ARKATANA

Ymer Adem Llugaliu, pa kërkuar lëmoshë e as mëshirë me stoicizëm të pashembullt e ruajti të qenunit stërnip i Dardanisë

/ 16 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arif Ejupi – Lexues të nderuar si shtojcë këtij artikulli i kemi bashkangjitur edhe një poezi tepër prekëse dhe emocionuese të shkruar më 1976 nga studiuesi dhe disidenti Ymer Adem Llugaliu.

Sot, dy vjet në Podujevë, ka ndërruar jetë studiuesi, disidenti e luftëtari i orëve të para të demokracisë Ymer Adem Llugaliu, të cilin me shpifje nga më të ulëtat dhe të pambulesë e dënoi me burgim të rëndë regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Mirëpo, Ymerii pa ia dridhur qerpikun tytës së drejtuar mbi ballë, me stoicizëm të pashembullt e ruajti dashurinë ndaj tokës së Arbrit, të mohuar nga vëllezërit e tij të një gjaku dhe gjuhe.

Ymer Llugaliu lindi më 11 shtator të vitit 1936 në Surkish të Llapit, qysh si nxënës i fillores bije në sy me njohurit e tij të gjithanshme.

Prirjet e tij të theksuara në Gjuhë, Histori, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Art etj, u vlerësuan lartë edhe nga arsimtarët e tij të progjimnazit të atëhershëm të Podujevës si: Sabit Kapiti, Nexhmi Sejdiu, Ibrahim Demolli, Abdyl Sokoli, Hasan Shala, Ali Zeneli, si dhe nga vet Drejtori i përgjithshëm i kësaj shkolle Tadej Rodiqi, që para një viti kishte ardhur nga Prizreni në Podujevë.

Arratisja e paparalajmëruar e Llugaliut në gusht të vitit 1958 përtej Bjeshkëve të Nemuna, pikënisjen e pati nga një debat i nxehtë me arsimtarin e Shkollës së Mesme Zhikica Jovanoviq, i cili jepte gjuhën serbe.

Jovanoviq, në një orë mësimi kishte thënë “Kam përshtypjen që Gjuha shqipe, është një përzierje shumë gjuhësore çfarë lë me dyshua, a mundet me u quajt gjuhë në vete, apo jo. Ka latinizma, ka turqizma, ka serbizma, ka e çka s’ka”

Në formë kundërshtimi Ymeri kishte thënë jo- jo mësues gabim e keni Pjetër Budi, librin “Doktrina kristiane” e ka shkruar qartë dhe pastër në gjuhën shqipe, qysh më 1618.

Ai, madje e ka pasuruar gjuhën edhe me neologjizma të burimit shqip, 49 vjet më herët se Johon Milton, gjuhën angleze me poemën “Parajsa e Humbur”.

Duke menduar që debati mësues- nxënës duhet të jetë i shëndosh dhe konstruktiv Ymeri, kishte vazhduar diskutimin e tij me gjuhën e argumenteve.

Ai kishte thënë: ”Mësues nga hulumtimet e mia shoh që serbishtja juaj është tamam një gjuhë laramane me rusizma, bullgarizma të dyja varianteve egjeiane dhe gjevgjeliane, si dhe me mishmashin e gjuhëve të tjera sllave.

Jovanoviq i revoltuar dhe i pakënaqur me debatin, Ymerin e paraqet në Drejtorinë e shkollës, si nxënës provokator dhe me pikëpamje nacionaliste.

Ai mbase do ta denonconte edhe në Polici, por se lejonte sedra e sëmur dhe inatçore me pohuar që në debate me nxënësin e tij, çdoherë dilte humbës. Urrejtja e papërmbajtur e shovenve serbë del në shesh me arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, nga UDB-a.

Ai ishte arrestuar vetëm pse i kishte bërë vërejtje tekstit të Historisë, për klasën e -lll- të, në të cilin fillim e mbarim ishte falsifikuar origjina e shqiptarëve autokton.

Ymeri lajmin mbi arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, e kishte pritur me dhembje dhe indinjatë të thellë.

Ai druante që fare lehtë mund ta ketë fatin e mësuesit të tij, të cilin për reagimet e tij konkrete dhe në momente të duhura e quante edhe si mësues “Shtylla”.

