Zgjedh këtë lojë në orë të vonë (cikël poezish
Poezi nga Agron Tufa
MËRZIA
Me shkop mërzia lodhjen shkund –
Tapet dimërak – dyst krahnezë…
Teshtima vdes. Dita merr fund
Tek plas si poç me verë të zezë.
Asgjë s’të ngut të marrësh hak,
Asgjë s’të ndal të bësh bilanc –
Gjersa çka ndodhi nuk e shmang,
Gjersa çfarë mbeti – ngrin kuarc.
Po tjetër lodhje do t’na mbërrijë
Që zhegun zhbën, njëlloj dhe ngricat.
E madhja fshesë gjithkah do fshijë
Dhe pengjet tona, dhe tepricat.
Ç’bunacë e fashë do të pllakosë!
Ç’kompresë për kafshë, drunj e gjind!
Do ngjethë gjithkënd nëpër Kozmos
Ideja, që sërish të lindë…
23.01. 2017
SHILARËS
Fryma ime e re rend si shtjellë nëpër male.
Fryma ime e vjetër përpëlitet në fushë.
Ah, si po shndrijnë këto shandane!
Si pezull m’u poq ky peng në gushë!
Fryma ime e re turbullohet ndër male.
Në fushë e ndrron Frymën e vjetër vërtik.
Dridhen fantazie harta seksuale,
Një shilarës i trishtë ç’po më kolovit –
Nga fushat e plogështa –
Te malet me re,
Herë në polin ndoshta,
Herë në polin pse.
GUR
Të jem herë herë pas here gur,
është diçka që më jepet.
Dhimbjet s’shohin dritë kurrë,
si paja mortesh në sepetet.
Dhimbja shket e bën kërdi
diku gjetkë, që nuk është “unë”.
Unë mbes guri në kufi:
nuk bëj dhunë; s’pranoj dhunë –
Unë që dhunën mirë e njoh
(mos nuk isha dëshmitar?).
Dhimbja shuhet nëpër kohë,
unë kap veten duke qarë…
Të jem guri në kufi…!
Nuk di kush ma ka mësuar.
Është mallkim? Është dhunti?
Apo diç e ndërmjetësuar?
2016
PËRPLASJA
secili përplaset dhe jep
tingullin e vet të pakuptimtë.
Përplasu dhe ti.
e qetë dhe kanosëse
me gishtin ndër buzë
heshtja avitet…
Përplasu po munde.
2016
TRISHTIMI
mustaqedredhur
e kacadrê
ia beh trishtimi
e rrjedh me rërën
rrëké-rrëké
çdo grimë gëzimi.
Po ndaj të gdhirë
yrysh nën shi
flatrojmë çative;
trishtim’ i njelmë
shkund kripë të thatë
në fund të syve.
Na ngushëllojnë
pezull n’ajrí
hamendje t’rrasta,
kafshojmë tërbimthi
në lartësi
duar të zbraz’ta.
2016
* * *
pylli i të vërtetave
mashtron me ngjashmëritë,
aní pse kurrë nuk u përputh
druri me dru,
gjetja me gjethe.
…dhe vetëm një tokë poshtë,
dhe vetëm një qiell lart
i mban, i ushqen të gjitha.
2016
TËHUAJSIMI
Siç ndërron ekspresi i kafesë
nga “e ftohta”, tek “i nxehti”,
me maska në të parën kthesë
unë loz me vedin “kukafshehti”.
Zgjedh këtë lojë në orë të vonë,
që të mos jem më “i vërteti”.
Ç’do endem gjatë… i patenzonë,
me maska rolesh përskaj vedi…
Dhe, druaj fort, për besë, se mos
kur kobra-Kohë të hyjë në valle,
ndër maska vedi t’jetë mumosë,
i humbur shqim në saturnale .
Por dhe në ndodhtë, si rastësisht,
të dy të ndeshemi ballpërballë,
s’do mundem dot të ngre një gisht,
t’i them: “je unë… nuk me njeh vallë?!”
Dhe, bjerrë ndër vite, i maskuar,
ç’prej se çel gonxhja, bie gjethi,
do jem, prej vetes, alienuar –
një peng i lojës “kukafshehti”.
PEIZASH
një fllad i përzhitur shkrumbi lëpin hamulloren.
fluturojnë ulët stërqokat dhe një langua
sulet shigjetë pas tyre.
mandej
miliona pikëpyetje asgjësuese shiu
ngulen marrafrymas,
ia refuzojnë fushës përgjigjet.
