin nga të gjitha anët,
Me lutje mitike i mëkojnë …
– Ngadalë bir, o bir,
Të dhemb thellë por shpejt harron
Vjen një gjumë purpuri
Zoti djallin shpirtit ta vdirr …
(1997)
Në Bibliotekën e Aleksandrisë
Mbrëmë isha në Bibliotekën e Aleksandrisë.
Nëpër skutat e errëta
Pashë fakte që përmbysin historinë tonë të shkurtër
E mendjemadhe
Papiruse të radhitura nëpër rafte të shumta
Të vjetra dyzet shekuj.
Nuk është aspak e vërtetë
Se këtu janë ruajtur
Vetëm pesëqind mijë papiruse!
Me sytë e mi pashë vargun e pafund
Dhjetëra mijëra tituj veprash …
Nëpër duart e mia shfletova krejt historinë
Që ne po mundohemi kot ta rindërtojmë
Krejt këngët, doktrinat, dyshimet…
Qindra kultura
Besime
Ide …
Që ju i shembët për një orë
O cezarë e pompe!
…………………………………..
E pse po rren, o i gjorë!?
Mbrëmë nuk isha në Bibliotekën e Aleksandrisë
As pashë copë papirusi!
Nuk isha as mund të shkoj
Unë a kushdo qoftë
As sot
As nesër
As kurrë
Kurrë më përjetë …
Gjordano Bruno
Shkuam njëherë në Romë
Për të parë një magji.
Në Sheshin e Shën Pjetrit
Turma pështynte e shante
Mbi Demonin
Skëterrin …
E Ai,
I lidhur me zinxhirë
Heshtte dhe qeshte i frikësuar
Sikur ta kishte zbuluar atë çast misterin.
Kur ia dogjën trupin
Nga hiri i tij fluturoi një zog feniksi
Ja, tha kryezoti,
I doli djalli nga shpirti!
(1988)
Bekimi i fundit për Ikariusin në Delfi
(bekim publik)
Hajt o bir merre këtë udhë
Bëhu mbret si të gjithë ne.
Këtë kokorr merr madhështor
Këtë Dalilë të këputur
Tri fuqi verë shekullore …
Më mirë
Hiq dorë nga gjithë ato që ke në kokë
Se vjen një ditë
As në qiell as në tokë
Sy qorr shpresë humbur …
O bir
Po ti i vdekshëm je!
Ha pi e fle
Dhe asgjë më shumë
Se besnikja turmë!
Tej fatit krahët s’të endin,
Më mirë
Pije këtë verë bekimi dhe harro
Gjërat që të çmendin.
Hajt o bir
Bëhu mbret si të gjithë ne …
(1997)
Tokë e shkretë
Tokë e madhe o Ballkan
E pafund, e paanë,
Fise, popuj, ardhacakë
Për cezarë e kapedanë
Për të humbur e lakmitarë
Për Azi dhe Evropë …
Tokë, tokë dhe përsëri tokë …
Veç për varre s’doli kurrë
As tokë
As gurë.
Mbeti vdekja pa fre përjetë
O Ballkan, tokë e shkretë …
(1990)
Ode për librat e bibliotekës sime
Kur më arrestuan,
Librave të bibliotekës sime
Në gjoks automatikun ua vunë,
I futën me dashakeqësi në thes
Si paratë e vjedhura në bankë.
Atje poshtë, në ferr,
E ndjeja veten më të qetë para vdekjes
Kur dija që aty afër në një qeli
Qëndronin burrërisht Brehti, Koperniku,
Marksi, Hikmeti
Odiseja që e kisha lexuar gjashtë herë
Krejt kompleti i Kadaresë
Khajami, Hamleti …
Dhe kushedi
Sa e sa shekuj të tjerë!
(1989)
Mbrojtja ime
Kryengritjen e Spartakut e bëra unë.
Në Betejën e Kosovës trimërisht pata rene
Atë natë që u ndërrua
Dielli me hënë.
Një shekull të kalbur bashkë me Robespierin
E rrëzova.
Pastaj më pushkatuan
Në Luftën e Parë
Në Luftën e Dytë …
Më grinë këmbë e duar
Zemrën, kokën, mushkëritë …
Kam qenë i organizuar me mijëra qytetarë
Kam marrë pjesë në mijëra demonstrata
Luftëra
Revolucione …
Që nga Antika deri në ditën e sotme.
Kam shumë bashkëluftëtarë.
Po t’ua tregoja emrat e të gjithëve
S’do t’i zinin as të gjithë procesverbalet
Regjistrat
Dhe kompjuterët tuaj …
– Zotërinj gjyqtarë,
Nuk pendohem për veprën e bërë!