Kjo ndjenjë pasigurie dhe mosdurimi ndaj shovenëve serbë e pati detyruar Llugaliun, parritur ende moshën e pjekurisë, që të kalojë në tokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me origjinë nga Kastri i Hasit të Prizrenit, me banim në Mat, me ngadhënjimin në Krujë, që shekullin e -XV- e bëri EPOKË të ARBANISË.

Llugaliu, që i hypi krahut të ëndrrës dhe kaloi matanë maleve i bindur që edhe ai është një krah shqipje regjistrohet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Tiranë.

Inspirimin për studim të mirëfilltë dhe me rrënjë të Gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare atij ia ngjalli përçmimi dhe urrejtja që shovinistët serbo-sllavë, i bënin Gjuhës shqipe, dhe popullit të robëruar shqiptar në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë lindore.

Pas përfundimit të studimeve me sukses shembullor Ymeri, priste që të bëjë punën e ndihmës profesorit (asistentit) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dëshirën që Ymerin ta ketë pranë e kishte shprehur haptas edhe profesori i tij, e studiuesi i njohur Eqrem Çabej.

Mirëpo, një ditë fundgushti Ymerit, pa kurrfarë paralajmërimi i jepet urdhri që të shkojë në Krahinën më të prapambetur dhe më të persekutuar të vendit, në Mirditë.

I njohur me virtytet e tij prej burri dhe pedagogu profesionist plot nëntë vjet ai punon në shkollën e Mesme në Rrëshen, dhe në atë 8-vjeçare në Kurbnesh.

Llugaliu përkundër kushteve të vështira për punë detyrën e tij të mësuesit të Gjuhës Shqipe, dhe letërsisë, siç ishte emërtuar kjo lëndë atëherë e kryen me sukses.

Ai duke e konsideruar arsimimin e brezave si burim drite edhe gjatë kohës kur ishte student kishte punuar si mësues i së njëjtës lëndë 15-16 muaj në Berat dhe katundin malor mallakastriot Siqece.

Me përvojën e tij të gjatë ai ishte në gjendje që nëpërmjet procedurave të testimit ta bëjë edhe matjen e inteligjencës të secilit nxënës. Po ashtu llogaritjen e pikëve për notë e bënte saktë dhe pa i hyrë askujt në hak.

Llugaliu, përveç aftësive intelektuale shquhej edhe me organizimin e aktiviteteve brenda shkollës. Prandaj, respektohej pa përjashtim nga të gjithë malësorët mikpritës dhe bujarë të krahinës së Mirditës.

Edhe pse mirditorët luftonin për të mbijetuar, mania e pansllavistëve kokëbosh dhe këlysh të Stalinit nëpërmjet “fabrikave” të llojit kovaçhane ata i detyronte të bëjnë punë skllavi si në feudalizëm.

Ata apo ato që kundërshtonin punën angari shpalleshin armiq të popullit dhe përfundonin në kampe internimi, ku vite më radhë thanin këneta e moçale.

Grupi tjetër i “vullnetareve “amatorë ndërtonte “pallate” me qerpiç e baltë. Çdonjërit veç e veç, apo si kolektiv për një normë të parealizuar i avullonte jeta.

Këtë diktaturë ekzemplar tmerri disa të verbëruar e altoparlant të monizmit e përshkruanin si parasë, vetburgimin liri, diktaturën demokraci.

Kurse, Hoxha gjirokastritin pejgamber, sepse kështjellën e rezistencës së Gegnisë, të ndërtuar me djersë e gjak nga Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Veqilharxhi, Pashko Vasa, Mjeda, Fishta e Migjeni etj, e kishte bërë rrafsh me tokë, nga frika që pasardhësit e tyre po e lidhnin Arbanin me Vatikanin dhe Perëndimin.

Llugaliu si bir i traditës kësaj çmendurie paranoiake i kundërvihet me vargjet revoltë të Migjenit : “-Oh, si s’ po kam një grusht të fuqishëm Malit( diktaturës) që vret mu në zemër me ia ngjesh.”
Më 10 nëntor të vitit 1976, nën pretekstin e “Agjitacion e propagandë” Llugaliu u arrestua dhe u dënua me 14 vjet heqje lirie.

Arrestimit të tij i parapriu spiunimi i një “kolegu” në ekskursionin me nxënës në Pllajën e Valmorit.

