Mobi Casa

Zgjedhjet e marsit janë të rëndësisë së veçantë për mërgimtarët

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Zgjedhjet lokale në Maqedoni nga këndvështrimi i politikanes shqiptare me prejardhje nga Struga në Zvicër, Lurata Reçi.

Për politikanën shqiptare me prejardhje nga Struga e Maqedonisë, njëherësh këshilltare komunale në Komunën e Langenthalit të Kantonit të Bernës, Lurata Reçi, nuk kanë rëndësi zhvillimet politike vetëm në Zvicër, por edhe në vendin prej nga ka migruar.

Shqiptarja nga Struga, e cila prej 10 vjetësh merret me politikë në Zvicër, ka vendosur këtë herë të kontribuojë edhe me votën e saj, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 24 marsit.
“Për mua personalisht është me rëndësi t’i ndjek zhvillimet politike në Strugë dhe në Maqedoni, por edhe të marr pjesë atje kur mundem dhe ku mundem. Edhe këtë radhë do ta bëj të mundur të shkoj të votoj në Strugë”, thotë Lurata Reçi.

Për Luratën me rëndësi për mërgimtarët është pjesëmarrja në zgjedhje sesa kandidatët e propozuar për zgjedhjet lokale të 24 marsit.

“Disa ditë para zgjedhjeve do të jem në Strugë. Atje do t’i shoh programet parazgjedhore, të cilat i ofrojnë të dy kandidatët për kryetarë komunash, por edhe listat e tjera për këshilltarë dhe do të votoj për atë kandidat që qytetarëve të Strugës u ofron program më të mirë menaxhues për katër vjetët e ardhshëm”, tha për albinfo.ch këshilltarja komunale në Komunën e Langenthalit.

Zonja Reçi konsideron se zgjedhjet e marsi janë të një rëndësie të veçantë edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë Maqedonisë.
Prandaj unifikimi i votës shqiptare për zgjedhjet lokale është më i domosdoshëm se kurrë më parë, sidomos në komunat ku shqiptarët nuk kalojën 60 për qindëshin, siç është Struga dhe Kërçova.

“Me rëndësi është pjesëmarrja në votime, dhe këtë e them ngase duke e ndjekur nga këtu situatën politike në Maqedoni, është e qartë se si partitë politike maqedonase mobilizohen dhe dalin vetëm me një kandidat maqedonas, jo vetëm në Kërçovë, por edhe në Strugë, me qëllim që t’ua marrin sërish Strugën shqiptarëve. Prandaj mendoj dhe apeloj te të gjithë struganët dhe kërçovarët që janë në Zvicër dhe në vendet e tjera në Evropë, të organizohen dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe të votojnë për më të mirin”, deklaron Reçi.

Por cilat janë pritjet e politikanes shqiptare në Zvicër nga zgjedhjet lokale të 24 marsit ?

Uji Dea

Ajo është optimiste se për qytetarët e Strugës dhe komunave kudo që jetojnë shqiptarët do të vijnë kohë më të mira.

“Në Strugë dhe rrethinë duhet në shumë fusha të investohet. Struga është një qytet me resurse shumë të pasura natyrore, por edhe pozitë shumë të mirë gjeografike. Ka edhe njerëz shumë të aftë, prandaj dëshiroj që kryetari i ardhshëm të krijojë një staf shumë të aftë menaxhues, i cili do të jepte mundin maksimal që Struga të zhvillohet si në aspektin e ekonomisë, turizmit dhe në sfera të tjera, të cilat do të siguronin edhe shumë hapje të vendeve të reja të punës”, shpreson Reçi.

Megjithatë nuk mendojnë të gjithë mërgimtarët si politikannja e Partia Socialdemokrate në Bernë. Ajo është skpetike se do të mobilizohen të gjithë bashkëqytetarët e saj për të shkuar në zgjedhje që do të mbahen në Maqedoni.
“Nuk mund të pres që të mobilizohen shumë shqiptarë dhe të shkojnë të votojnë në Maqedoni. Shpresoj se edhe bashkëqytetarët e mi të marrin pjesë në aktin e vendosjes për ardhmërinë e Strugës dhe të shkojnë të votojnë në Strugë. Unë i ftoj edhe të gjithë shqiptarët e Kërçovës të mobilizohen dhe të shkojnë të votojnë për të ardhmen e Kërçovës. Kjo është një qëllim i madh, që Kërçova të merret dhe të udhëhiqet nga një shqiptar”, thotë 35-vjeçarja nga Struga.

Politikania shqiptare në Zvicër thotë se duhet të jenë më shumë të informuar mërgimtarët për zgjedhjet nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni. Madje, për Reçin partitë duhet të përfitojnë dhe nga përvoja e tyre politike jashtë vendit.

“Mendoj se duhet sa më shumë të komunikojnë me ne, të na njoftojnë për situatat, rrethanat dhe sfidat politike të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe të kërkojnë mendimet dhe përvojën tonë këtu. Po ashtu duhet edhe të organizojnë se si të shkojmë për votime në Maqedoni”, mendon Reçi.

“Shpresoj që edhe në këto zgjedhje, por edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, partitë politike shqiptare të bashkëpunojnë sa më shumë me shqiptarët në Evropë, por edhe gjatë gjithë vitit të kenë organizime të ndryshme, për t’i njoftuar ata për rrjedhat politike në Maqedoni”, tha në këtë bashkëbisedim për albinfo.ch politikania Reçi.

Sido që të jetë, erdhën apo nuk erdhën për të votuar mërgimtarët, tashmë edhe zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 marsit. Fushata do të sgjasë 20 ditë, ndërsa 23 marsi do të jetë dita e heshtjes parazgjedhore. Parlamenti në Maqedoni ka miratuar kodin zgjedhor në prani të opozitës, ndërsa partitë politike të pozitës duhet t’i dorëzojnë listat zgjedhore të kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunash deri më 8 mars.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit, ndërsa shqiptarët do të marrin pjesë në zgjedhje në rreth 40 komuna, ndërsa politikanët shqiptarë këtë herë do të shfrytëzojnë fushatën zgjedhore për protestat e fundit në Shkup.(albinfo)