RCCOLA

Zejna ishte poet i ngrohtë dhe i dashur për të gjithë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Zejna, para nëntë vjetësh ishte me ne. Ishte plot shend e verë. Si të gjithë krijuesit e shenjtë. Ishte një urtak e punëtor i madh i pendës. Ishte krijues i mirëfilltë i artit. Jo vetë kaq. Ai ishte njeriu fjalëpakë e punë shumë. Ishte i dashur për të gjithë. I tillë ishte dhe i tillë mbeti e shkoi si të mos ishte ndonjëherë me ne. Ishte i lidhur me atin e jetës. Ai artin e deshi shumë. E deshi dhe “jetoi” me vargje, me tinguj, strofa, libra, gazeta, revista, dorëshkrime e të tjera.

Në 9-vjetorin e vdekjes se Zejnullah Halilit

Poetët vijnë e shkojnë në përjetësi. Shkojnë për të mos vdekur kurrë! Ata i krijojnë vetes një “histori” më të veçantë jetës së tyre. Pse jo? Ata janë histori në vete. Dhe, janë të veçanta. Vetëm ata e madhërojnë jetën. E bëjnë jetën jetë. Kjo është fakt. Fakt është edhe Zejnullah Halili, njëri nga krijuesit më të mirë të letërsisë shqipe. Ai shkoi e nuk është më me ne. Iku para kohe. E mori vdekja kobzezë. Ajo (vdekja) u merr njerëzve ëndrrat më të mira në jetë. Por, ja lexuesi, shoqëria e mas adhuruesve mbeti me dhembje se iku para kohe.

Zejna, para nëntë vjetësh ishte me ne. Ishte plot shend e verë. Si të gjithë krijuesit e shenjtë. Ishte një ortak e punëtor i madh i pendës. Ishte krijues i mirëfilltë i artit. Jo vetë kaq. Ai ishte njeriu fjalëpakë e punë shumë. Ishte i dashur për të gjithë. I tillë ishte dhe i tillë mbeti e shkoi si të mos ishte ndonjëherë me ne. Ishte i lidhur me atin e jetës. Ai artin e deshi shumë. E deshi dhe “jetoi” me vargje, me tinguj, strofa, libra, gazeta, revista, dorëshkrime e të tjera.

Arti dhe Zejna, ishin NJË. Ishte , si thotë një poet, yni, “më njerëzori”, më i buzëqeshuri në jetë. Pati natyrë të dashur e të qetë të qenies njerëzore. I deshi njerëzit, por edhe ata e deshën shumë këtë njeri me trill poetik. Kur fliste Zejna, me atë butësi të fjalës, sikur shkriheshin të gjitha idetë në një mendim. I tëri ishte njeri. I tëri ishte flakadan i artit të shkruar. Fjala e tij e ngrohtë e afronte çdo kënd në jetë. Ashtu ishte i hajthëm, i bardhë si bora. E, ato flokë të këndshme dhe në ballë pati disa vija fytyre prej mendimtari e krijuesi. Ai ishte i tillë. I tillë ishte dhe shkoi… Të rrallë janë ata njerëz që lindin poet si Zejna.

Zejna lindi nga mosha e vogël poet me natyrë të ngrohtë e të dashur për të gjithë. Ai këndoi bukur me atë dufin e zemrës e me thellësinë e shpirtit. I këndoi maleve, fushave, bregoreve, përrojeve, lugjeve, ahishtave, shpateve, kodrinave, dardhave, varreve e rrugicave ka eci e bëri jetë njeriu. Vargjet e tij kumbuan rrjedhshëm me ritëm e fuqi magjepse. Edhe sot krijimet e tij me ëndje lexohen nga të gjithë. Lexohen e mësohen etshëm e nga zemra. Janë të rrallë ata krijues si Zejna i Kokajve, i cili pati dhunti të rralla natyrore.

Krijoi vepra për fëmijë, por edhe për të rritur. Krijoi vepra margaritarë prej arti. Ai ka rrezatuar kudo: në orët letrare, në shkollë, në manifestime kulturore, por ai ka rrezatuar kudo në jetë. Fillimisht pati jetë të rëndë, e cila, si e tillë e “rëndë”, i hyri në brendinë e shpirtit të poetit për t’u frymëzuar për vepra të mëdha. Ai këtë art “shpirti” e shkriu në vargjet me anë të ngjyrave më të bukura të ylberit… Ai pati natyrë krijuesi.

Por, Zejna na iku para kohe. Na la me dhembje, se e deshëm shumë. Por, njëkohësisht vepra e tij sot jeton kudo: në shkolla, biblioteka, librari e në çdo vend tjetër. Zejnullah Halili lindi në Kokaj të Malësisë së Karadakut , më 1945. Aty ku u varros më 26 shkurt 2004, nënë hijen e një dardhe, ku poeti e kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë. Filloren e kreu në Llovc e në Pogragjë të Gjilanit.