Ai e kishte provokuar mësueses Ymerin, duke i thënë : Or kosovar si të duket Valmori ?…
Ymeri, modest dhe pa mburrje këtij të shituri që ishte si gacë e mbuluar me shumë shtresa shpuze iu kishte përgjigjur: “Valmori është i bukur, ama shumëfish më e bukur është Fusha e Kosovës.”

Të nesërmen “kolegu” i tij, një kuisling që regjimi diktatorial e kishte bërë rregëzinë, duke sajuar edhe njëqind gënjeshtra të tjera, raporton tek padronët e tij të Sigurimit të Shtetit.
Pastaj, ata bëjnë atë që s’kishte arritur ta bëj vëllai i tyre ideologjik Zhikica Jovanoviq.

Llugaliun e mbyllin në burgun e Spaçit. Atje i ballafaquar çdoherë me uri dhe etje detyrohet që të kryejë punët më të rënda fizike.

Pas daljes nga burgu rehabilitimin e tij dhe avancimin në pozita, diktatorët gardianë të ferrit të kuq komunist e kushtëzojnë me kërkesën që ai me shkrimet e tij të glorifikoj Kryediktatorin, duke i thurur në të njëjtën kohë elozhe edhe kolektivizimit të vendit, që ishte kthyer në varr të hapur të shqiptarëve.

Llugaliu guximtar dhe frontal, siç janë zakonisht malësorët kësaj oferte i bën refuzim të dyfishtë, jo për mungesë talenti, por nuk donte me u bë në asnjë mënyrë nallban, për me mbath kuaj të xhelatëve komunistë, të cilët gjatë 50 vjetëve-shekuj likuiduan figurat më të ndritura të kombit tonë.

Pas këtij refuzimi atij gojën ia mbyllin e lapsin ia kthejnë në kazmë, duke e izoluar dhe internuar në zona të thella malore, ku nëntëmbëdhjetë vjet rresht, nuk i lejohet kontakti me njeri.

Atë ushqim të paktë dhe pagrimë shije të shumtën e herëve ia hidhnin nëpër sportelet e thurura me thupra hekuri sikur luanit në kafaz.

Edhe pse ishte me qafë nën shpatën e Demokleut, alias diktatorit, Enver Hoxha, më 13 gusht të vitit 1983, ai bëhet shembull guximi dhe besnikërie. Me katër-pesë shokë e bënë varrosjen e disidentes së parë Shqiptare, Musine Kokalari, e cila kishte vdekur në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme në një kasolle të Rrëshenit.

LLugaliu që rininë e tij e kaloi në qelitë e akullta të Spaçit dhe në izolime i ndrydhur vetmie pas përmbysjes së Diktaturës, një ditë të vonuar pranvere të vitit 1992, kthehet në vendlindje, ku e kishte lënë të ndryme rininë e tij të hershme.

Atij i bëhet pritje madhështore. Surkishi ato ditë ishte vend pelegrinazhi, i të gjithë llapjanëve.
Pushtuesit serbë që ishin instaluar në hyrje të këtij fshati me të kuptuar se Llugaliu, ishte kthyer në Dardani, në tokën e të parëve të tij, e arrestojë dhe ia plaçkisin të gjitha peshqeshet, dhe të hollat e dhuruara nga familjarë, shokë e miq.

Pas katër-pesë ditëve e dëbojnë matanë kufirit të vendosur me dhunë e gjak. Llugaliu që ishte flijuar për Shqipërinë Etnike, shkon në Elbasan, ku fillon punën e mësimdhënësit të Gjuhës gjermane në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja.

Po ashtu kontribuon në të gjitha Lëvizjet për liri dhe demokraci të Shqipërisë. Më gjithë ferrin e përjetuar Llugaliu, pedagog dhe krijues më 1993, e boton në “Eurorilindja” Tiranë, poemën epike,

Luani i Prishtinës “kushtuar heroit tonë kombëtar Hasan Prishtina.. Pas këtij libri ai ka botuar edhe shtatë-tetë libra, të tjerë me temë nga historia, kultura dhe gjuhësia.

Sidomos vëmendjen e atyre që studiojnë Gjuhë shqipe, e kanë zgjuar librat me analiza të ngjeshura nga Fonetika, Morfologjia dhe Sintaksa “Gjuhësi e letrarizueme” dhe ai “Ma i lashti dhe ma i riu”.

