Zyhdi Rruga akuzohet për 53 kg marihuanë dhe tri vepra penale

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzë kundër Zyhdi Rruga nga Durrësi i Shqipërisë nën dyshimin se në mënyrë të paautorizuar ka transportuar nga Shqipëria për në Kosovë 53.740 kg mariuhanë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër Zyhdi Rruga për tri vepra penale “blera, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “rrezikimi i trafikut publik”, raporton rajonipress.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Shaban Spahiu thuhet se Zyhdi Rruga më datën 23 shkurt 2014 në Kamenicë është ndaluar nga policia, por ka refuzuar të hap bagazhin dhe ka ikur në drejtim të Gjilanit, ku gjatë rrugës shkakton një aksident dhe me rastin e kontrollimit të automjetit vërtetohet se në mënyrë të paautorizuar në bagazhin e tij ka qenë duke transportuar 53.740 kg mariuhanë, që kishte pasur për destinacion Kosovën.
Prokuroria e akuzon Zyhdi Rrugën për tri vepra penale dhe ndaj tij pritet të dëshmojnë edhe dëshmitarët e dëmtuar.
Rruga ka dhënë një deklaratë interesante në hetuesi dhe prokurori dhe ka mohuar se ka pasur mariuhanë në bagazhë. “Në rrugën e Milotit për në Kosovë më kanë ndalur disa njerëz me maska dhe më kanë futur disa motor elektrikë në bagazh dhe më kanë kanosur se duhet t`i dërgojë në Kosovë për shitje” ka thënë Rruga./rajonipress/