UBT

Zyrapi thotë se Thaçi nuk ka pasur rol në mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Ushtarake

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Dëshmitari Bislim Zyrapi para trupit gjykues në Hagë, mohoi që Hashim Thaçi të ketë pasur rol në mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Ushtarake.

“Sa më kujtohet mua jo. S’ka pas mundësi në atë kohë”, tha ai.

Më pas, Zyrapi u pyet nëse ka pasur juristë të tjerë që mund të emëroheshin në Gjykatën Ushtarake përveç Sokol Dobrunës.

“Nuk e di, e di që edhe një sa më kujtohet ka qenë Agron më duket Berisha. Kanë qenë edhe hala të tjerë po nuk e di. Nuk jam marrë me atë çështje që të di se kush ka qenë e sa kanë qenë”, shtoi Zyrapi.

Sipas avokatit Luka Mishetiq, dëshmitari i kishte thënë ZPS-së se të gjitha çështjet që kishin të bënin me disiplinën dhe respektimin e urdhrave në dhjetor të ’98-ës i kishin kaluar Sokol Dobrunës si shef i Drejtorisë Ligjore.

“Po, e saktë është”, tha dëshmitari dhe theksoi se ai kishte edhe detyrën e ekzaminimit të veprave të rënda penale, ndërsa masat disiplinore i përkisnin komandantëve të zonave.

Dëshmitari deklaroi se për vepra të rënda penale e kishte fjalën për arrestimin e civilëve, maltretimin e tyre dhe gjithashtu nëse ndonjë ushtar ose komandant e kishte shkelur rregullin duke përdorur armën, në veçanti në pikat e kontrollit ose kishte shkelur urdhëresat e eprorit të tyre.

Gjithashtu për arrestimin e civilëve ai pohoi se nuk ishte çështje që merrej komandanti i zonave, por Sokol Dobruna.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument lidhur me një ankesë në dhjetor të ’98-ës për një ushtar i cili ishte dënuar. Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e kishte parë më herët edhe pse e mbante emrin e tij, por që nënshkrimi i tij nuk figuronte. Madje, ai shtoi se nuk e mban mend asnjëherë të ketë nënshkruar dokument të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sa e mbaj mend, asnjëherë!”, tha ai, kurse mohoi të ketë pasur rol në ekzaminimin e ankesave të dënimeve nga ana e Gjykatës Ushtarake.

“Nëse ndonjë ankesë ka ardhë kah unë, atëherë e kam drejtuar në sektorin juridik dhe pastaj është marrë sektori juridik”, tha Zyrapi dhe shtoi se nuk është jurist me profesion.

Këtë drejtim shkollimi sa i takon aspektit juridik, dëshmitari tha se e ka pasur edhe Fatmir Limaj. Gjithashtu, deklaroi se Policia Ushtarake ishte e obliguar që të respektonte urdhrat që dilnin nga sektori juridik dhe kishte kompetencën që të zbatonte urdhrin e Sokol Dobrunës për të arrestuar ndonjë person.

Zyrapi pohoi se për ZPS-në kishte thënë se Policia Ushtarake ishte ndarë në dy grupe, ajo në nivel Shtabi si dhe ajo në nivel zone. Për Policinë Ushtarake në nivel zone tha se i kanë raportuar komandantit të zonës.

Zyrapi deklaroi se deri në fund të vitit 19998 nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një pjesë nga dëshmia e tij në TPNJ gjatë vitit 2005,në të cilën kishte thënë që nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake deri në fund të ’99-ës, për çka avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se aty duhej të ishte viti 1998.

“… të mendoj ’99, diçka tjetër. Po, ’98, ashtu është”, tha dëshmitari më pas.

Sipas Mishetiqit, dëshmitari për Zyrën e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se gjatë muajve të verës dhe javëve të para pasi ishte kthyer sërish në Kosovë në nëntor të ’98-ës, kishte marrë shumë ankesa nga komandantët e zonave për sjelljet e ndryshme në zonat e tyre, si dhe për mungesën e rregullave dhe urdhrave nga lartë për t’u trajtuar këto çështje.