Llugaliu, opusin e tij krijues e pasuron edhe me fejtone të shumta të botuara në Gazetat e ditës dhe ato javore në Shqipëri e Kosovë.

Po ashtu është më rëndësi të theksohet që ai më 2005, pati botuar studimin dygjuhësor shqip- anglisht “Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar”. “Serbian claims about Kosova and kosovarian reality”.

Ymer Llugaliu, edhe pse në moshë të thyer posedonte potencial të pashtershëm krijues. Ai ka lënë në dorëshkrim edhe disa tema nga fusha e Gramatikës së Gjuhës shqipe dhe mbi 300 poezi të shkruara.

Shumicën prej tyre të përgatitura nga autori i këtij shkrimi i kanë botuar në vazhdime doajenët e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare Skënder Buçpapaj dhe Elida Skënderi-Buçpapaj, pronarë të platformës mediale “Voal.ch”.

Mirditorët edhe pse ka kaluar gati gjysmëshekulli ndihen krenar me ish- mësuesin e tyre të mrekullueshëm e të dashur Ymer Adem Llugaliu.

Ata të nxitur nga respekti i pakufishëm ndaj tij, më 24 Nëntor të vitit 2019, në mënyrë të organizuar e vizitojnë Llugaliun në fshatin e tij të lindjes në Surkish të Podujevës.

Ngjashëm me shokët e tij vepron dhe politikologu e publicisti i njohur Luan Rama. Ai, edhe pse Ymerin e kishte pasur vetëm shtatë-tetë muaj mësimdhënës dhe kujdestar klase, kishte për Te, një simpati të veçantë.

Më rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, më 2020, z. Luan Rama vije enkas nga Tirana, në Llap, për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën e tij, më të lartë për punën e shkëlqyer, mësuesit dhe disidentit Ymer Adem Llugaliu.

Ymeri edhe pse 80-vjeç kishte memorie të shkëlqyer. Kur në grupin e ish-nxënësve të tij, sot burra rreth të 70-tave, nuk vëren dy nga nxënësit e tij, të dikurshëm mbetet pak sa i habitur, ngaqë ata i kishin ngelur në kujtesë për zgjuarsi dhe shprehje të mendimit haptas.

z.Luan Beqaraj, njëri nga ish-nxënësit e mësuesit Ymer, në Rrëshen dhe Mirditë, nismëtar i kësaj vizite në Surkish të Podujevës, i gjendur në ato çaste në pozitë tejet të rëndë i rrëfen mësuesit Ymer, fatin tragjik të dy shokëve të klasës së tij.

Ata vetëm pse kishin kërkuar demokratizimin e Shqipërisë, ishin dënuar dhe ekzekutuar nga regjimi i Hoxhës, i cili në Evropë, njihej si nga më të egërit dhe më të tmerrshmit. Nga ky rrëfim rrënqethës mësuesit Ymer i kishin rrjedhur edhe lotët . Me këtë rast u vërtetua që ai kishte qenë i lidhur si thoi me mishin më nxënësit e tij.

Llugaliu ndihet shumë i nderuar nga kjo vizitë e ish-nxënësve të tij. Meqë ishte i pa trashëgimtarë ata i donte me shpirt dhe i konsideronte si fëmijë të tij. Ai, kudo thoshte “asnjëherë s’kam dyshuar që në burgosjen time, kanë dorë mirditorët.” “Ata ishin në pranga së bashku me mua”.

Vizitat e nxënësve të tij nga krahina e Mirditës, gati pas gjysmëshekulli sikur ia kishin zgjatur jetën. Ato ishin prova më e mirë që veprën e Ymer Llugaliut, s’mundi me zhduk e as me hijezua asnjëherë diktatura komuniste.

Ai ngjashëm me Omer Khajamin, që ishte bukur në moshë kur i shkroi Rubairat, i ripërtërirë energjish nga takimi me nxënësit e tij, mirditorë e shkroi poezinë “Ringjallja”.

