Fundamenti

Nuk ua kemi borxh

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Nga Arben Ahmeti – “I have a dream”, nuk është vepra më e mirë oratorike e luftëtarit të të drejtave të barabarta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Luther King. Kushdo që ka hulumtuar punën tij duhet t`i kujtohet një prej kryeveprave të shkruara prej Kingut. Kryevepër që nuk është roman, as libër, por një letër. Një letër nga burgu e shkruar pas arrestimit të Kingut dhe miqve të tij që në vitin e largët 1960, pasi që kishin vendosur që ta thyejnë vendimin e gjykatës së Alabamës për të ndaluar çfarëdolloj proteste, demonstrimi apo mbledhje publike. Me një fjalë, fjalimi i tij i famshëm “I have a dream” (Unë kam një ëndërr), është i përkryer për kah pesha artistike, dhe i rëndë e tepër me peshë për kah rëndësia politike, por nuk krahasohet me perlën e të menduarit që ka “Letter from Birmingham City Jail” (Letër nga burgu i qytetit të Birmingemit)”.

Futbolli, Martin Luther Kingu dhe baba

“I have a dream”, nuk është vepra më e mirë oratorike e luftëtarit të të drejtave të barabarta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Luther King. Kushdo që ka hulumtuar punën tij duhet t`i kujtohet një prej kryeveprave të shkruara prej Kingut. Kryevepër që nuk është roman, as libër, por një letër. Një letër nga burgu e shkruar pas arrestimit të Kingut dhe miqve të tij që në vitin e largët 1960, pasi që kishin vendosur që ta thyejnë vendimin e gjykatës së Alabamës për të ndaluar çfarëdolloj proteste, demonstrimi apo mbledhje publike. Me një fjalë, fjalimi i tij i famshëm “I have a dream” (Unë kam një ëndërr), është i përkryer për kah pesha artistike, dhe i rëndë e tepër me peshë për kah rëndësia politike, por nuk krahasohet me perlën e të menduarit që ka “Letter from Birmingham City Jail” (Letër nga burgu i qytetit të Birmingemit)”.

Pa dashur që të jap konstatime të tjera për madhështinë e tij, mu desh sërish ta lexoja letrën pas ndeshjes Serbi vs. Shqipëri, për shkak të mjeshtërisë me të cilën i definon pasojat e robërisë në personalitetin e një njeriu.

Pasi përshkruan faktin se ka 340 vjet që njerëzit e tij po i prisnin të drejtat e barabarta që ua kishte dhënë Zoti dhe kushtetuta, King flet për pasojat që le tek një i pabarabartë fakti i të qenit i pabarabartë.

“Ndoshta është e lehtë që ata që nuk e kanë përjetuar helmin e segregracionit të thonë prit por…”, shkruan King, dhe pastaj i renditë qindra argumente për ndjenjat e atyre që janë të veçuar, të trajtuar si njerëz pak më të këqij, që në Amerikë rastisi t’u thonë njerëz me ngjyrë, e neve në Ballkan rastisi të na thonë njerëz me bisht. Tek argumentet përmend një fakt që mua më përgjigjet në disa pyetje të fëmijërisë, ndonëse fëmijëria ime ndodhi në një skaj krejt tjetër të botës, në një kohë tjetër në rrethana dhe kushte të tjera.

“E zë veten gjuhëlidhur dhe tek belbëzon kur të kërkohet t`i shpjegosh vajzës gjashtë vjeçe se pse nuk mund të shkoj në parkun e lojërave që sapo u reklamua në televizion, dhe e sheh atë të zhytur në lot kur i thua se qyteti i argëtimit është i mbyllur për fëmijët me ngjyrë, dhe pastaj i sheh retë ogurzeza të inferioritetit tek mbulojnë qiellin e saj mendor dhe e sheh tek shtrembërohet në mënyrë të pavetëdijshme personaliteti i saj nga një hidherim ndaj njerëzve të bardhë”.

Nuk më kujtohet saktësisht mosha kur e kam lexuar këtë letër të King-ut, por e di se më pati dhënë përgjigje në disa pyetje fëmijërore: Pse baba im po detyrohej që të qëndronte me ne vetëm tre javë verës e një dimrit?! Pse unë nuk e kisha mundësinë që si fëmijët e fqinjëve të mi serbë, boshnjakë, goranë dhe ashkalinj të dilja me babën sa herë që doja në pazar, të shkoja në Prevallë, apo edhe t’i kërkoja që të ma rregullonte biçikletën që ma solli kur erdhi nga Gjermania?! Pse baba im nuk po gjente një punë në Kosovë?

