Fundamenti

Zhvatjet qeveritare

/ 4 minuta lexim

Ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe vartësit e tyre e kanë rritur luksin dhe po e zhvatin paranë publike. Instituti GAP ka gjetur se këta zyrtarë të lartë po vjedhin edhe në faturat për dreka e darka zyrtare. Njëri nga ministrat e përmendur është Nenad Rashic. Ambasadori britanik, Ian Cliff tha se paraja publike po keqpërdoret.

Ministrat e Qeverisë se Kosovës dhe vartësit e tyre po e keqpërdorin paranë publike edhe në dreka zyrtare. Instituti GAP, në një hulumtim të vetin mbi shpenzimin e parasë publike, ka gjetur disa raste të kurdisjes me fatura për dreka zyrtare, shpenzime enorme për karburante dhe telefona mobilë.

Drejtuesit e këtij instituti kanë përmendur emrin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ku janë gjetur kurdisje me fatura për dreka zyrtare, derisa kanë thënë se pas dy javësh do t’i publikojnë emrat e të gjithë zhvatësve me paranë publike.

Drejtori i GAP-it, Agron Demi, ka thënë se në të dhënat e detajuara për shpenzimet e drekave zyrtare janë vërejtur keqpërdorime të mëdha, ngase ka shifra që ministrat shpenzojnë për 4 muaj me radhë nga 499 euro nga 500 sa i lejohen.

Sipas tij, keqpërdorimet më të mëdha bëhen në dreka zyrtare, telefon mobile dhe karburante.

“Nëse duan emra sot e të cilët do t’i publikojmë të gjithë, është Nenad Rashiq, ministri i cili kurdis faturën për disa muaj rend, nuk është vetëm tek ministrat, por edhe zëvendësministrat ku ne nuk i dimë me emra cilët janë e bëjnë shpenzime enorme për dreka zyrtare. Janë këshilltarët politikë që e kanë të lejuar një kategori për dreka zyrtare deri në 100 euro e ata i shpenzojmë 99 nga ato 100”, ka thënë Demi.

Mobi Casa

Ai ka shtuar se më së largu në dy javët në vazhdim do t’i bëjnë publikë emër për emër keqpërdorimet me paranë publike, që po bëjnë ministrat.

“Do t’i bëjmë publike me emër, muajin dhe sa janë shpenzuar pa ndonjë analizë, për të parë realisht se si institucionet apo si zyrtarët që kemi konsideratë për ta arrijnë me i kurdis faturat edhe për drekat zyrtare”, ka Demi.

Në këtë analizë thuhet se nga rreth 1.6 miliardë euro sa ka arritur buxheti i Kosovës, pak dihet se si shpenzohen këto mjete. GAP konstaton se nga 19 ministri vetëm ajo e Drejtësisë publikon raportet e rregullta periodike buxhetore, ndërsa të tjerat jo. Sa i përket komunave, që janë 37 gjithsej, vetëm ajo e Malishevës, ka qenë më e rregullta në raportet periodike të shpenzimeve buxhetore.

Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë, Ian Cliff ka thënë se kanë për qëllim të ndikojnë në zvogëlimin e shpenzimeve të panevojshme publike. Ai ka pohuar se Kosova ka një rrugë të gjatë për të ecur, por ka këshilluar që shoqëria civile dhe mediet si dhe deputetët e Kuvendit që duhet detyrojnë Qeverinë të japë llogari për shpenzimet që bën.

“Qeveria e Kosovës e di që ne e dimë se ekzistojnë skandale në faza të ndryshme, sigurisht që ka shumë gjëra që janë në hetime dhe nga EULEX-i, por proceset nuk janë përfunduar dhe kjo gjë e bën pak më të vështirë që të komentojmë. Sigurisht që ka brenga sa i përket shpenzimit të parasë publike në Kosovë dhe ka shumë brenga për korrupsionin dhe për këtë e kemi edhe vetë EULEX-in me këtë qëllim, dhe është arsyeja sepse një prej mekanizmave të BE-së është rregulluar këtu para marrëveshjes për stabilizim – asocim, pra ka të bëjë me sundimin e ligjit”, ka thënë Cliff gjatë prezantimit të këtij hulumtimi ku Ambasada e Britanisë ka ndihmuar me 30 mijë euro.

Në analizën e bërë nga GAP “Buxheti i Kosovës – transparenca dhe format e raportimit buxhetor”, gjithashtu thuhet se Ministria e Financave e bën të pamundurën që publiku të mos mund t’i shohë shpenzimet, duke i bërë ato të komplikuara për analizë që të mos kuptohet se ku kanë shpenzuar.