(1989)
Një dhomë burgu
Katër hije si katër profetë
As të vdekur as të gjallë
As në botë as :lë varr
Të heshtur si mumiet
Secili i kërrusur mbi ungjillin e vet.
I pari ka vrarë djalin dhe gruan
I dyti futë perëndinë
I treti shanë gjithë njerëzinë
I katërti lexon Gjordano Brunon.
Katër hije si katër profetë
Me vitet shekuj qëndrojnë në të njëjtin vend
Mendojnë me zell, secili në mënyrë të vet
Jetojnë së bashku dhe jetojnë të ndarë
Në miqësi e armiqësi
Në shakara e në urrejtje
Në këtë jetë dhe
Tej kësaj jete.
(1985)
Baladë për gardianin Rade
Ai s’erdhi një ditë, as tjetrën,
As të tretën.
Pritëm plot një javë, s’erdhi kurrë jetën.
Oh, i mjeri Rade
A do të jesh diku gjallë!
E vinte çdo ditë
Kryelartë dhe krenar
Ti zgjojë të burgosurit.
Me rrezen e parë
I binte derës
– Hej, a jeni ende gjallë?
Me hapa të qartë
Trokitje të rëndë,
Mospërfillës deri në shpifje,
Por tepër serioz për theksin vrastar
– Hej, a jeni ende gjallë?
Çdo ag fluturonim
Fushave të atdheut,
Fëmijërinë e mbetur ëndërronim …
E Zoti thoshte në fillim fjalën
– Hej, a jeni ende gjallë?
Dhe kështu çdo ditë
Derisa mungoi një herë, dy herë, tri herë …
E s’erdhi më kurrë herë.
E kurrë më s’dëgjohej
– Hej, a jeni ende gjallë?
Oh, Rade im i mjerë,
Po ta shkruaj këtë baladë
Por, a do të jesh diku gjallë!
Mbas pushtimit të Krujës
Kot e qet atë hap të shkretë ta takosh dikë!
Aty ku më parë mizëronte njerëzia
Më nuk ka jetë.
Ja kufomat e fëmijëve dhe pleqve të sëmurë
Dergjen mbi dhe. Të tjerët vdiqën
Mbi mur atje.
Vdekja e ngopur po ikën si një fantazmë.
Shpata, heshta, ushta … mbetur ndryshk përdhe.
– Kishte këtu ndonjëherë jetë e hare?
Trishtim, të kesh ekzistuar para Krujës, vallë?
Apo, në një skutë ferri, ke gjëlluar
Të dalësh në ballë?
Varri ngre mbretëri. S’rrahë më zemër e Shqipërisë.
Po ngadalë! Një nënë po qanë
“Pi, o bir, pi sisë”!
Dhe përmbysë perandoritë.
(1985)
Shelgu
Këtu ka qenë Shelgu i Deli Agushit.
Kur ktheheshin malësorët nga pazari i Gjilanit
Nën degët e tij e shuanin etjen
Dhe luanin vallen.
Ja,
Mu te ajo shtëpia ku po lozin vogëlushët.
Aty ka qenë shelg u
Në të cilin turqit e kanë varur Deli Agushin trim!
(1989)
Buzëqeshja
Buzëqeshja u lind diku
Në një shtëpizë
Të një rrugice të panjohur.
Në një natë
Që s’është mitike si lindja e Krishtit.
Një natë e thjeshtë
Natë thjesht njerëzore…
Në shtërzime të rënda tej durimit
Në vaje
Në dhembje
Në plagë
Në djersën dhe gjakun e shekujve
U lind buzëqeshja.
(1989)
Ode për nënën
Të bëhet se po mendon kot, ashtu e mbështetur për lisi?
Shihja duart dhe do ta kuptosh
Se ajo është skulptor mbi të gjithë skulptorët
Si Homeri mbi poetët.
Këta dhëmbë të bukur Nëna t’i ka bërë.
Edhe shpatullat e forta, qafën delikate
Zërin që po e dëgjon …
Shekuj të tërë ka latuar në buzët tua …
Asnjë skulpturë s’do të ngjallë kaq ndjenja,
As të gjitha veprat e artit së bashku,
Sa sytë e tu …
Çdo pjesë
Imtësirë në trupin tënd
Për Nënën është jetë. Jetë e tërë.
Ajo lindë e vdes për veprën e vet.
Nëna
Që ka miliarda kryevepra
E në kokë bluan risi gjeniale,
Krijuesi që tash po rri e mbështetur për lisi,
Ashtu e lodhur
E mplakur
Thatime
E të bëhet se po mendon kot. .. /rajonipress/


