Xhimshiti pritet t’i bashkohet Zvicrës

Mbrojtësi Berat Xhimshiti pritet t’i bashkohet përfaqësueses A të Zvicrës për dy ndeshjet e ardhshme eliminatore, ka raportuar të premten “blick.ch”.
Xhimshiti është nga Tërnoci, ndërsa deri tani ka luajtur për U-21 të Zvicrës. Për shkak të moshës, 21-vjeçari nuk ka të drejtë të luajë më për shpresa dhe i duhet të vendosë për një përfaqësuese seniore.
Për Xhimshitin interesim ka treguar kombëtarja e Shqipërisë, por Federata e Futbollit e Zvicrës pritet të reagojë që të mos e humbë edhe një lojtar të talentuar.
Zvicra më 9 tetor luan me Slloveninë, ndërsa më 14 tetor me San Marinon. Pjesë e Zvicrës janë Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili e Pajtim Kasami.
© KOHA.net