RCCOLA

Zgjedhjet në veri të Mitrovicës, formalitet

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë se zgjedhjet jashtëzakonshme që do të mbahen më 23 shkurt në veri të Mitrovicës do të jenë formale. Ai nuk parasheh ndonjë problem apo incident para dhe gjatë këtij procesi zgjedhor.

“Mendoj se këto zgjedhje për kryetar të Mitrovicës së Veriut më tepër do të jenë zgjedhje formale. Janë gjëra të cilat mendoj se kanë hyrë në një binar të dinamikës dhe të rrjedhës, prandaj nuk besoj se do të ketë ndonjë problem. Pra, nuk pres ndonjë problem apo ndonjë incident në këto zgjedhje”, ka thënë Maloku për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se fushata për mbledhjen e votave do të fokusohet kryesisht ndërmjet kandidatëve serbë.

Sipas tij, kandidati Oliver Ivanovic, në rast se do të certifikohet, mund të jetë kandidati më serioz për t’i fituar shumicën e votave.

KKGJILAN

“Kandidati Oliver Ivanovic tashmë, nëse certifikohet ritingu i tij, do të rritet tek serbët aty për shkak të burgosjes dhe mund të ndodhë të jetë kandidat serioz për t’i fituar zgjedhjet e 23 shkurtit. Prandaj mendoj se fushata kryesisht do të zhvillohet në mes të grupeve rivale serbe në atë pjesë”, ka thënë Maloku, duke shtuar se kandidatët shqiptarë kanë pak gjasa për të arritur rezultate në këto zgjedhje.

Ai ka vlerësuar se partitë shqiptare do të ishte dashur të kenë një kandidat të përbashkët dhe të bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë joserbe.

“Në rast se serbët dalin në zgjedhje, atëherë kandidatët shqiptarë nuk kanë gjasa të fitojnë pasi shqiptarët janë pakicë atje. Në veri të Mitrovicës është dashur që partitë shqiptare të jenë bashkë me një kandidat dhe të bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë boshnjake dhe minoritetet e tjera joserbe. Në të kundërtën, gjasat janë minimale”, ka deklaruar Maloku, duke shtuar se gara për të parin e në veri të Mitrovicës do të zhvillohet ndërmjet dy kandidatëve të komunitetit serb. /Telegrafi/