Zbythja e Ramush Haradinajt

Nga Naser Sertolli – Se Ramush Haradinaj do të bëhej kryeministër i Kosovës, dhe se kjo ishte e sigurt – sinjalet e para erdhën pak orë pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, më 29 nëntor. Dhe se Ramush Haradinaj do të rikthehej në karrigen e lëshuar gati tetë vjet më parë, na u mbush mendja që në ditën kur ai u kthye triumfalisht nga gjykata ndërkombëtare.
I ngazëllyer nga pritja shtetërore që ia bëri pasardhësi i tij, z. Haradinaj pa një pa dy u shpreh i gatshëm t’i mbështesë proceset nëpër të cilat po kalonte Kosova, dhe për t’i tejkaluar sfidat që janë para saj në kuadër të një bashkëqeverisjeje me partinë në pushtet.
Këmbëngulja e fortë e kreut të AAK-së për “veç kryeministër” të linte përshtypjen se ai do ta arrinte qëllimin me hatër a me zor. Të krijonte bindjen se për t’u kthyer në kolltukun ku kishte qenë për 100 ditë para tetë vjetësh kishte diçka në dorë, të cilën do ta shfrytëzonte për t’ia mbushur mendjen Hashim Thaçit për t’u tërhequr.
Se nuk kishte kurrgjë nga kjo punë filloi të shihet me kalimin e ditëve. Ramush Haradinaj u shqua për oferta të ndryshme në adresë të PDK-së, por me një insistim për postin e shefit të qeverisë.
Ai nuk e përjashtoi asnjë mundësi, madje edhe se do të bashkëpunonte me ata që dikur i akuzonte për vepra penale, se ia kishin gatuar aktakuzën për në Hagë, vetëm e vetëm të vihej edhe një herë në krye të ekzekutivit. Bile, Ramush Haradinaj e zbuti zemrën aq shumë sa tha se nuk do t’i interesojë kush çfarë ka bërë deri më tani, porse do të fokusohet që asnjë skandal të mos ndodhë në një qeveri të mundshme të drejtuar nga ai.
Krejt çfarë ka arritur Ramush Haradinaj deri më tani me ofertën e tij ka rezultat një zero të madhe. Nëse e përjashtojmë këtu ndihmën që ia dha ish-rivalit më të madh politik, Hashim Thaçit, i cili e shfrytëzoi atë si trampolinë për të gjarpëruar përmes skandaleve dhe për të vazhduar tutje deri në skandalin e radhës.
Të mos harrojmë se me kërkesën e tij pas kthimit nga Haga, z. Haradinaj e zhvendosi vëmendjen e opinionit nga afera e telefonave të përgjuar, aferë e cila në një demokraci të mirëfilltë do të duhej të rezultonte të paktën me dorëheqjen e shefit të qeverisë. Po ashtu, Ramush Haradinaj me përkrahjen për “zhvillimet në veri” ia bëri një argat të mirë Hashim Thaçit, i cili në këtë rast e shkeli premtimin se në asnjë rrethanë nuk do të zhvillonte bisedime politike me Beogradin.
Pa anashkaluar këtu skandalet në Ministrinë e Punëve të Brendshme
Me gatishmërinë e tij për të hyrë në koalicion qeverisës me PDK-në, në krye të së cilës janë njerëz që i përkisnin asaj organizatës të cilën zyrtarë të AAK-së vazhdojnë ta quajnë ilegale e kriminale, Ramush Haradinaj i çoi një mesazh të fortë elektoratit.
Se është i gatshëm të bëhet bashkë me dreqin e t’birin vetëm që ta zërë kolltukun e butë. Dhe, tash në fund, pasi nuk mori përgjigje pozitive për ofertën, zbythja është alternativa e vetme. Ose i duhet të presë mos po bëhet Hashim Thaçi ndopak i mëshirshëm për t’ia dhënë ndonjë pozitë më inferiore nga ajo që mban.
Nëse nuk do të ndodhë kjo, Ramush Haradinaj do të duhej që deri në zgjedhjet e ardhshme të tërhiqej, të reflektojë, ta ndryshojë sjelljen, pra të bëhet më i sertë, ngaqë kështu zemërbutë siç u kthye nga Haga, le ta harrojë qeverinë dhe çfarëdo posti në krye të shtetit përderisa përballë do ta ketë arrën e fortë – Hashim Thaçin.