AR Katana

Nga lufta në liri

Nga lufta në liri

Prof. Dr. Bajram Kosumi – Libri i ri i Nuhi Bytyçit, Libri i lirisë, dokumenton gjithë këtë periudhë, atë të luftës dhe atë të lirisë e të paqes së papërfunduar, duke filluar nga viti 1989 e deri në vitin 2024. Edhe në rastet kur tekstet gazetare janë shkruar në kohë paqeje, edhe kur intervistat, deklaratat apo dokumentarët janë përgatitur për heronjtë e luftës e të paqes, tema e të gjithë këtyre teksteve gazetare është përsëri liria e Kosovës.

Duket se titujt e dy librave të Nuhi Bytyçit, Libri i Luftës (2018) dhe Libri i lirisë (2025), krijojnë një antitezë semantike, por e vërteta është se antiteza mbetet vetëm te fjalët, jo edhe te brendia e librave, pasi që të dy janë, ose në pjesën më të madhe janë, libra për luftën e popullit shqiptar dhe ndihmëtarëve të tjerëve për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e saj. Edhe ato situata, veprime, ide apo tekste gazetare të cilat dëshmojnë pasluftën, pra krijimin dhe themelimin e institucioneve të shtetit, nisjen dhe përforcimin e lirisë së kërkuar gjatë, në fakt, nuk kanë qenë e as sot nuk janë tjetër pos vazhdim i luftës për lirinë dhe paqen e popullit të Kosovës, veçse me mjete e forma të tjera, si ligjore, politike, diplomatike e ekonomike. Prandaj, dy librat e Bytyçit, pavarësisht titujve antinomikë, janë një tërësi dhe një vazhdimësi përmbajtjesore.

Liria dhe paqja e Kosovës janë parakusht për zhvillimin e plotë e të pa cunguar të paqes e të sigurisë së kombit shqiptar, por edhe parakusht për paqen dhe sigurinë edhe të popujve rreth nesh, në veçanti për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e popullit e të shtetit serb, me të cilin, fatkeqësisht, ende nuk janë krijuar urat e duhura të njohjes së ndërsjellë, të fqinjësisë së mirë, të paqes e të bashkëpunimit. Lufta ka përfunduar, por paqja ende është e brishtë. Shteti i Kosovës është formuar, por Serbia ende nuk e pranon këtë realitet të ri dhe ajo ende sillet sikur është në gjendje lufte të pashpallur me Kosovën. Kjo krijon tension të gjerë e të thellë.

Uje Dea

Me këtë politikë, Serbia është shndërruar në penguesin dhe në rrezikuesin më të madh të vetë popullit serb, por edhe të Kosovës e të rajonit, në të gjitha proceset zhvillimore, si ato të sigurisë, të ekonomisë dhe të integrimit të rajonit në Bashkimin Europian dhe në strukturat mbrojtëse të NATO-s. Pak a shumë, kjo nuk është risi: politika e sotme e Serbisë është deja vu. Edhe në kohën e ekzistimit të Federatës Jugosllave, nga Revolucioni i vitit 1981 në Kosovë, Serbia nisi fushata dhe luftërat e planifikuara gjatë një dekade, me të gjitha kombet dhe republikat e Jugosllavisë, për të krijuar një federatë unitariste jugosllave, nën hegjemoninë serbe, ashtu si e patën projektuar Aleksander Karagjorgjeviqi dhe Nikolla Pashiqi, edhe pse kjo politikë rrezikonte humbje të vetë popullit serb, çka edhe ndodhi: nga një komb i madh e në një shtet të madh, si Federata Jugosllave, ai u reduktua në një komb të vogël, në një shtet të vogël e të pafuqishëm, tash në garë për dominim ndaj shteteve më të vogla përreth tij, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.
Ky është epilogu i luftërave epike serbe të fundit të shekullit XX. Ky përfundim po përdoret nga elitat serbe për të krijuar figurën e viktimës nga serbët dhe nga shteti serb: të gjithë janë kundër tyre, përveç Rusisë, e cila po zhvillon, si në pjesën më të madhe të dy shekujve të fundit, politika ekspansioniste. Sot kombi serb jeton me idenë e viktimës e të padrejtësisë ndaj tyre, njësoj sikurse gjermanët pas Luftës së Parë Botërore.