2015
DUELI
– … ti nuk e ke fituar duelin e pritur, –
më thotë një mik i vyer me ton ndërkryer.
– nëse pati duel, – i them, – do ta dija vetë… –
(mandej, me të pëshpëritur): – duelet shpallen…
si qenka kështu?! s’janë të vdekur që ngjallen…”
– flas për atë duel, – ngre ai gishtin përpjetë,
– që ty s’ta pret mendja… që nis nga e hëna
e sos tek e premtja: bash njaté ti fituar s’e ké!
– shshshsh, – i them, – duelet shpallen në tokë,
nuk shpallen në re! Mandej, shtoj me ton ankestar:
– nëse e kam humbur, pse s’më paskan vrarë?!
– ke të drejtë, – thotë miku me të tallur:
– ka edhe të vrarë, ende të pakallur…
2015
PSE KY KUTËRBIM?
s’rresht njerëzimi: trazon duar e hundë
në rropullitë e kohës dhe, secili,
përplaset e jep tingullin e vet.
të pangatërrueshëm. të pakuptimtë.
atëherë pse ky kutërbim në ag të kohërave?
rrëmon e mih në brinjë mashkullore
një si tunel, një si labirint,
një si Tezeu. Një si gjysëm gjinekolog,
një si gjysëm dedektiv. ai prore rreh
të zhburgosë një si Evë harrakate,
të mbetur në një si rrjetë brinjëve tona,
qyshkur na braktisi në gjysëm të udhës
zelli blasfemik i krijimit tonë surrealist.
dhe zhurmat shurdhohen në uturimë…
dhe vetë më pas, vetëm më pas,
plas kutërbimi që përmbyt
hojet e kohërave.
herëdokur, me gishtin ndër buzë,
e qetë dhe kanosëse,
heshtja avititet.
po kush e ndal kutërbimin?
____________________
Shënime për autorin
Agron TUFA u lind në Kastriot (Dibër) më 1967. Është poet, shkrimtar, eseist, përkthyes dhe studiues i letërsisë. Ka studiuar letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës (1991-1994) dhe më pas i thelloi studimet në Institutin e Letërsisë “A.M. Gorki” në Moskë (1994-1999).
Kreu studimet pasuniversitare në Institutin për Kultura Europiane (IEK) po në Moskë (1999-2001). Në Shqipëri mbron doktoraturën për Teori dhe Filozofi Përkthimi “Mistika e origjinalit”. Doktor i Shkencave filologjike, aktualisht ai është Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), pedagog në Universitetitin “Hëna e plotë, Bedër” dhe lektor i Letërsisë së Huaj të shekullit XX në Fakultetin Filologjik në Tiranë.
Ka botuar poezi, romane, ese, studime dhe përkthime dhe është nderuar me çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 2004 merr çmimin “Penda e Argjendtë” për romanin më të mirë (“Fabula rasa”), ndërsa në 2010 Çmimin Kombëtar të Karierës për Letërsinë, “Çmimi i Madh”. Në të njëjtin vit fiton çmimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë të vitit që jepet në Kosovë, me romanin “Tenxherja”. Në nëntor 2016 Agron Tufa u shpall “autori i vitit” nga Panairi Kombëtar i librit, me vëllimin poetik “Kafsha apo fantazma”. Është i përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Ndër librat e tij përmendim vëllimet poetike “Aty te portat Skee” (1996), “Rrethinat e Atlantidës” (2002), “Avangardë engjëjsh” (2005), “Fryma mbi ujëra” (2007), “Gjurma në rrjedhë” (2010); “Fragmentet e Gjësë” (2012); “Kafsha apo fantazma” (2016); romanet “Dueli” (1998), “Fabula Rasa” (2005), “Mërkuna e Zezë” (2005), “Tenxherja” (2009), “Gurit të varrit ia rrëfej” (2015) si dhe miniaturat “Thembra e Akcilit” (2009); studimet në vëllimin “Kuja e Mnemozinës” (2011), esetë me vëllimet “Janusi qinfytyrësh” (2004) dhe “Nga Hiri i të vdekurve” (2014). Ka përkthyer një mori autorësh nga poezia, proza dhe filologjia ruse e shekullit XX, me klasikë Pushkini, Tjutçjevi, Tolstoi, Çehovi; modrnistë si Zamjatin, Platonov, Nabokov, Mandelshtam, Cvjetajeva, Ahmatova, Pasternak, Majakovski, Esenin, Brodskij, Sjedakova etj./rajonipress/