Uji Dea

Normalen e kreu në Gjilan, ndërsa studimet në ShLP në Prishtinë. Pastaj Zejna punoi edhe me ditar në Bilinicë dhe Gjilan. Më vonë punoi udhëheqës i emisioneve për fëmijë në Radio Prishtinë: më 1981, në redaksinë e “Rilindjes”, redaktor e kryeredaktor i revistës së fëmijëve “Gazeta e pionierëve”. Një kohë ishte kryeredaktor i “Pionierit”. Pak kohë para vdekjes kishte udhëhequr disa emisione për të vegjël në RTK.

Zejnullah Halili la pas vetës një opus të veprimtarisë letrare. Ai la mbi 30 vepra letrare, disa të pabotuara në dorëshkrim. Deri më sot i ka të botuara këto vepra letrare: “Ylberi” (1969), “Shitësja flokëartë” (1971), Ç’ thonë borbardhat” (1973), “Eshkë e dritë” (1977), “Lamtumirë shkurtabiqë” (1983), “Vendlindja shihet me zemër” (1983), “Përralla lozanjare” (1987), “Pikaloshja” (1988), Mollëkuqja” (1988), “Qirinj të ndezur” (1988), Ylli t’na hyjë në mes” (1990), “Udha kah agu” (1993), “Luleshqiponja” (1993), “Dallga” (1994), Gentiana lutea” (1995), “Si u bë pikëlorja bletë” (1997), “Ëndërr e këputur” (1997), Djaloshi brenda mollës” (1999), “Prej orës tënde” (2001), “Ditë e fatshme” (2003) dhe veprën e fundit me poezi e botoi pak ditë para vdekjes me titull “Unaza” (2004).

Dhe, aty nën dardhën e Kokajve, ku sot gjenden varret, poeti Zejnë la amanet, sa ishte gjallë, të pushojë trupi i tij i pajetë. Aty, sa ishte fëmijë, ai ka lozur lojën me fëmijët e Kokajve. Aty ai është frymëzuar e ka shkruar sa e sa vjersha për gurishtën, për Kokajt, varret, njerëzit e kësaj ane, por… Ah!,…zemra na është djegur për vëllanë që na mungon sot. Aty, në Kokaj, sikur vërehet tek njerëzit e mirë, ajo heshtje që dhemb. Dhembje, se është për dhimbje. E, Zejna edhe i vdekur, na është i madh në jetë. Ai na “jeton” me artin e tij madhështor. Na është një figurë madhore e letërsisë sonë. Ai na ishte një urtak që na afroi e na dha zemër kudo në jetë. Zejna, ai qe njeri i të gjithëve. Ai “këndoi” (vjershëroi), ditë e natë për afrimin e njerëzve e fëmijëve.

Ai e deshi vendlindjen. D. Behluli, krijues, sot shton: “Zejna askujt nuk i mbeti borxh. Por, një të mirë që ia ka bërë dikush, ai është munduar t’ia kthejë trefish apo më tepër”! Pra, ai ishte njëmend një njeri me cilësi të larta njerëzore. Zejna e ka dashur Karadakun dhe çdo krijim i tij niset nga Karadaku dhe përgjithësohet në artin letrar”. Dhe, në këtë drejtim, ai thoshte në vargje: ”Vendlindja shihet me zemër”! Sa ëmbël tingëllojnë këto vargje.

Vargje për Kokajn, për kurrizmalin, ku Zejna lozi e nuk u ndalë për të shkruar vargje, prozë etj. Ai cicërimën e zogjve e “futi” në librat e tij poetikë. Ja ky ishte Zejna, ai krijues i krojeve të buta i maleve ta larta, i luadheve të blerta, por ishte edhe krijues i madhështive jetësore.

Ai ishte krijues me botë shumëdimensionale. Krahas poezisë, shkroi edhe proza të gjata, romane, eseistikë e shkrime tjera. Ishte, në radhë të parë, poet i ndjenjës së ngrohët dhe shumë i dashur për të gjithë njerëzit. Vepra e tij gëzoi popullaritet tek lexuesit. Shih për këtë, ai qe shpërblyer disa herë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e Evropës. Poezia e tij është një margaritar, që e joshë botën e të rinjve, e cila është e “kthyer” kah vendlindja, trolli stërgjyshor i ngrohtë i njerëzve. Edhe proza e ka këtë motiv. Atë ditë kur u varros poeti i Kokajve, lotua i madh e vogël i kësaj ane të Malësisë së Karadakut.

Atë ditë kur u varros poeti, Zejna, lotuan edhe kolegët e tij: Ganiu, Frroku, Xhema, Nijaziu, Avdushi, Haxhiu, Rifati (tash i ndjerë), Veliu, Ramadani e shumë të tjerë. Thua se, për një çast u ndalën këngët e këtyre kurrizmaleve të Karadakaut të tij që aq shumë u këndoi e shkruajti pa u ndalë poeti i kësaj ane, Zejnullah Halili.

Vdiq në moshën 59 vjeçare. Dhe mbi pllakë është shkruar epitafi: “Shpirti i tij bëftë dritë!” Bëfshin dritë si veprat e tij, sot! I qoftë lehtë dheu! . Enkas per rajonipress, Tefik Selimi./rajonipress/