Edhe sot, politika që po ndjek Serbia ka arritur, deri diku me sukses, të bëhet një farë Muri kinez i procesit të integrimit të shteteve të Europës Jug-Lindore në Bashkimin Europian. Përveç Kosovës, ajo vepron në këtë drejtim edhe në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Por, ndikimi më agresiv i këtyre politikave shfaqet pikërisht në Kosovë, për shkak të problemeve të pambyllura që nga përfundimi i luftës. Shikuar nga aspekti koniunktural, politika ekspansioniste serbe ndaj Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe Maqedonisë Veriore, nuk është thjeshtë problem i brendshëm, nuk është problem i dy e më shumë shteteve, si po deklarojnë gjithnjë e më zëshëm diplomatë të ndryshëm, si për shembull ambasadori amerikan në Beograd, z. Kristofer Hill, por është një problem ndërkombëtar, sepse synon prishjen e paqes e të sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Ky orientim politik e strategjik në Serbi, me theks të fuqishëm antishqiptar dhe antieuropian, është në kundërshtim të plotë me interesin e kombit serb dhe, sigurisht, do të përfundojë në dështim, me zhgënjime të reja dhe me turpe të reja kombëtare serbe. Angazhimet e sotme të Bashkimit Europian e të SHBA-ve e të Britanisë së Madhe për një përmbyllje të këtyre problemeve ndërshtetërore dhe për ri-orientimin europian të Serbisë, nënkupton krijimin e paqes dhe rritjen e sigurisë dhe të prosperitetit në këtë pjesë të Europës, për të gjithë kombet, përfshirë edhe serbët.

Libri i ri i Nuhi Bytyçit, Libri i lirisë, dokumenton gjithë këtë periudhë, atë të luftës dhe atë të lirisë e të paqes së papërfunduar, duke filluar nga viti 1989 e deri në vitin 2024. Edhe në rastet kur tekstet gazetare janë shkruar në kohë paqeje, edhe kur intervistat, deklaratat apo dokumentarët janë përgatitur për heronjtë e luftës e të paqes, tema e të gjithë këtyre teksteve gazetare është përsëri liria e Kosovës. Sado liria është sfondi tematik i librit, struktura tematike është një mozaik i gjerë. Janë pesë pika bosht të kësaj teme, në të cilat sillet Nuhi Bytyçi:

  1. rezistenca paqësore e partive politike në Kosovën e robëruar, nga viti 1989 e këndej;
  2. rezistenca e armatosur dhe lufta e UÇK-së për liri;
  3. ndërtimi i shtetit të Kosovës dhe i institucioneve të saja;
  4. lufta për lirinë e shqiptarëve në Maqedoni e në Presheve-Bujanoc-Medvegjë dhe
  5. në fund del në sipërfaqe edhe mbrojtja e luftës së drejtë të UÇK-së dhe pafajësia e krerëve të UÇK ndaj akuzave të Prokurorisë Special në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
    Nga aspekti kohor, këto ngjarje ndërthurin një kohë prej tridhjetepesë viteve.

5.

