Yjet e Zvcrës nuk luajnë për Kosovën
Sipas drejtuesve të Federatës së Futbollit të Zvicrës, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami nuk do të luajnë për Kosovën në të ardhmen.Federata e Futbollit e Zvicrës nuk frikësohet nga mundësia që Kosova pas pranimit në UEFA e FIFA t’ia marrë yjet e saj që kanë rrënjë nga Kosova: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami.
Në federatën zvicerane thonë se futbollistët me rrënjë nga Kosova do t’ia kthejnë me të mirë Zvicrës favoret që i kanë pasur e i kanë nga ky vend.
“Shumica e lojtarëve duan të luajnë për Zvicrën për shkak të asaj se çfarë ka bërë Zvicra dhe Federata e Futbollit e Zvicrës për ta. Ata nuk duan vetëm të përfitojnë, por t’i kthejnë diçka vendit që i ka dhënë aq tepër atyre. Ka shumë njerëz të mirë”, ka thënë Për Kohën Ditore zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Marco von Ah.
Von Ah ka theksuar se pos futbollistëve si Shaqiri, Xhaka dhe Behrami, Zvicra ka dhënë shumë edhe për futbollistët tjerë nga Kosova që kanë zgjedhur të luajnë për shtete tjera, Shqipërinë e Kosovën.
Numri i futbollistëve nga Kosova që kanë luajtur deri në U-21 të Zvicrës e që përfaqësojnë Shqipërinë është i madh. Në këtë grup bëjnë pjesë lojtarë si Arlind Ajeti, Frederik Veseli, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Migjen Basha, Shkëlzen Gashi.
“Por, ka disa që ndiejnë se nuk do të mund të ftohen kurrë te Zvicra. Kështu që vijnë me kërkesë nëse ne mund t’i dorëzojmë të dhënat e tyre personale te Federata e Futbollit e Shqipërisë në mënyrë që të luajnë për Shqipërinë nëse seleksionuesi i Shqipërisë i do ata. Këtë e kemi bërë shumë herë”, ka theksuar Von Ah. /Express/


