Zija Ramadani, një epokë shërbimi me integritet
Gjilan – Pas shumë vitesh angazhim të pandërprerë në administratën lokale, Zija Ramadani është pensionuar, duke lënë pas një gjurmë të thellë profesionale në institucionet e Komunës së Gjilanit. I njohur për përkushtimin e tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe çështjeve administrative, Ramadani përmbylli zyrtarisht karrierën e tij në prill 2023, si udhëheqës i Njësisë për të Drejtat e Njeriut.
Në korridoret e administratës së Komuna e Gjilanit, ka emra që kalojnë si funksione, dhe ka figura që mbeten si institucione në vetvete. Zija Ramadani ishte një ndër ato shtylla të heshtura, por të pathyeshme, mbi të cilat u mbajt për vite me radhë pesha e përgjegjësisë publike. Me integritet të palëkundur, dinjitet profesional dhe një etikë pune që nuk njihte kompromis, ai u shndërrua në referencë të standardit administrativ në Gjilan.
Nuk ishte thjesht një zyrtar, ishte një garant i drejtësisë institucionale, një zë i arsyes në vendimmarrje dhe një derë e hapur për qytetarët. Në kohë sfidash dhe tranzicionesh, ai qëndroi vertikalisht në parime dhe horizontalisht në shërbim, duke dëshmuar se administrata publike mund të ketë fytyrë njerëzore, por edhe shtyllë të fortë morale.
Në një ceremoni simbolike të organizuar me rastin e pensionimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i kishte nda mirënjohje për kontributin shumëvjeçar, duke e falënderuar për profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e palodhur në funksion të qytetarëve. Hyseni i uroi atij një pensionim të shëndetshëm dhe të qetë pranë familjes, duke theksuar se kontributi i tij do të mbetet pjesë e memories institucionale të komunës.
Ramadani shërbeu si jurist për më shumë se dy dekada pas luftës, në një periudhë sfiduese të ndërtimit dhe konsolidimit të administratës publike lokale. Në cilësinë e zyrtarit për të drejtat e njeriut, ai u shqua për qasje profesionale, paanshmëri dhe ndjeshmëri ndaj kërkesave të qytetarëve, duke qenë një adresë e besueshme për të gjithë, pa dallim.
Sinqeriteti, korrektësia dhe dashamirësia ishin ndër virtytet që e karakterizuan gjatë gjithë karrierës së tij. Ai njihej si një zyrtar që nuk kursente kohë e energji për të trajtuar secilin rast me seriozitet, duke dëshmuar se administrata publike mund të jetë një hapësirë shërbimi me fytyrë njerëzore.
“Ishte në shërbimin e të gjithë qytetarëve pa dallim e pa përtesë, e në veçanti ishte një adresë ku qytetarët gjithmonë kanë gjetur ndihmën e nevojshme”, ishte thënë ndër të tjera në ceremoninë përshëndetëse.
Në zyrat e administratës komunale, Zija Ramadani do të kujtohet si simbol i përkushtimit dhe i punës me nder. Ai e ushtroi detyrën “horizontalisht”, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë, por qëndroi “vertikalisht” në parime, i palëkundur në integritetin e tij profesional.
Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet një udhërrëfyes për gjeneratat e reja të shërbyesve publikë që synojnë ta ndërtojnë administratën mbi themelet e etikës, përgjegjësisë dhe respektit për qytetarin./rajonipress/