Dëshmitari tha se është e saktë të thuhet që kur kishte dëgjuar këto ankesa ia kishte raportuar Azem Sylës

Mobi Casa

Zyrapi theksoi se në disa raste kishte dijeni se në nëntor dhe dhjetor të ’98-ës disa nga ndërkombëtarët i raportonin Shtabit të Përgjithshëm shqetësimet e tyre për mungesën e disiplinës.

Sipas avokatit Mishetiq, UÇK-ja filloi t’i jepte qasje ndërkombëtarëve për të hyrë dhe vizituar personat që ishin të ndaluar. E dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse kishte inkurajuar komandantët e zonave që ta bënin këtë gjë.

“Nuk më kujtohet. Përveçse kur kemi qenë komandant i Zonës Shalës po, kur jam pyet. Për të tjerët nuk më kujtohet. Nuk jam pyet”, tha ai.

Dëshmitari Zyrapi u pyet se pse kishte mundësi të hynte OSBE-ja tek të ndaluarit në Zonën e Llapit dhe se vendimi ishte i Remit apo i dikujt nga Shtabi.

“Në këtë rast, e di pak a shumë. Ky rast ka qenë i komandant Remit edhe më duket është me përfaqësuesin politik Adem Demaçi, ka qenë kjo çështje të cilët dytë kanë bisedu dhe Remi ka leju që të vizitohen. Nuk ka pas të bëjë me Shtabin e as me mua e as me ndonjë anëtarë… ndoshta me ndonjë anëtar tjerër, nuk e di, por unë kam dijeni që jo”, tha Zyrapi.

Dëshmitari pohoi se është marrë më shumë me ankesat e komandantëve të zonave për mungesë discipline dhe se më 28 nëntor 1998 kishte nxjerrë një urdhëresë që parashihte masa disiplinore për ata që nuk iu përmbaheshin rregullave.

“Sektori juridik në atë kohë është krijuar për këto çështje që mund të ndodhin disiplinore, por edhe ato vepra të rënda”, tha ai.

Dëshmitari kishte thënë për ZPS-në se përpara se të lëshohej kjo urdhëresë, kishin organizuar një takim në Shtabin e Përgjithshëm ku u diskutua aty që mënyra se si po ecnin gjërat dhe se si po merreshin me kolaboracionistët, do të thoshte që çdo veprim tani e tutje do të ndiqte procedurën ligjore dhe sektori juridik, do të vendoste nëse ky person ishte apo jo kolaboracionist dhe do të vendoset nëse dikush ose jo kishte qenë autor i veprës penale. Një gjë të tillë e pohoi edhe dëshmitari sot në sallën e gjyqit.

Zyrapi pohoi se në rast që kuptohej që një person ishte kolaboracionist, do të duhej të kalonte tek sektori i juridikës.

Sipas Mishetiqit, dikush duhej të emërohej si kreu i Gjykatës Ushtarake dhe se dëshmitari i kishte thënë ZPS-së se pas një propozimi nga Azem Syla u bë emërimi i Sokol Dobrunës.

“…normalisht ai propozim ka qenë edhe nga komandanti i zonës së Dukagjinit”, tha dëshmitari.

Më pas, dëshmitari u pyet se Haradinaj kur e bëri këtë propozim për çka ai tha se pasi është bërë kërkesa.

“Pasi është bërë kërkesa që të gjendet një ushtar i cili i ka përvojat juridike ose shkollat juridike edhe ka përvojë në këtë drejtim që të na dërgohet”, tha Zyrapi, duke shtuar se nuk e mban mend sa kandidatë ishin për këtë pozitë.

Dëshmitari tha se nuk e di se në cilën parti ka qenë më herët Sokol Dobruna, duke shtuar se synimi i tyre ka qenë që Gjykata Ushtarake është synuar që të bëhet e plotë.

“Synimi ka qenë që të bëhet e plotë, po asnjëherë nuk kemi mundur ta arrinim prej fillimit kur kemi fillu t’i formojë ose strukturojmë këto njësi e deri në fund të luftës nuk kemi arritë t’i bëjmë të plota”, tha ai.

Zyrapi tha se më herët nuk ka pasur mundësi të formohet një Gjykatë Ushtarake, pasi as vetë UÇK-ja nuk ka qenë edhe aq e formuar.

Ai e përfundoi për sot dëshminë për ta vazhduar sërish një ditë tjetër. Seanca do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit të 76-të, i cili mban kodin W04445.