RCCOLA

Zgjedhjet në ShBA dhe BE sa mund të ndikojnë në dialogun Kosovë-Serbi? – flasin analistët

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Ky vit do të jetë vit zgjedhor për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zgjedhjet e ardhshme evropiane do të mbahen më 6 dhe 9 qershor 2024, ndërkaq qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët do të kenë mandat nga viti 2024 deri në vitin 2029.

Po ashtu zgjedhjet do të ketë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen në nëntor 2024.

E mbajtja e zgjedhjeve në SHBA e BE a pritet të ndikojë në rrjedhjen e dialogut Kosovë-Serbi? Në lidhje me këtë analistë thonë se kjo duhet të jetë faza intensive që të arrihet njohja de-facto dhe de-jure e njohjes së Kosovës nga Serbia.

Analisti Gazmir Raci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se po shkohet drejt një faze intensive të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizim.

Sipas tij, pasi që ky fund vit është vit zgjedhor në SHBA, por do ketë zgjedhje edhe për Parlamentin Evropian në qershor atëherë e gjithë vëmendja do jetë drejt finalizimit të kësaj fazë të dialogut.

“Kosova ka qenë konsistente në qëndrimet e saja sa i përket zbatimit të obligimeve të Brukselit, por Serbia në vazhdimësi ka hezituar, ka prolonguar por edhe ka financuar e mbështetur kriza në Kosovë, duke mbështetur edhe direkt sulmin terrorist të shtatorit të kaluar në Banjskë”, ka thënë Rraci.

Dialogu Kosovë-Serbi, Petritsch: Shpresoj që administrata e presidentit Biden të vazhdojë udhëheqësinë, ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje konstruktive
Lexo po ashtu
Dialogu Kosovë-Serbi, Petritsch: Shpresoj që administrata e presidentit Biden të vazhdojë udhëheqësinë, ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje konstruktive
I pyetur se a mund të ketë marrëveshje këtë vit para zgjedhjeve në BE e SHBA, ai theksoi: “Gjashtëmujori i parë i këtij viti është vendimtar në zbatimin e Planit franko-gjerman dhe të aneksit të Ohrit. Ajo tashmë është baza kryesore për njohjen de-facto të Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo është konfirmuar edhe kancelari gjerman, presidenti Francez dhe kryeministrja Italiane. Pa njohjen de-facto të Kosovës për Serbinë në këtë fazë nuk ka rrugë të qartë për në BE dhe si duket zbatimi i fundit i disa marrëveshjeve nga ana e Serbisë është sinjal që Serbia po lëvizë edhe drejt njohjes de-facto. Kosovës duhet t’i hapet rruga për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimi Evropian gjatë këtij viti”.

Ai u shpreh se komuniteti ndërkombëtar duhet të shtojë angazhimin e tyre në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes bazë të Brukselit për njohjen de-facto dhe sipas tij, Presidenca belge e Bashkimit Evropian në këtë drejtim duhet të punojë intensivisht për të përmbyllur këtë fazë të intensive të këtij dialogu.

Mobi Casa

Sipas tij, SHBA-të po ashtu duhet pa dyshim të luajnë rolin kryesor në këtë fazë.

Analisti Rraci thotë se Serbia duhet të marrë ndëshkimin e merituar për sulmin terrorist dhe sipas tij ka tendenca që ata përsëri të grumbullohen dhe të tentojnë të sfidojnë sigurinë, jo vetëm të Kosovës, por gjithë rajonit.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më shumë në ndaljen e depërtimit të mëtejmë të Rusisë në Ballkan përmes Serbisë e cila s’po gjen kurajo të shkëputet nga ndikimi kinez dhe rus”, tha ai.

Edhe Dritëro Arifi tha se pret që të ketë zbatim të marrëveshjes franko-gjermane, respektivisht të aneksit të Ohrit.

“Nuk besoj që do të ketë dialog në kuptimin klasik siç jemi mësu me pa sepse Kosova dhe Serbia janë pajtuar për aneksin e Ohrit dhe planin franko-gjerman dhe tash mbetet vetëm zbatimi i këtij plani për vitin 2024, kuptohet nëse palët kanë interes ta zbatojnë atë plan dhe aneksin e Ohrit. Zbatimi i këtij plani nga secili shtet, në njëfarë mënyre do të jetë rruga drejt integrimit evropian, e kushtëzuar me zbatimin e këtij plani”, ka thënë Arifi.

Ai tutje tha se mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë lëvizje nga Serbia për ta njohur ligjërisht Kosovën.

“Çka mbetet nga marrëveshja franko-gjermane është se a do të kemi atë njohje reciproke ligjërisht të obligueshme, jo de-facto, por de-jure nga ana e Serbisë që ta njeh Kosovën e kjo mbetet të shihet në vitin 2024. Gjasat janë thuaje zero. Njohje de-facto mund të ketë, por kjo nuk e zgjidh problemin në tërësi. Mund të ketë ndonjë lëvizje para zgjedhjeve në ShBA, nëse jo atëherë mund të themi që viti 2024 mund të jetë sërish vit i humbur, por sidomos për Kosovën”, u shpreh ai.

Sipas tij, risitë në dialog mund të jenë në dy rrafshe.

“E para do të kemi sigurisht pas zgjedhjeve në BE, do të kemi komisionerë të ri dhe të dërguar të ri për Ballkanin perëndimor, apo ndoshta dhe për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi dhe e dyta mund të ketë një sistem më të madh nga BE-ja për njohje në siguri reciproke ligjërisht të obliguar. Edhe BE-ja e ka kuptuar që njohja de-facto nuk e zgjidh problemin”, ka thënë ndër të tjera Arifi. /Telegrafi/