Zgjedhja e këtyre temave është personale, e autorit, si e tillë paraqet fokusimin e tij, si gazetar, gjatë kësaj periudhe. Ky përcaktim mund të jetë antologjik ose rastësor, pra është personal dhe i nënshtrohet fokusimit personal të gazetarit dhe nuk paraqet domosdo një kornizë të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës, edhe pse me disa përjashtime (për shembull, mungon paraqitja e konceptit politik dhe veprimit të Partisë Parlamentare të Kosovës në vitet ’94-’99, e cila me konceptin e ‘rezistencës aktive paqësore’ arriti të krijojë një alternativë më shpresëdhënëse ndaj robërisë gjithnjë e më të egër serbe dhe ndaj ‘rezistencës pasive paqësore’; ose disa personazhe me ndikim të madh politik në zhvillimet e asaj kohe mbesin në margjina e disa të tjerë pa ndonjë ndikim politik zënë hapësirë të konsiderueshme etj.), megjithatë, korniza historike dhe korniza e ngjarjeve të prezantuara në këtë libër përputhen në masën më të madhe.

Nga aspekti i tekstit gazetar, sidomos nga aspekti zhanror i tekstit, po aq sa nga aspekti tematik, libri është një ndërthurje e zhanreve të ndryshme gazetare, duke filluar me raportin e reportazhin, komentin e analizën, kronikën televizive, intervistën, e deri te dokumentari televiziv. Disa prej këtyre zhanreve gazetare, në kohën reale kur janë emetuar, sidomos gjatë periudhës së luftës, kanë luajtur rol të rëndësishëm te audienca, qoftë me funksionin informativ e qoftë edhe me funksionin edukativ e patriotik. Kam këtu parasysh disa prej këtyre teksteve, të cilat në origjinal janë emetuar si raporte, reportazhe, si kronika televizive, si për shembull në lajmet qendrore të RTSH Satelit, ose në programin shqip të Radio Kroacisë në Zagreb.

Këto dy mediume, RTSH dhe Radio Kroacia, krijuan hapësirë për punën e gazetarëve të dëbuar dhunshëm nga Radio dhe Televizioni i Prishtinës, çfarë ishte edhe Nuhi Bytyçi, prandaj përshtatën frekuencat e tyre për audiencën shqiptare dhe emetuan programe lajmore në gjuhën shqipe. Që të dy këto programe, sidomos RTSH me programin satelitor, por edhe mediume ndërkombëtare, si BBC, Zëri i Amerikës, Europa e Lirë, Deutsche Wele etj., u shndërruan në burime tejet të rëndësishme të informimit për qytetarët e Kosovës por edhe për mbarë audiencën ndërkombëtare rreth temës së Kosovës.

Emetimi në këto programe edhe i teksteve gazetare të Nuhi Bytyçit parakupton një audiencë të gjerë dhe një ndikim të madh mbi atë audiencë. Leximi i sotëm sigurisht lirohet nga kjo ngarkesë emocionale dhe mendore për shkak të interesimit jetik të atëkohshëm për informatën, për arsye kontekstuale kohore dhe shkakore, sepse atëherë këto informata barazoheshin me jetën e me vdekjen. Nga këto zhanre gazetare, më interesantet dhe më të këndshmet për lexim, edhe nga kjo distancë kohore, mbeten dokumentarët për luftën e UÇK, por po aq edhe reportazhet me temë jetën dhe mbijetesën e popullatës civile në periudhën e luftës, të cilat duket se janë zhanret e parapëlqyera dhe më të realizuara të Bytyçit. Vlen të përmendim dokumentarët televizivë, si: „Sërish Drenica“ (1998), “UÇK-ja në ballë të betejës çlirimtare / Reportazh televiziv për zonat e çliruara nga UÇK-ja” (1998), „Ushtria Çlirimtare e Kosovës“ (1998), „Nata e Vitit te Ri në linjën e parë“ (1999) etj.

Përveç rrethanave kohore dhe shkakore, ndikimi i këtyre teksteve te lexuesi i sotëm është i ndryshëm edhe për një arsye tjetër. Lexuesi duhet të ketë parasysh faktin se shumica e këtyre teksteve gazetare, sidomos dokumentarët televizivë, raportet, kronikat dhe reportazhet televizive etj., në origjinal janë zhanre të përgatitura për televizion dhe janë emetuar si të tillë, por që, nga të tillë janë transkriptuar dhe sillen në këtë libër si tekst për lexim e jo tekst audio-vizual. Një zgjedhje e tillë parakupton humbje të disa efekteve origjinale, pasojë që krijon kalimi nga një zhanër televiziv në një zhanër tekstor, si është humbja e të gjitha efekteve zanore dhe efekteve vizuale.