Babën nuk kam guxuar ta pyes asnjëherë. Mendoja se nëse e zë njëherë të vetme derisa niset për tek autobusi që të qon në Gjermani edhe do ta pyes, por ai, nuk na zgjonte asnjëherë kur shkonte. Nisej herët, tepër herët dhe zgjimi i neve fëmijëve vetëm sa do t`ia rëndonte daljen nga shtëpia.
Nuk mu desh shumë inteligjencë për ta kuptuar se ne nuk ishim si serbët, që dorën në zemër atëherë u thoshim ndryshe. Nuk ishim as si boshnjakët e goranët, e as si ashkalinjtë. Ne ishim shqiptarë dhe nuk ishim të barabartë. Kësisoj në mënyrë të pavetëdijshme zhvilluam zemërim ndaj këtyre që nuk ishin si ne, ose thënë më saktë nuk na trajtonin se ishim sikur ata, por zemërimin më të madh natyrisht se e kishim ndaj super të privilegjuarve serbë e që ishin arsyeja kryesore e pabarazisë sonë.

Eco Higjiena

Karikatura e intelektualit

Të kërkosh sot të tërheqësh paralele mes urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve dhe zemërimit shqiptar ndaj serbëve nuk të bënë intelektual. Ndoshta të prezanton si karikaturë e një intelektuali, por nuk të bënë të tillë.

Zemërimi yt kundrejt urrejtjes që tjetri ka për ty nuk ta përligj krimin, njësoj si nuk e përligj as kërkesën e një të treti që të ndjehesh mirë e të mos e shfaqësh as zemërimin gjatë përballjes me atë që të urren. Do të ishte përulje e vetes dhe pranim i faktit që nuk je i barabartë një pabarazi e tillë. E pranimi i të qenit i pabarabartë është mëkati më i madh që mund t`i bësh vetes, por edhe dëmi më i madh që mund t`i shkaktosh atij që të urren.

Ne nuk ua kemi borxh serbëve urrejtjen që ushqejnë për ne, siç nuk ua kanë kroatët e boshnjakët. Nuk ua kemi borxh as thirrjet që të na vrasin e presin teksa luajmë futboll. Nuk ua kemi pasur as miliona borxhe tjera por që duke u munduar të sillem si kozmopolit që shmang zemërimin, kësaj radhe nuk do t`i përmend.

Budallallëku i budallallëqeve

Kanë ndodhur shumë budallallëqe para e pas ndeshjes Serbi vs. Shqipëri. Por, edhe po të kërkosh me mikroskop nuk mund të gjesh budallallëk më të madh se sa thirrja që të mos përjetojmë emocione e dalldisje në një ndeshje futbolli. E gjithë bota e definon këtë lojë si lojë emocionesh. Vetëm tek ne ndodhi që të bëhen thirrje se nuk bën të përjetosh emocione e dëlir teksa sheh futboll.

“Droni” ishte shakaja më e ëmbël që mund të prodhonte zemërimi ynë. Zemërim që nuk e kanë të gjithë shqiptarët. E kemi ne jashtë kufijve të Shqipërisë dhe pak brenda saj. Jo për mungesë patriotizmi, por se ata brenda kufijve të Shqipërisë nuk kanë pasur mundësi ta kultivojnë zemërimin ndaj serbëve, sepse për 50 vjet kanë qenë duke e kultivuar zemërimin ndaj robëruesve të tyre, që në këtë rast nuk ishin të një etnie tjetër por ishin shqiptarë.

Ndeshja Serbi vs. Shqipëri në mos për tjetër ka quar tre mesazhe. Dy prej tyre në adresën e planifikuar dhe një të tretë në një adresë krejt të pallogaritur. Dy mesazhet e para ishin për serbët. Ne nuk jemi jokreativ dhe për më shumë nuk jemi as frikacakë kundrejt urrejtjes suaj. Dhe një mesazh për djemtë e bllokut nga Tirana që duket se kanë menduar se vuajtja e kosovarëve ka qenë rastësi e krijuar nga një njeri i quajtur Millosheviq. Teksa qëndruan në Beograd si VIP-a, e kuptuan se Millosheviqi nuk ka vdekur dhe se unë e ai tjetri kemi ende zemërim ndaj serbëve, sepse ata vazhdojnë të mos na trajtojnë as si goranë, as si boshnjakë, as ashkalinjë. As si njerëz. Zemërim që vije pavetëdijshëm dhe që do ta kalojmë vetëm kur të kalojmë makthin e pabarazisë që po na shfaqet si ëndërr e tmerrshme. Na shfaqet jo vetëm kur nuk na trajtojnë si njerëz, por as kur nuk na trajtojnë si shtet, as si palë e barabartë dialogu e as si shumëçka tjetër. Ëndërr të cilën unë ëndërroj që të mos e shohim një ditë. Edhe unë kam një ëndërr.

(Autori është Kryeredaktor i gazetës Tribuna)