Zhegranët kërkojnë përgjegjësi për vrasjen e 13 qytetarëve shqiptarë
Gjilan – Dosja e Zhegrës e përgatitur nga një komision vendor edhe pse i është dorëzuar Prokurorisë së Qarkut në Gjilan qysh në vitin 2003, asnjë hap apo hetim zyrtar nuk është ndërmarrë thonë Rrahim Bajrami e Bardhyl Kadriu.
Zhegranët edhe pse e kanë deponuar zyrtarisht kallëzimin penal në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan qysh në vitin 2003, të ushtruar kundër 94 serbëve si persona të dyshuar në krimet e luftës në fshatin Zhegër gjatë vitit 1999, asnjë hap apo hetim zyrtar nuk është ndërmarrë deri tashtti.
Rrahim Bajrami aktivist nga Zhegra thotë se është i zhgënjyer me heshtjen e organeve të hetuesisë. “Nuk e kuptojë dhe ende nuk e kam të qartë pse asnjë prokuror apo polic hetues nuk është marrë me Dosjen e Zhegrës” u shpreh Bajrami.
Dosja e Zhegrës ka gjithsejtë 16 faqe me shënime të sakta të personave të involvuar, fotografi të shumta të policisë serbe, shënime, dëshmi e deklarata të dëshmitarëve shqiptarë.
Kallëzimi penal i cili është i nënshkruar nga Rrahim Bajrami, Musli Ukshini dhe Nezir Neziri flet për vrasjen e 13 qytetarëve të Zhegrës nga ana e policisë dhe paramilitarëve serb, plagosjen e 7 personave nga ky fshat, arrestimin e paligjshëm të 8 personave shqiptarë në Vranjë, rrahjen dhe maltretimin e 31 personave të Zhegrës , vdekjen nga tortura të 3 zhegranëve në stacionin e policisë në Zhegër.
Në kallëzimin penal përshkruhet ardhja e organizuar e paramilitarëve serb nga Nishi, Smedereva, Prokuplje, Kraljeva, Novi Sadi. “Përafërsisht 500 paramilitarë janë zbarkuar në fshat më 29 mars 1999 të cilët u shpërndanë në grupe dhe filluan bashkëpunimin me serbët vendor. Shumica e këtyre paramilitarëve ishin të droguar dhe me listat e shqiptareve në dorë filluan aksionin famëkeq , duke vrarë, maltretuar e rrahur shqiptarë të pafajshëm” thuhet në kallëzimin penal.
Bardhyl Kadriu aktivist tjetër nga Zhegra thotë se të gjitha krimet e luftës në Anamoravë duhet të zbardhen.”Prokuroria e Qarkut në Gjilan duhet të zgjohet nga gjumi dhe të trajtojë seriozisht Dosjen e Zhegrës. Dosja flet vet dhe Prokurorisë vetëm i mbetet të merret me gjetjen e të dyshuarve që ndodhen dikund në Serbi” tha Kadriu.
Në kallëzimin penal figurojnë shumë emra të njohur,ndërsa më tepër bien në sy disa emra që kanë pasur më shumë përgjegjësi politike të cilët kanë pasur mundësi që të parandalojnë vrasjet në Zhegër.
Sipas kallëzimit penal njeriu përgjegjës kryesor llogaritet Momqillo Mihajlloviq i cili atë kohë ishte kryetar i Bashkësisë Lokale në Zhegër. Mihajlloviq është përgjegjës kryesor i gjendjes së rëndë tragjike që ndodhi në Zhegër “, thuhet në dosje.
Personi i dytë është radhitur Gjura Llaziq ish ministër pa protofoll në Qeverinë e Serbisë, i lindur në Zhegër.Llaziq sipas banorëve të Zhegrës ka qenë përgjegjës për situatën politike dhe të sigurisë dhe nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar vrasjet kundër shqiptarëve.
Zhegranët gjithashtu kanë futur në listën e dosjes edhe Bogdan Periqin ish kryetar i Komunës së Gjilanit në periudhën 1998-1999. I tërë aktiviteti ushtarak , politik dhe mobilizues i forcave paramilitare të ushtrisë së rregullt janë udhëzuar, komanduar dhe dirigjuar nga Periq” saktësohet në kallëzimin penal.
Gjatë funksionit të tij dhe ushtrimit të tij si kryetar komune është bërë edhe armatosja e popullatës vendore serbe në Zhegër. Stavra Zhivojin Veliqkoviq akuzohet sepse gjatë luftës ishte komandant i mbrojtjes territoriale për Anamoravë. Në kallëzimin penal i cili shoqërohet me fotodokumentacion origjinal përshkruhet në hollësi vrasja e 13 shqiptarëve të Zhegrës.
Shiqeri Tahiri (1958) i vrarë më 29 mars 1999, Haxhi Ukshin Ukshini (1928) i vrarë më 30 mars 1999, Miradije Ukshini (1930) i gjetur i prerë më 1 prill 1999, Milazim Idrizi i vrarë më 30 mars 1999, Qazim Idrizi dhe Qamile Idrizi të vrarë në vitin 1999, Fitim Isufi i vrarë në moshën 22 vjeçare, Raif Rrustemi , Mustafë Asllani, Sabedin Hamiti, Ukshin Maloku, Hasan Maloku, dhe Avni Zenuni të gjithë të vrarë në vitin 1999.
Në kallëzimin penal janë të shënuara edhe dëmet që ka pësuar fshati Zhegër. “Janë djegur 410 shtëpi, 67 plevica, 104 traktor të plaçkitur, tre kamion të vjedhur, 200 vetura, 96 kultivator, 322 kafshë të trasha, 200 kafshë të imta, 140 tonë miell, 5 furgonë, të gjitha këto në vlerë të 19 milion e 320 mijë euro.
Komisioni gjithashtu ka evidentuar edhe shkatërrimin e shtëpisë së kulturës së cilës i janë vjedhur 387 ulëse dhe 5200 ekzemplarë librash. Shkolla e fshatit është plaçkitur tërësisht, kooperativa bujqësore është plaçkitur me të gjitha pajisjet bujqësore, kurse stacioni policor është vjedhur me të gjitha orenditë nga paramilitarët ./rajonipress/