Secili prej këtyre teksteve, në origjinal shoqërohet nga efektet zanore, si për shembull muzika, e cila krijon efekt të madh emocional te audienca, si dhe nga efektet vizuale, pamjet që bartë kamera, personazhet dhe visoret e incizuara nga kamera, e që krijojnë efekt të drejtpërdrejtë te audienca. Asnjë nga këto efekte audio-vizuale nuk mund t’i ndjejë mjaftueshëm lexuesit e librit. Për shembull, dokumentari „Sërish Drenica“ (1998) në origjinal fillon me një pamje mbresëlënëse të një lisi të madh, i cili nuk dihet se çfarë lloji është, nuk dihet në ka jetë apo jo, dhe menjëherë pas kësaj shfaqet në plan të parë shtëpia e Jasharajve e shkatërruar nga lufta; këto pamje shoqërohen me muzikën drithëruese të Rauf Dhomit; pastaj shfaqet në plan të gjerë Prekazi dhe ushtima e një murrlani bashkë me zërin e një kukuvajke, e cila simbolizon tmerrin e dhunës e të krimit.

Asnjë nga këto elemente audio-vizuale nuk mund t’i përjetojë lexuesi i tekstit. Autori, i vetëdijshëm për këtë pasojë, e ka zbutur pak problemin duke sjellë në fund të çdo teksti të tillë adresën ku mund ta gjejë lexuesi i interesuar dokumentarin në You Tube, si dhe të dhëna të tjera, si për kamerën, muzikën etj. Pavarësisht nga ky çmim që firon produkti gazetar nga kalimi i kufijve zhanror, në këtë rast nga një produkt televiziv në një produkt tekstor, vlera e këtyre teksteve rritet për historianët dhe studiuesit e tjerë, të cilët mund ta përdorin si material të dorës së parë për dokumentimin e ngjarjeve e të personazheve të asaj periudhe.

Pikërisht vlera dokumentare mund të jetë përparësia më e madhe e këtij libri, nëse fjalën ‚vlerë dokumentare‘ e kuptojmë në plan të gjerë. Bisedat me qindra personazhe, nga më të rëndomtët, shpesh herë edhe të paidentifikuar me emra, e deri te udhëheqësit e shumë veprimeve politike e të luftës, civile e ushtarake, ideologët e gjithë këtij procesi, ata të cilët e përjetojnë dramën e Kosovës drejtpërdrejt, si aktorë prototipa të saj, qoftë si heronj apo si viktima, ata të cilët e artikulojnë me mendje e me zemër këtë dramë, shpesh herë me emocione shumë të thella, ndaj të cilave as sot pas njëzet e pesë viteve nuk mund të jesh indiferent, ata të cilët janë dëshmitarët më të besueshëm të asaj katrahure, të atij krimi të madh kundër shqiptarëve, njëkohësisht edhe të asaj lufte heroike për liri, e tërë kjo paraqet një dëshmi, një dokument dhe një përjetim shumë të rëndësishëm për kulturën, për historinë dhe për studimet shqiptare, aq sa edhe për politikën dhe vizionin e shqiptarëve e të Kosovës.

