RCCOLA

Ymeri e ripërsërit: Plehrat i përkrahin policët

/ 3 minuta lexim

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, nuk i ka rënë pishman që i ka quajtur plehra të gjithë ata që kanë përkrahur policinë, siç i ka quajtur ai të dhunshme, me rastin e protestave të studentëve para rektoratit.

Ai thotë se nuk ka si të jenë ndryshe ata të cilët e përkrahin dhunën policore, siç e ka quajtur ai, të përdorur nga pushteti. Ndërkohë, përfaqësues të partive e quajnë të dënueshme një fjalor të tillë.

Ymeri kishte shkruar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, se ‘në tërë këtë mes ka plehra që janë në anën e policisë (e përdorur këtu si mjet dhune e pushtetit) dhe, madje, paska plehra që janë në anën e këtyre plehrave’.

Megjithatë, ai thotë se ka njerëz që i përkrahin protestat, por ka njerëz që nuk i përkrahin dhe se ai nuk kishte folur për ata, por për ata që po e përkrahin dhunën policore, që sipas tij, duhet kritikuar dhe nuk kanë se si të quhen ndryshe.

“Unë kujt i kam thënë plehra janë ata që publikisht kanë dal dhe kanë thënë që ne jemi në anën e Policisë, kur policia ushtronte dhunë ndaj demonstruesve paqësor dhe të pambrojtur. Dhe, ata unë konsideroj se vërtetë janë plehra. Nëse vendosesh në anën e pushtetit represiv me ç’rast ai trupëzohet përmes policisë, atëherë vërtetë nuk ka diçka në rregull me ty”, tha Ymeri, transmeton KP.

Por, në anën tjetër nënkryetari i PDK-së Adem Grabovci, e ka quajtur të dënueshme një shprehje të tillë.

Hidromorava

Megjithatë, ai konsideron se kjo ka mund të thuhet në afekt.

“Ju lutëm për mua ky fjalor është i huaj, është i papranueshëm. Mundet njeriu ta përdor në afekt një shprehje të tillë, por unë nuk e besoj askush që e ka thënë me ndonjë qëllim të keq. Por sidoqoftë është e dënueshme”, tha Grabovci.

Deklaratat e Ymerit nuk ka dashur t’i komentojw sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, i cili tha se nuk merret me atë se çka deklarojnë të tjerët, edhe pse thotë se ka pasur dhunë edhe nga protestuesit edhe nga policia.

“Ne mund të mos pajtohemi çka ka ndodhur gjatë protestës, me përdorimin e dhunës, nëse mund të thuhet të dy anëve, nëse mund të vlerësohet kësisoj, ajo është tjetër, por të thuhet se keni përkrah protestën, ne nuk ndikohemi nga zhvillimet momentale”, deklaroi Beqiri.

Lëvizja për Studim, Kritik, Veprim (SKV) pjesë të së cilës janë aktivist të Vetëvendosjes, ka organizuar për një javë rresht protesta para rektoratit, me kërkesat për dorëheqjen e rektorit të UP-së Ibrahim Gashi dhe të Këshillit Drejtues.

Në këto protesta pati shumë konfrontime mes protestuesve dhe policisë, ku pati edhe të lënduar nga të dy anët, derisa u arrestuan një numër i madh i protestuesve. /Telegrafi/