Pathyeshmërinë dhe qëndrimin stoik të Llugaliut, karshi diktaturës dhe padrejtësive të asaj kohe e përshkruan edhe shkrimtari Agim Gjakova, po ashtu i dënuar politik nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Gjakova thotë; “Ymer Llugaliu, ishte një ndër figurat më të pastra dhe më të dinjitetshme në Shqipëri, si në burg ashtu edhe në liri” Ai u ndie krenar dhe mbajti lart të qenunit shqiptar i Kosovës(Dardanisë).

Ymer Adem Llugaliu, të cilit edhe Dante do t’ia kishte zili për ferrin nëpër të cilin kishte kaluar, gjatë qëndrimit në burgun famëkeq të Spaçit, shkroi poezinë “KRENARI e PAMBOSHTUR” (botuar post-mortem nga Voal.ch).

Me shigjeta të padukshme;

fjalë intriguese,

gjarpinj helmues,

ma ke godit zemrën,

ma ke plandos shpresën,

ma ke plagua dashurinë.

Por mendja largpamëse

e ka zbulua harkun,

i ka përçmua skllavet,

i ka përbuzë papagajtë;

me fjalën shpatë

u ka pre thimthat helmues.

Më të vogël se shalët hapin e shtrin,

në ballin e mjegullt

rrudhash valëzue

ka ruajt krenarinë.

Pa i shtri dorën lëmoshës,

pa e shqiptua fjalën lutje,

pa iu zgërdhi injorantit,

pa iu përkul tiranit,

pa i ba lajka karrieristit,

pa ia dridh çerpikun

tytës së drejtueme në ballë.

Me trupin ndjersit

kanaleve rrasun deri në fyt

UBT

lopatën e kam ba ekskavator.

Shkambijve, dhëmballë të tokës së lashtë,

mbi kurrizin vinç

ua kam prish gravitetin

t’ue i hedh nëpër humnera,

kam hap nji rrugë të re.

Kokën kam përgjak,

fajtoren prometjane,

ndërgjegjes, kambve me u dhanë liri

mbi kordon bajonetash,

mur i burgut të shpirtit,

nëpër tokën e njerëzve

të marshojë bashkë me njerëz.

Floku me asht përthi

pa më buzëqesh rinia;

si lulet ndër livadhe

bryma që i përcëllon.

pa i ledhatua rrezja

e diellit të ambël pranveror.

U shkumue ndër mërgime,

u vyshk në izolime,

u ngri ndër qeli

heroikja ime rini.

Por e pavdekshme gjurmë

e rinisë time ka me mbet

haplir, ballëkrenar,

syshqiponje, gjuhëshpatë,

dorëhekurt , krahnor shkamb.

E etun burimet

e dijes me i përbi,

shtigjeve të pashkeluna

majat donë me i kap.

T’ue i thanë jo-servilizmit

ballin e çon nalt.

T’ue i thanë jo-padenjësisë

shpatën e ke mpreh.

T’ue i thanë jo-shtypjes

grushtin e ka ngreh.

T’ue i thanë jo-frikës

vdekja e rilind.

Nëpër gjurmët tona

breznitë kanë me u nis,

si na nëpër të dikujt.

Nëpër majat që na mësymë

ata kanë me dal.

Shtigje të reja rishtas

kanë me mësy.

Njerizimit hapin

drejt të panjohurës

kush ia ndal?!

Ti tiran,

ti egoist,

ti injorant,

ti i shejtnuem,

ti patriarkal,

ti tradhtar,

ti dogmatik,

ti intrigant,

ti hipokrit,

ti servil…

që nëpër shekuj

ujin ia keni turbullue

njeriut zot të vetvetes,

zot të jetës.

Karvanit të njerizimit

si nji gur në rrugë,

si nji cung i kalbun,

si nji therrë në kamb,

si nji coftinë e qelbun,

si nji qen i hazdisun,

si nji mi dhambbrejtës,

si nji ngricë e lmueme, si nji mjegull e dendun,

si nji erë me breshën,

si nji furullazë…

hapin ia keni pengue.

Por kurrë me ia ndal.

A more vesh Xhorgje!

Ma par i djeg krijimet,

se sa nji germë prej tyne

tentoj me ndryshue.

As s‘kam me t‘u lut kurrë,

jo, ty me m‘i botue.

Në çdo germë ka gjak,

në çdo fjalë nji ndjenjë,

në çdo rresht nji nerv

i vehtes sime

me frymëzim asht saldue.

Spaç, rrethi i Mirditës, 1976