Shikuar nga prizmi i historisë, dokumentimi i ngjarjeve në këtë libër ndjek një rrugë dhe ka një mesazh semantik: liria lind dhe liria ruhet nga rezistenca ndaj të keqes, ndaj dhunës, ndaj pushtimit, ndaj padrejtësive…. Prandaj, titujt e dy librave të Nuhi Bytyçit, Libri i luftës dhe Libri i lirisë janë antitezë vetëm si gjuhë, por në përmbajtje, kjo është një rrugë unike, një ndërlidhje e domosdoshme e dy koncepteve: shqiptarët e Kosovës u detyruan të arrijnë lirinë e tyre përmes shumë sakrificave dhe luftës. Liria krijohet dhe ruhet që nga krijimi i vetëdijes për liri e deri te lufta çlirimtare. Sidomos kjo vlen për një popull të robëruar nga një regjim politik shtypës, diktatorial dhe kriminal, çfarë ishte në pjesën më të madhe të kohës regjimi i Beogradit, me politika të forta antishqiptare dhe anti Kosovë. Kjo rrugë dhe ky mesazh nuk është i mësuar nga librat, por i diktuar nga puna e gjatë, më se dyzet vjeçare, e autorit, si gazetar në shërbim të së vërtetës, të popullit të tij dhe të lirisë.

Duke theksuar këtë përvojë të re të shqiptarëve, në fund të kësaj parathënieje duhet spikatur faktin që në shoqërinë shqiptare, sidomos në Kosovë, është krijuar një hendek në kujtesën kolektive historike midis brezit të vjetër, brezi krijues i shtetit e i lirisë së Kosovës dhe brezit të ri. Brezi i ri në Kosovë, dhe me këtë nënkuptoj të rinjtë deri në moshën dyzet vjeçare, e mëson historinë shqiptare nga interneti, përfshirë edhe historinë e re të Kosovës, e shumë pak nga librat shkollorë, e shumë më pak nga libra të tjerë ose nga aktivitete të tjera, çfarë është ky libër i Bytyçit. Do të duhej të ishte e kundërta.

E njëjta mund të thuhet edhe për historianët: ka gjithnjë e më shumë individë që historinë shqiptare e mësojnë prej internetit e jo prej librave dhe dokumenteve arkivore. Ky është një mësim i përçudnuar, sepse e vërteta e internetit nuk është e vërteta objektive, por e vërteta sasiore. Që nga Kushti i posmodernës (1983) i Fransua Lotard-it e këndej, dihet se në botën virtuale dhe në gjithë rrjedhojat që krijon ajo, fiton e vërteta e atij që e digjitalizon kulturën e vet, ai që digjitalizon më shumë tekste, ai që prodhon tekst digjital më shumë se të tjerët. Për krahasim, numrin e ushtarëve të Mesjetës sot e paraqet numri i teksteve digjitale. Përgjigjet që jep inteligjencia artificiale nuk janë rrjedhojë e një analize kritike, por e një kalkulimi të shumicës numerike të dokumenteve që ajo ka në dispozicion. Prandaj qeveria kineze paguan numër të madh të individëve që bëjnë digjitalizimin e të dhënave kineze apo të dhënave në interes të politikës ekspansioniste kineze. Njësoj bën edhe qeveria e Rusisë. Kjo do të thotë se individët tanë që e mësojnë historinë shqiptare nga interneti, e mësojnë versionin turko-osman, versionin serb dhe rus, versionin italian, grek, gjerman etj., apo cilindo version që është në interes të këtyre investuesve digjitalë, sepse janë ato kombe dhe ato shtete që digjitalizojnë më shumë tekste për historinë tonë, se sa vetë ne.

Ky libër i Nuhi Bytyçit shërben mjaft mirë edhe për këtë përmasë të mësimit të historisë: të rinjtë shqiptarë, por edhe të tjerët, në radhë të parë historianët, sociologët, antropologët, politologët etj., ta mësojnë historinë e vërtetë, atë të përjetuar prej pjesëmarrësve të saj, e jo historinë e rikonstruktuar përmes armatës digjitale. Megjithëse, kjo është krejtësisht e pamjaftueshme: rolin më të madh në eliminimin e këtij hendeku midis brezave dhe hendekut ndaj të vërtetës sonë historike e kanë elitat kulturore e politike të Kosovës e të Shqipërisë, në radhë të parë qeveritë e tyre dhe mekanizmat e tyre ekzekutivë./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.